Politika

Vlahutin-Rama: “Statusi i vendit kandidat do të thotë më shumë kërkesa kundrejt Shqipërisë”

Kryediplomatja e re e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, në mënyrë simbolike i dorëzoi sot krerëve më të lartë të shtetit progres raportin e Komisionit Europian.

ramaa_25Pas takimit me kryeministrit Rama, në një konferëncë të përbashkët për shtyp, Vlahutin bëri këtë koment për progres raportin:
“Statusi i vendit kandidat do të thotë më shumë përgjegjësi, si dhe më shumë kërkesa kundrejt Shqipërisë. Merr një rëndësi të posaçme përshpejtimi i reformave dhe një zbatim më i mirë i ligjeve. Një gjë që është shqetësuese për ne dhe merr një rëndësi të veçantë është gjithpërfshirja dhe sidomos dialogu politik mes qeverisë dhe opozitës dhe ne si BE do të bëjmë gjithçka që ky dialog të intensifikohet”, deklaroi Vlahutin.
Takimi me ambasadoren Vlahutin, tha nga ana tjetër kryeministri Rama, u shfrytëzua jo vetëm për të diskutuar çfarë thotë progres raporti, por edhe për hapat e mëtejshëm drejt çeljes së negociatave me BE-në.
“Së pari, raporti konfirmon vlerësimin shumë pozitiv të KE për arritjet konkrete të qeverisë dhe ajo çka për ne vlen më shumë, për vullnetin tonë qeverisës për të dëshmuar me fakte thellimin e reformave modernizuese. Pesë përparësitë kyçe janë dhe 5 instrumenta të patjetërsueshëm për zhvillimin e vendit dhe ne do t’i ndjekim me më shumë vullnet dhe ritëm”, deklaroi Rama.

Përsa i përket opozitës, Rama dhe Vlahutin dhanë këto komente:
“Populli shqiptar ka votuar dhe ka zgjedhur parlamentarët, ndaj ata duhet t’i përfaqësojnë si duhet ata që i kanë zgjedhur. Prandaj është në duart e të dyja palëve që të gjejnë një mënyrë për t’u kthyer në një situatë ku ka dialog të mirë politik për të mirën e vendit. Ajo që mund të bëjë BE është që të përpiqet të asistojë për të krijuar atmosferën e duhur për të mundësuar më shumë hapsirë për gjithpërfshirjen. Vetëm dialogu do ta çonte Shqipërinë drejt një pozicioni ku ajo të shihet si një vend me demokraci të përgjegjshme. Ne nuk jemi këtu për të udhëhequr. Ata që janë zgjedhur kanë përgjegjësi për këtë”, deklaroi Vlahutin.

“Çfarë ne kemi konsideruar të drejtë të opozitës dje e konsiderojmë të drejtë të opozitës edhe sot. Ne presim që ajo të thotë çfarë mund të bëjmë ne, çfarë kërkon. Akoma nuk e dimë se çfarë kërkon opozita, përveç largimit të qeverisë. Por këtë nuk mund t’ia plotësojmë ne, por populli shqiptar me votë”, tha Rama.

Drejtësia, Rama: Pas tryezave, puna në komisionin parlamentar

Pyetjes se gjatë konferencës se, kush duhet ta udhëheqë reformën në drejtësi: presidenti i Republikës, Parlamenti apo ekspertët ndërkombëtarë; Rama iu përgjigj:
“Nuk do grindemi me askënd se kush do mbajë flamurin. Ne kemi përgjegjësinë tonë dhe do ta mbajmë plotësisht. Gjithë ky proces, që mund të shtrohet në tryeza e forume nuk është alternativë e Parlamentit, por komplementare e Parlamentit. Ne do ta çojmë më tutje projektin e fillimit të punës për reformën në drejtësi përmes një komisioni të posaçëm, ku do presim jo vetëm praninë e opozitës por edhe propozimet e saj”, theksoi Rama

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button