Kronika

Shteti “lan duart” me Rinasin, Lleshaj: Faji i koncesionarit, dështuan me sigurinë!

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka dalë në një konferencë për mediat mesditën e sotme, duke bërë analizën e grabitjes së 10 milionë eurove në aeroportin e Rinasit.

Pa mbajtur aspak përgjegjësi për ngjarjen e rëndë, Lleshaj ia ka deleguar fajin kompanisë koncesionare nga Kina, e cila sipas ligjit ka për detyrë të garantojë sigurinë brenda perimetrit të aeroportit “Nënë Tereza”.

“Nga analiza rezulton se nuk kanë funksionuar aspak mekanizmat e sigurisë në përgjegjësi të kompanisë koncesionare të aeroportit. Koncesionari dhe kontraktori i zgjedhur që përgjigjet për sigurinë fizike nuk kanë arritur të zbatojnë standardet”, tha Lleshaj.

Duke kujtuar se çdo pasagjer që kalon në Rinas paguan rreth 3 euro si kostot, Lleshaj theksoi se do të mjaftonte mbledhja e këtyre kontributeve për të vendosur nga koncesionari në aeroport rendin dhe sigurinë e duhur.

Sipas ministrit të Brendshëm, policia e Shtetit ka ndërhyrë në kohë duke ndjekur grabitësit, pavarësisht se koncesionari nuk e ka sinjalizuar policinë për të kryer neutralizimin.

“Ata kanë refuzuar në shumë raste këshillat e Policisë së shtetit për marrjen e masave”, theksoi Lleshaj, teksa bëri me dije se autorët e grabitjes kanë lënë pas prova të shumta materiale që po verifikohen nga Prokurorët.

“Autorët kanë lënë në dorë prova të shumta materiale që po i nënshtrohen verifikimeve përkatëse. Banda kriminale që edhe më parë ka kryer grabitje në aksin Qafë-Kashar – Rinas ka marrë një goditje shkatërruese që po thellohet nga ora në orë nga prokuroria dhe Policia e Shtetit”, tha ministri duke lënë të kuptohet se uniformat blu mund të kenë mbërritur te autorët e ngjarjes.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button