MaqedoniaRajoni

Shekerinska: Jemi të gatshëm të përballemi me presionin në kufirin jugor

Jemi të gatshëm të përballemi me presionin në rritje që është në kufirin jugor, deklaroi të shtunën ministrja e Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska.

Ministrja Shekerinska e cila sot mori pjesë në garën e vrapimit NATO, e organizuar nga Ministria e Mbrojtjes, u përgjigj në pyetjet e gazetarëve duke komentuar situatën në kufirin Maqedoni e Veriut-Greqi, më saktësisht tentativën e djeshme të migrantëve për të kaluar në vendin tonë.

Si rezultat i lajmit të rremë, tha Shekerinska, një pjesë e refugjatëve të cilët janë të vendosur në Greqi që mendonin se Rruga e Ballkanit është e hapur “u nisën drejt kufirit tonë, për çka gjatë ditës së djeshme bëmë konsultime”.

“Ministria e Brendshme, por edhe ne si mbështetje të saj jemi të gatshëm, për t’u përballur me presionin në rritje në kufi. Ne po ndjekim situatën dhe jo rastësisht atje ka prani të pjesëtarëve të ushtrisë sonë”, tha Shekerinska.

Të premten, ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, tha se siguria në kufirin jugor është rritur, dhe se po marrin informacione të përditshme nga kolegët grekë mbi situatën në kampet greke.

“Përmes planeve të veçanta sigurimi i kufirit shtetëror midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut është forcuar. Deri më tani është një grup prej rreth 1.200 deri në 1.500 emigrantë. Kemi obligim për të qenë gati të mbrojmë kufirin”, tha Spasovski.

Mediat lokale raportuan se pas përhapjes së lajmeve në rrjetet sociale se migrantëve do t’u hapen kufijtë evropianë, migrantët në rajonin e Selanikut kanë filluar të mblidhen para Kampit Anagnostopuli në Divata nga orët e mbrëmjes së të enjtes për të kaluar në Maqedoninë e Veriut.

Rreth 500 migrantë, përfshirë gra dhe fëmijë, janë përballur me intervenimin e policisë për shkak të tentativës së tyre për të kaluar në Maqedoninë e Veriut.

Policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës dhe shok-bomba, ndërsa migrantët janë kundërpërgjigjur me gurë dhe shkopinj. Tre policë janë lënduar, kurse një person është arrestuar gjatë përplasjeve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button