Ekonomia

Llogaritë bankare, Shqipëria do të përshtasë direktivën e Bashkimit Europian

Në vendet e Ballkanit Perëndimor, përqindja e të rriturve me një llogari bankare u rrit nga 55% që ishte në 2011 në 63% në 2017.

Raporti i publikuar së fundi nga Banka Botërore tregon se, vendet e rajonit kanë ende hendeqe me bazë gjinore sa i takon zotërimit të këtyre llogarive.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se Shqipëria do të adoptojë direktivën e Bashkimit Europian, që iu mundëson të gjithë shtetasve në moshë madhore një llogari bankare pa kosto ose me kosto simbolike, me qëllim rritjen e numrit llogarive bankare në vendin tonë.

BSH informon se, brenda vitit 2020 do të punohet për hartimin e një ligji ku të adoptohet direktiva komunitare mbi llogaritë e pagesave, që do t’i ofrojë çdo personi të drejtën për një llogari bankare bazike. Banka e Shqipërisë vlerëson se sot vetëm 40% e shqiptarëve të rritur kanë një llogari bankare, ndërsa synon që në tre vitet e ardhshme ky tregues të arrijë në 70%.

Ndërkohë, këtë vit Kuvendit do t’i paraqitet për miratim edhe projektligji për sistemet e pagesave, ku veç të tjerash reflektohet edhe direktiva më e re e Bashkimit Europian, PSD. Adoptimi i kësaj direktive në ligjin e ri do të nxisë rritje të konkurrencës në tregun e pagesave, duke i dhënë më shumë akses edhe institucioneve jo banka. Kjo pritet të ulë kostot dhe të rrisë cilësinë e shërbimeve të pagesave për shqiptarët.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button