Home / Kronika / Konferenca e EANA-s, Surmacz: Deklarata e Tiranës e rëndësishme në luftën kundër fake news

Konferenca e EANA-s, Surmacz: Deklarata e Tiranës e rëndësishme në luftën kundër fake news

Në konferencën e Agjencive Europiane të Lajmeve (EANA), që zhvilloi punimet në Berlin, drejtori i përgjithshëm i agjencisë polake të lajmeve, PAP, Wojtek Surmacz nënvizoi rëndësinë e “Deklaratës së Tiranës” në luftën kundër fake news.

“Pas pjesëmarrjes në këtë konferencë, 13 agjenci paneuropiane lajmesh vendosën të bashkojnë forcat kundër kërcënimit në rritje të fake news’’, deklaroi Surmacz.

“Ne ndamë pikëpamje të njëjta dhe, ndërkohë që theksuam diversitetin tonë, ramë dakord veçanërisht për bashkëpunim të drejtpërdrejtë mes agjencive tona për verifikimin e lajmeve dhe zbulimin e shpejtë të fake news’’, tha Surmacz.

Ai u kërkoi të gjitha agjencive që nuk janë pjesë e kësaj Deklarate, pa marrë parasysh nëse ato financohen privatisht ose nga shtetet dhe shoqatat ndërkombëtare të agjencive të lajmeve, që t’i përmbahen kësaj rezolute, duke pasur parasysh interesat më të mira të peizazhit mediatik, publikun dhe shoqëritë si një e tërë.

“Ne u dakorduam edhe për të promovuar edukimin mediatik dhe informativ për të luftuar dezinformimin dhe për të ndihmuar përdoruesit të lundrojnë në mjedisin e medias dixhitale dhe për të ruajtur diversitetin dhe qëndrueshmërinë e ekosistemit europian të medias’’, theksoi Surmacz.

Drejtoresha e përgjithshme e ATSH-së, Armela Krasniqi ftoi të gjitha agjencitë e lajmeve që t’i bashkohen kësaj iniciative.

“Ne jemi duke strukturuar idenë e krijimit të një modeli dhe mënyrën se si ai do të funksionojë, model që ka për qëllim vënien në dijeni të të gjitha agjencive të lajmeve për dezinformime të mundshme lidhur me një ngjarje, me një vend apo me një lajm”, deklaroi Krasniqi.

Drejtori i agjencisë çeke të lajmeve, CTK, Jiri Majstr nënvizoi rëndësinë që ka për agjencitë e lajmeve lufta kundër fenomenit të dezinformimit.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i EANA-s Alexandru Giboi këmbënguli në faktin që agjencitë e lajmeve të përkufizohen publikisht si burimi më i besueshëm i informacionit në mjedisin e medies.

“Agjencitë e lajmeve duhet të përkufizohen publikisht si burimi më i besueshëm i informacionit në mjedisin e medias. Duke i konsideruar shërbimet e lajmeve të përgjithshme të dhëna nga agjencitë e lajmeve si produkt publik, kjo gjë mund të tërheqë më shumë konsumatorë duke rritur besimin te produkti vetë nëpërmjet pranimit të përgjegjësisë shoqërore dhe qytetare “, tha Alexandru Giboi.

Ural Yesil, Drejtori i Operacioneve Ndërkombëtare në Anadolu Agency (AA), prezantoi sistemin PTS të AA-s për gjurmimin e fotove.

“Sistemi ynë i gjurmimit të fotove (PTS) është krijuar krejtësisht nga stafi i departamentit të informatikës së AA-së për të luftuar dezinformimin, bllokimin e manipulimit dhe propagandës së errët”, tha ai, duke shtuar se ky sistem i përparuar i mundëson AA-së të gjurmojë produktet e veta vizuale duke detektuar ku, kur dhe si po përdoren ato nga palë të treta.

Jan Bayer, presidenti i “News Media International” tek grupi “Axel Springer, ishte i ftuari special që mbylli Konferencën e EANA-s në Berlin.

Gjatë fjalimit të tij, ai përmendi se suksesi i medias nuk mund të matet vetëm mbi shitjet dhe klikimet.

“Media duhet t’i shërbejë një qëllimi më të lartë, që është shpërndarja e informacionit të besueshëm”, theksoi Bayer.

Leave a Reply

%d bloggers like this: