Ekonomia

FMN: Ekonomia shqiptare rritet me 3,7% në vitin 2019

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikon që ekonomia shqiptare të rritet me 3,7% në vitin 2019.

Në raportin e publikuar sot mbi “Pasqyrën Ekonomike Globale”, FMN ka rritur vlerësimin për ekonominë shqiptare në 2018-n, nga 4% në 4,2%, ndërsa ka mbajtur të pandryshuar pritshmërinë për 2019-n.

Fondi Monetar Ndërkombëtar i bashkohet Bankës Botërore, që pak ditë më parë deklaroi se, “parashikon një rritje të ekonomisë shqiptare prej 3,8% gjatë këtij viti”.

Parashikimet e dy institucioneve të rëndësishme ekonomike ndërkombëtare flasin për trendin në rritje të ekonomisë së vendit.

Sipas raportit “Pasqyra Ekonomike Globale”, në krahasim me vendet e tjera të rajonit, rritjen më të madhe në 2019-n pritet që ta ketë Kosova, me 4,2%, më pas renditet Shqipëria me 3,7%, Serbia me 3,5%, Bosnja me 3,1%, Maqedonia e Veriut me 3% dhe Mali i Zi me 2,8%.

Gjithashtu, Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se, inflacioni do të rezultojë në 2,2% për vitin 2019 dhe 2,6% për vitin 2020.

FMN pret që rritja të jetë më e ulët për 70% të globit. Ndërkohë, Eurozona që është partneri kryesor tregtar i vendit tonë, u ngadalësua më shumë se ç’pritej, sipas FMN, si rrjedhojë e dobësimit të besimit konsumator dhe të biznesit, pasigurive mbi politikat fiskale, ngadalësimit të investimeve, sidomos në Itali, protestat në Francë dhe pasiguritë e Brexit. Zona e monedhës së përbashkët pritet të rritet me 1,3% në 2019-ën.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button