Bota

NATO duhet të ndryshojë mënyrën se si i trajton kërcënimet në rritje

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo u tha të enjten Ministrave të Jashtëm të NATO-s se aleanca duhet të ndryshojë mënyrën se si i trajton kërcënimet në rritje, duke veçuar agresionin rus dhe “konkurrencën strategjike” të Kinës. Zoti Pompeo u tërhoqi vëmendjen aleatëve të NATO-s se ekziston rreziku që Shtetet e Bashkuara të mos jenë më në gjendje të ndajnë më informacion si më parëm nëse nuk do të kishte sisteme kineze brenda rrjeteve të tyre. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine njofton nga Departamenti i Shtetit.

Prej 70 vjetësh, NATO-ja është përqendruar kryesisht tek kërcënimi ushtarak që ka paraqitur fillimisht Bashkimi Sovjetik e më pas Rusia.

Por Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo paralajmëroi se po shfaqen kërcëncime të reja, duke veçuar Kinën. Ai tha se Shtetet e Bashkuara mund të konkurrojnë me biznese të ndershme, me produkte dhe ide më të mira, por ai tha se nuk është kjo që po ndodh me Kinën dhe gjigandët e saj të telekomunikacionit.

“Është diçka shumë e ndryshme të angazhohesh në transaksione që kanë një aspekt sigurie kombëtare. Kur një vend të ofron mallra që janë shumë më të lira sesa çmimi i tregut, duhet të shtrosh pyetjen se çfarë fshihet pas. Pse një entitet ofron diçka që duket shumë e mirë për të qenë e vërtetë”.

Nënpresidenti Mike Pence ishte i një mendjeje, duke thënë se sfida e “parave të lehta” nga Kina është diçka me të cilën aleatët duhet të përballen çdo ditë.

“Ndikimi në rritje i Kinës pa dyshim që do të kërkojë shtimin e vëmendjes dhe burimeve nga Shtetet e Bashkuara. Dhe ndërsa përballemi me atë sfidë, aleatët tanë Evropianë duhet të bëjnë më shumë për të ruajtur forcën dhe aftësitë frenuese të aleatëve tanë transatlantikë me burimet e tyre”.

Disa analistë thonë se Kina nuk ia kaluar ende Rusisë si rrezik ndaj NATO-s, sepse Rusia përbën një kërcënim të prekshëm ushtarak ndaj disa anëtarëve më të vegjël të aleancës. Por Pekini është një shqetësim real.

“Është e sigurt që po përpiqet të përçajë dhe sundojë dhe të përhapë ndikimin në kontinentin evropian. Por jo në të njëjtën mënyrë si ka bërë Rusia. Më duhet të shtoj se Rusia po ndërhyn në politikën evropiane dhe amerikane dhe përsa i takon përhapjes së dizinformimit dhe të ashtuquajturës luftë hibride. Dhe Kina nuk ka ndjekur të njëjtat strategji, në të njëjtin nivel si rusët”.

Ministrat e Jashtëm të NATO-s premtuan të punojnë së bashku për t’iu përshtatur rreziqeve të reja në dekadat e ardhshme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button