Home / Ekonomia / Intervistat e bankierëve/Çfarë do të sjellë konsolidimi i sistemit, ja pse ra euro

Intervistat e bankierëve/Çfarë do të sjellë konsolidimi i sistemit, ja pse ra euro

Bankierët kanë pohuar në intervistat e tyre dhënë për specialen e Monitor se konsolidimi i sistemit bankar, konkretisht ulja e numrit të bankave nga 16 në 12 pritet të jetë pozitiv, pasi po largon nga tregu bankat e vogla dhe të painteresuara për t’u rritur, ndërsa hyrja e kapitalit të ri pritet të nxisë konkurrencën.

Ata kanë dhënë dhe arsyet për forcimin e lekut ndaj monedhës së përbashkët vitet e fundit, që e lidhin kryesisht me rritjen e flukseve të hyrjes së euros nga eksportet, turizmi, remitancat si dhe transaksionet financiare që ndodhën vitin e kaluar si konvertimi i kapitalit të bankave dhe kredia e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhënë për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare. 2018-a ishte një nga vitet më të rëndësishme për sistemin bankar. Ndërsa bankat ishin të kujdesshme në drejtim të kredidhënies dhe u përqendruan…

Bankierët pohojnë se plani i Bankës së Shqipërisë për uljen e përdorimit të euros në ekonomi nuk ka dhënë shumë efekt, për shkak të preferencave që kanë konsumatorët për euron, prurjet e emigrantëve si dhe fakti që diferenca e ulët mes interesave të euros dhe lekut nuk i ka nxitur kursimtarët të kthejnë kursimet në lekë. Disa prej tyre propozojnë masa më të ashpra, që nuk varen nga Banka e Shqipërisë, si p.sh. që transaksionet e mëdha të bëhen vetëm me monedhën vendase.

Bankierët në përgjithësi nuk janë shumë optimistë për të ardhmen, teksa ekonomia pritet të ngadalësohet, ndërsa ata po veprojnë në një mjedis me norma të ulëta interesi, çka do të tkurrë fitimet e tyre.
Ndërsa në të ardhmen afatmesme, sfida më e madhe e sistemit mbetet dixhitalizimi, në linjë me zhvillimet në Europë dhe në botë, që do të kërkojë investime të mëdha, por nga ana tjetër do të sjellë më shumë shërbime e përfitime për klientët.

 

INTERVISTAT – bankierët

Flet z. Seyhan Pencabligil, CEO & Anëtar Bordi i Bankës Kombëtare Tregtare (BKT)

Numri i bankave mund të ulet edhe më shumë në të ardhmen. Procesi i konsolidimit në këtë sektor duhet të konsiderohet si një progres i shëndetshëm, për hir të një sistemi financiar të shëndoshë. Nga ana tjetër, numri i bankave në Shqipëri ishte shumë i madh, duke marrë parasysh PBB-në dhe popullsinë e Shqipërisë, në fakt numri i bankave mund të ulet edhe më shumë në të ardhmen.

Si do ta vlerësonit ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës suaj në 2018-n?

Me dy fjalë, “Një vit i mirë”. Në tërësi, sistemi bankar ka pasur një ecuri më të mirë në krahasim me vitin e mëparshëm. Përmirësimi kryesor erdhi nga ulja e kredive me probleme, ndërkohë që përfitueshmëria e sektorit u rrit.

Për sa i përket huadhënies, tendenca ka qenë e ngjashme me vitet e mëparshme, edhe pse stoku i kredisë ishte në ulje, për shkak të kredisë që iu dha KESH nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe vlerësimit të lekut. Sa i përket madhësisë së aktiveve, mund të vlerësojmë që ka mbetur e njëjtë gjatë vitit 2018 për sistemin bankar.

Sa i përket BKT-së, ne deklarojmë me krenari se kemi pasur një ecuri më të mirë sesa e sektorit, dhe e mbyllëm vitin 2018 me një fitim rekord, ndërsa treguesit tanë financiarë vazhduan të përmirësohen. Pesha e tregut të BKT-së ka vazhduar të rritet dhe madhësia jonë e aktiveve është e barabartë me shumën e bankës së dytë dhe të tretë në sektor.

Cilat janë pritshmëritë për performancën e sistemit bankar dhe bankës suaj në 2019?

Jemi gjithmonë optimistë për të ardhmen e Shqipërisë dhe potencialin e saj të pashfrytëzuar për të mbështetur rritjen ekonomike dhe prosperitetin. Sa u përket pritjeve tona për sektorin bankar, ne jemi pozitivë se performanca e saj do të ecë paralel me rritjen ekonomike, pavarësisht nga sfidat e ndryshme që mund të dalin, si ulja e marzheve të interesit, rritja e kostove etj. Ne presim përmirësim të mëtejshëm të kredive me probleme dhe të efekteve pozitive që do të ketë ky përmirësim në rentabilitetin e sektorit. Një tjetër tregues pozitiv për të ardhmen e sistemit bankar shqiptar ishin proceset e bashkimeve dhe blerjeve vitin e kaluar, duke ulur numrin e bankave në Shqipëri nga 16 në 13.

Një vit më parë, Banka e Shqipërisë prezantoi një plan për të ulur nivelin e euroizimit në vend. Sa efektiv e vlerësoni këtë plan? Si e shpjegoni që depozitat në euro u rritën ndjeshëm në vitin 2018?

Prezantimi dhe zbatimi i këtyre veprimeve nga Banka e Shqipërisë rriti koston e euros për bankat dhe në këtë mënyrë, i gjithë sektori ndërmori disa veprime për të reduktuar euron në bilancet e tyre. Normat e depozitave në euro ranë pothuajse në nivelin zero, ndërsa normat e interesit të euros jashtë ishin madje negative. Gjithsesi, në sistemin bankar shqiptar, depozitat në euro janë rritur, ndërsa depozitat në lekë kanë rënë, duke vënë në dukje në këtë mënyrë strukturën e kursimeve të familjarëve shqiptarë në euro. Nga ana tjetër, edhe normat e interesit ranë dhe si rrjedhojë, diferenca e vogël midis interesave të depozitave në lekë dhe në euro nuk i nxit klientët që të këmbejnë kursimet e tyre nga euro në lek.

Sa i përket kreditimit në euro, kostot gjithashtu janë rritur për bankat. Nga ana tjetër, bankat kanë mundësi të kufizuara për të përdorur detyrimet në euro për të investuar (teprica e eurove për bankat nënkupton të ardhura negative) dhe kanë gjithashtu kufizime për huatë ndërkombëtare.
Për ta përmbledhur, efektet e veprimeve për deeuroizimin kanë qenë mjaft të kufizuara.

Euro është zhvlerësuar ndjeshëm dy vitet e fundit. Cilat janë arsyet kryesore sipas jush dhe si pritet ecuria?

Mund të ketë faktorë të ndryshëm pas zhvlerësimit, që mund të konsiderohen si arsyet kryesore, për shembull, rritja e Investimeve të Huaja Direkte (siç është TAP etj.), injektimi i eurove për shkak të konvertimit të huave nga bankat vendase te BERZH, rritja e vazhdueshme e të ardhurave në euro nga zgjerimi i sektorit të turizmit dhe tendenca në rritje e remitancave.

Ka lidhje të forta midis fuqisë së konkurrueshmërisë së eksporteve dhe vlerës së monedhës së një vendi. Leku më i fortë ka ulur fuqinë konkurruese të Shqipërisë në eksporte; vendimmarrësit mund të kishin qenë më aktivë kur çmimi EUR / LEK zhvlerësohej në të kaluarën.

Sugjerimi ynë ndaj individëve ose bizneseve do të ishte që të mos ndërmarrin rrezikun e monedhës gjatë marrjes së kredisë, nëse nuk kanë të ardhura në valutë, ose nëse nuk e mbulojnë. Të paktën, fleksibiliteti për të konvertuar kreditë në valutë në lekë do të mund të kufizojë rreziqet potenciale.

Sistemi bankar është përfshirë vitin e fundit në një valë shitjesh e blerjesh dhe numri i bankave ka zbritur në 13. Si pritet të ndikojë procesi i konsolidimit në sistemin bankar?

Në të kaluarën, bankat e huaja erdhën në Shqipëri si pjesë e strategjisë së tyre të zgjerimit global / rajonal në atë kohë, por pas krizës së Lehman në 2008-2009, ato kanë ndryshuar strategjinë e tyre, disa prej tyre tashmë e kanë lënë vendin dhe të tjerë janë në proces largimi. Disa nga këto banka nuk ishin fitimprurëse për vite me radhë. Procesi i konsolidimit në këtë sektor duhet të konsiderohet si një progres i shëndetshëm, për hir të një sistemi financiar të shëndoshë. Nga ana tjetër, numri i bankave në vend ishte shumë i madh duke marrë parasysh PBB-në dhe popullsinë e Shqipërisë, në fakt numri i bankave mund të ulet edhe më shumë në të ardhmen.

Cilat janë sfidat me të cilat do të përballet sistemi bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?

Marzhet e ulëta të interesit po krijojnë rrezik për rritjen e qëndrueshme dhe shëndetin e sektorit financiar. Për momentin, normat e depozitave janë pothuajse stabël, sepse pjesa më e madhe e normave të depozitave pothuajse arritën në zero, për shkak të normave negative të interesit të Bankës Qendrore Europiane. Por, në kahun tjetër, interesat e kredive të brendshme po ulen ende dhe kosto e sigurimit të depozitave prej 50 pikë bazë (0.5%) është shumë e lartë në krahasim me normat e interesit. Për më tepër, inflacioni po ndikon në mënyrë të pashmangshme kostot fikse të bankave dhe po ngushton më tej marzhet e fitimit.

Kufizimet e fundit rregullatore, si Basel, IFRS 9 etj., kërkojnë më shumë kapital, duke shtuar në këtë mënyrë një tjetër faktor negativ për shkak të rritjes së kostove për bankat. Në afatin e shkurtër, përmirësimi i huave me probleme do të ndihmojë bankat që të mbajnë marzhet nën kontroll, por në afatin e gjatë, bankat mund të fokusohen në reduktimin e kostove, krijimin e bizneseve të reja dhe rritjen e të ardhurave nga komisionet, në mënyrë që të kompensojnë rënien e të ardhurave nga interesat.

 

Flet z. Christian Canacaris, CEO i Raiffeisen Bank Albania

Sfida kryesore është gjetja e biznesit të mirë për të kredituar

Është e nevojshme të vazhdojmë të investojmë, për t’u ofruar klientëve tanë një shërbim të mirë dixhital, siç ne po bëjmë tashme. Brezat e rinj do të duhet të vijnë më pak në degë, prandaj ne duhet të përshtasim shërbimin tonë sipas nevojës së tyre.

Si e vlerësoni performancën e sistemit bankar dhe të bankës suaj në vitin 2018?

Performanca e bankave në 2018 ishte e shkëlqyer, me një nivel të lartë likuiditeti dhe të mjaftueshmërisë së kapitalit. Gjithashtu, një tregues shumë i mirë ishte dhe zvogëlimi i kredive me probleme (NPL).
Edhe për Raiffeisen Bank, 2018 ishte një vit i shkëlqyer, patëm një prirje pozitive në kreditë për biznes dhe individë.

Cilat janë pritshmëritë tuaja në lidhje me performancën e bankës suaj dhe sistemit bankar në vitin 2019?

Për vitin 2019 mendoj se do të ketë tendenca të njëjta me atë të vitit 2018. Fokusi kryesor do të jetë në dhënien e kredive për biznes dhe individë, në mënyrë që t’u shërbejmë sa më mirë klientëve tanë.
Të njëjtën gjë do të thosha edhe për performancën e sistemit bankar, pra në tërësi, të njëjtën tendencë me vitin 2018.

Një vit më parë, Banka e Shqipërisë nisi një plan veprimi për të ulur nivelin e euroizimit të ekonomisë shqiptare. Si e vlerësoni efikasitetin e këtij plani veprimi deri tani? Si e shpjegoni rritjen e fortë të depozitave të shprehura në euro gjatë vitit 2018?

Ne patëm një rritje të kreditimit në monedhë vendase, në këtë mënyrë plani për uljen e euros ka filluar të ketë efektin e tij. Ndërsa në lidhje me rritjen e depozitave në euro, një ndikim të madh kanë pasur remitancat. Gjithashtu, një faktor tjetër që shpjegon këtë rritje është edhe ecuria pozitive e ekonomisë.

Euro është zhvlerësuar shumë gjatë dy viteve të fundit. Cilët janë faktorët kryesorë, sipas mendimit tuaj, dhe si e prisni trendin e saj?

Në këtë pikë ka shumë shpjegime, në nivel ndërkombëtar, kemi Brexit, disa ekonomi europiane nuk po shkojnë aq mirë, norma e dollarit është më e lartë. Ndërsa në nivel lokal kemi remitancat. Të gjithë këta faktorë së bashku mund të shpjegojnë pjesërisht dobësinë e euros ndaj lekut. Për në vazhdim, presim që euro të jetë e njëjtë me mesataren e vitit të kaluar.

Kohët e fundit, sistemi bankar ka qenë i përfshirë në procesin e blerjes së bankave, të cilat pritet të reduktohen në 13. Çfarë ndikimi do të ketë procesi i konsolidimit në sistemin bankar?

Konkurrenca është ende e pranishme në nivele edhe më të larta, si dhe me lojtarë të rinj në treg.

Cilat janë sfidat kryesore me të cilat do të përballet sistemi bankar në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme?

Si çdo vit, sfida kryesore është gjetja e biznesit të mirë për të kredituar. Një sfidë tjetër po aq e rëndësishme është edhe dixhitalizimi. Tashmë ky proces ka filluar dhe sistemi bankar kryeson. Është e nevojshme të vazhdojmë të investojmë për t’u ofruar klientëve tanë një shërbim të mirë dixhital, siç ne po bëjmë tashmë. Brezat e rinj do të duhet të vijnë më pak në degë, prandaj ne duhet të përshtasim shërbimin tonë sipas nevojës së tyre.
Brezi i ri kërkon që gjithçka të jetë e shpejtë dhe e lehtë, për këtë arsye ne duhet të investojmë në dixhitalizim, për të lehtësuar jetën e tyre. Ne jemi banka e parë që ofruam kredidhënien online. Gjithashtu banka e parë që ofrojmë shërbimin chatbot.

 

Flet Maltin Korkuti,  Drejtor i Përgjithshëm i Bankës Credins

Credins do të zgjerohet dhe në Kosovë

Rritja e mëtejshme e kredidhënies, në linjë me zhvillimin e sektorëve strategjikë, si turizëm apo bujqësi, dhe mbajtja nën kontroll e një cilësie të mirë të portofolit aktual të kredisë, do të jenë sfidat e mëtejshme të bankave, të cilat do të ndikohen nga shumë faktorë ekonomikë dhe politikë në vend.

Si e vlerësoni ecurinë e bankës suaj në vitin 2018?

Viti 2018 shënoi të tjera arritje dhe rezultate pozitive të qëndrueshme për Credins Bank. Banka forcoi pozicionin e saj në tregun bankar, duke u renditur e dyta në kredidhënie dhe e treta në depozita dhe aktive. Credins Bank zgjeroi gamën e shërbimeve dhe produkteve duke ju shërbyer klientëve anembanë vendit nëpërmjet 59 degëve dhe agjencive.

Portofoli i produkteve u zhvillua dhe u pasurua më tej, duke mbuluar 3600 nevojat financiare të çdo klienti individ, biznes apo institucion. Besueshmëria dhe besnikëria e klientëve u demonstrua në një rritje të kënaqshme prej 11% të depozitave, duke u pozicionuar në 14.25% të totalit të sistemit bankar. Credins Bank vazhdoi të financojë nevojat e bizneseve dhe individëve, klientë ekzistues apo të rinj, duke mbajtur pozicionin e saj si banka e dytë në treg në kredidhënie.

Disa nga arritjet kryesore të Credins Bank për 2018 për t’u theksuar janë:

– Credins Bank afirmoi pozicionin e vet si zgjedhja e parë e klientëve, nëpërmjet një shërbimi mjaft cilësor, profesional dhe efikas ku kujdesi ndaj klientit është prioriteti ynë kryesor. Numri i klientëve u rrit me 10% dhe sot Credins u shërben më shumë se 283,000 klientëve.

– Banka u erdhi më afër klientëve me shumëllojshmëri zgjedhjesh të kartave të debitit dhe kreditit Mastercard dhe VISA në Euro dhe USD, duke plotësuar dhe duke zgjeruar më tej përfitimet e tyre nëpërmjet kartës Mastercard World. Credins Bank pati një rritje prej 21.4% në totalin e kartave të reja, duke rritur ndjeshëm gjithashtu numrin dhe volumin e transaksioneve me karta.

Klientët e Credins Bank përfituan nga ofrimi i shërbimit të pagesave dhe në sportele shtesë të AK Invest dhe Posta Shqiptare, bashkëpunim i cili u konsolidua ndjeshëm gjatë 2018. Dega “Mobile” do të jetë një risi për tregun shqiptar që do nisë shërbimin e vet lëvizës në çdo skaj të vendit në 2019, duke mbështetur klientët agro, duke qenë i pranishëm kudo.

– Banka përmirësoi ndjeshëm infrastrukturën e sistemeve të IT-së. Platforma jonë dixhitale Credins Online erdhi më afër klientëve, më e thjeshtë në përdorim dhe e pasur në funksionalitete për çdo individ që ka një smartphone. Credins Bank finalizoi me sukses marrjen e licencës së Brokerit nga AMF, proces i cili ka dhënë rezultate të kënaqshme gjatë 2018, duke shtuar mundësitë për investime të klientëve në tituj dhe letra me vlerë.

– Credins Bank vazhdon angazhimin, duke mbështetur nisma dhe projekte sociale, duke qenë një nga kontribuuesit kryesorë në fushën e përgjegjësisë sociale në të gjitha aspektet si institucionale, kulturore, infrastrukturore etj., proces i cili ka afirmuar më tej imazhin e bankës sonë si Banka e të gjithë Shqiptarëve.

Cilat janë pritshmëritë për 2019?

Credins Bank do të vazhdojë investimet për rritjen dhe zgjerimin e aktivitetit, duke zgjeruar bazën e klientëve dhe duke financuar biznesin vendas në sektorët strategjikë të zhvillimit të ekonomisë siç është bujqësia. Ne do të shtojmë gamën e shërbimeve dhe produkteve të reja për klientët tanë, si dhe do të lehtësojmë aksesin dhe përdorimin përmes një përvoje unike dhe të kudogjendur dixhitale në smartphone, tablet, internet dhe degët tona. Disa nga planet konkrete në mbështetje të strategjisë janë:

– Credins Bank do të vazhdojë investimet për zgjerimin e shërbimeve dixhitale, duke qenë më pranë klientëve aty ku ndodhen, në çdo kohë e në çdo vend. Projektet ambicioze janë në proces për një Credins Online të gjithëpërdorshëm, duke i dhënë mundësi çdo klienti për të pasur bankën me vete në shtëpi, punë, apo kudo ku ndodhet. Përsosmëria e vazhdueshme e shërbimit dixhital të shpejtë, të sigurt, me përpunim të informacionit me konfidencialitet në kohë reale janë sfidat dhe ambiciet tona për këtë vit.

– Transformimi i plotë i degëve aktuale të bankës drejt një sporteli DIXHITAL, ku klienti finalizon me sukses, shpejt dhe thjesht çdo transaksion bankar, do të jetë gjithashtu realiteti i prekshëm në Credins Bank. Në asnjë moment, klienti nuk do të ndihet vetëm, por do të jetë i asistuar nga stafet e specializuara të bankës. Credins Online do të jetë një përvojë ku çdo klient do të shijojë kënaqësinë e përdorimit të shërbimeve bankare.

– Pas 16 viteve eksperience të suksesshme në tregun shqiptar dhe një pozicionimi lider, Credins Bank ka vendosur të ndërmarrë një tjetër sfidë, duke e shtrirë aktivitetin edhe në Kosovë në 2019-n. Credins Bank zotëron gjithë ekspertizën e nevojshme në burime njerëzore, infrastrukturë, teknologji dhe bashkëpunim me bizneset, individët dhe institucionet, çka na bën konfidentë në suksesin e zgjerimit në rajon. Klientët shqiptarë të Credins Bank, që operojnë në Kosovë dhe anasjelltas, do të kenë mjaft përfitime në kohë, kosto dhe marrëdhënie të personalizuara me stafin.

– Banka është në pritje të marrë licencën nga AMF për Depozitarin, projekt i cili do të kontribuojë dhe më shumë në rezultatet e bankës për 2019.

– Credins Bank do të vlerësojë çdo klient besnik të bankës, duke u ofruar përfitime shtesë përmes skemës së besueshmërisë, që pritet të finalizohet gjatë 2019-s, që është një tjetër investim i konsiderueshëm në teknologjinë e informacionit.

Një vit më parë, Banka e Shqipërisë prezantoi një plan për të ulur nivelin e euroizimit në vend. Sa efektive e vlerësoni këtë plan? Si e shpjegoni që depozitat në euro u rritën ndjeshëm në vitin 2018?

Paketa e masave që ka ndërmarrë Banka e Shqipërisë ka shërbyer për të frenuar procesin e euroizimit, gjithsesi, nuk kanë pasur efekt të menjëhershëm dhe dhënia e një vlerësimi ndoshta është i parakohshëm dhe pritet për t’u riparë në vazhdimësi.

Përdorimi i Euros në vend mbetet ende i lartë dhe kërkohet një ndërveprim më aktiv i gjithë sistemit ekonomik dhe financiar, për të rritur përdorimin e monedhës vendase në ekonomi, edukim i vazhdueshëm i klientëve për rreziqet nga kurset e këmbimit nëpërmjet një procesi transparent informimi, ulje e informalitetit etj. Rritja e depozitave në Euro u ndikua dhe nga fluksi i madh i turistëve që hynë gjatë 2018, gjithsesi, totali i depozitave në valutë, përkundrejt totalit të depozitave, mbetet në linjë me trendin historik (53%).

– Credins Bank ka ndjekur këtë plan masash duke ulur gradualisht normat e interesit të depozitave në EUR, duke balancuar tërheqjen e fondeve në monedha specifike dhe dhënien e huasë në këto monedha, si dhe duke këshilluar klientët për të shmangur riskun e kursit të këmbimit, duke marrë financime në të njëjtën monedhë me të ardhurat e tyre, nëpërmjet një procesi të vazhdueshëm dhe transparent informues. Masat dhe politikat e ndërmarra reflektojnë një nivel më të ulët të këtij ekspozimi për Credins Bank, përkundrejt sistemit bankar vendas.

EUR është zhvlerësuar ndjeshëm në dy vitet e fundit. Cilat janë arsyet kryesore sipas jush dhe si pritet ecuria?

Masat e ndërmarra kanë çuar gradualisht në ulje të interesit të depozitave në Euro dhe rritje të kursimeve në lekë (duke e forcuar lekun) për t’u investuar në depozita apo letra me vlerë të qeverisë. Zhvlerësimi i Euros gjatë 2018 reflekton disa zhvillime specifike të situatës në vend, siç është konvertimi i kapitalit të disa bankave apo disbursimi dhe konvertimi i një kredie të madhe të BERZH-it etj. Këta faktorë ndikuan në një zhbalancim të kërkesës dhe ofertës për valutë në vend. Parashikimet janë për një stabilitet aktual të kursit.

Sistemi bankar është përfshirë vitin e fundit në një valë shitjesh e blerjesh dhe numri i bankave ka zbritur në 13. Si pritet të ndikojë procesi i konsolidimit në sistemin bankar?

Konsolidimi i bankave është një proces që po ndodh, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në rajon. Ky proces ishte i pritshëm, për shkak të numrit të lartë të bankave që operonin në një vend me ekonomi modeste. Konsolidimi i bankave do të rrisë më shumë konkurrencën për një shërbim më cilësor dhe mund të shtyjë drejt specializimit të bankave në shërbime specifike për grupe të caktuar klientësh, ose linja të caktuara produktesh.

Cilat janë sfidat me të cilat do të përballet sistemi bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?

Sfidat me të cilat do të përballen bankat do të jetë transformimi i vazhdueshëm nga një banking tradicional në një banking dixhital në linje me trendin global të evolucionit teknologjik dhe sjelljes së konsumatorit, i cili duhet të shoqërohet me ndryshime të rëndësishme të kuadrit legjislativ dhe rregullator. Investimet në teknologji pritet të jenë të konsiderueshme në periudhat afatshkurtër / afatmesme, ndërkohë, kthimi nga ky investim do të jetë më afatgjatë.

– Rritja e konkurrencës midis bankave për shërbime dhe produkte të reja do të nxisin bankat për t’u paraprirë zhvillimeve në treg, duke kërkuar më shumë partnerë dhe forma të reja për bashkëpunime dhe produkte atraktive dhe duke shtuar kanalet online të shitjes.

– Rritja e mëtejshme e kredidhënies në linjë me zhvillimin e sektorëve strategjikë si turizëm apo bujqësi dhe mbajtja nën kontroll e një cilësie të mirë të portofolit aktual të kredisë, do të jenë sfidat e mëtejshme të bankave, të cilat do të ndikohen nga shumë faktorë ekonomikë e politikë në vend.

 

Flet Z. Silvio Pedrazzi, CEO i Intesa Sanpaolo Bank Albania

2019-a do të jetë shumë sfiduese

2019-a do të jetë, sipas opinionit tim, një vit shumë sfidues, pasi mjedisi makroekonomik ka ndryshuar dhe këtu nuk flas vetëm për Shqipërinë, por për gjithë Europën. Nuk mund të presim që ekonomia të rritet më shumë sesa vitin e kaluar, madje mund të presim edhe ndonjë ngadalësim. Në këtë këndvështrim, një ngadalësim i mundshëm i ekonomisë, i kombinuar me norma më të ulëta interesi për sistemin bankar nuk është një faktor pozitiv.

Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës suaj në vitin 2018?

Ecuria e sistemit bankar ishte pozitive, e mbështetur gjithashtu nga faktorët makroekonomikë. Shumë banka kishin rezultate të kënaqshme, sa u përket të ardhurave, tendenca e kredive me probleme ishte shumë pozitive dhe ka pasur një rënie domethënëse. Të mos harrojmë, që për sistemin bankar niveli i provigjioneve mund të bëjë diferencën. Gjatë dy-tre viteve të fundit, ne kemi konstatuar një ndikim shumë më të vogël të provigjioneve të kredive, çka ka kontribuar në një rezultat neto më të lartë.

Lidhur me Intesa Sanpaolo, ne jemi shumë të kënaqur me rezultatet, edhe pse si rrjedhojë e rezultateve të jashtëzakonshme, fitimi ynë neto u ndikua nga shkrirja me Veneto Bank. Ky ishte absolutisht një rezultat i jashtëzakonshëm. Duke parë tendencën, ne kemi arsye të besojmë se ecuria do të jetë pozitive këtë vit dhe kjo është konfirmuar nga ecuria e tre muajve të parë.

Cilat janë pritshmëritë për sistemin bankar dhe bankën tuaj për vitin 2019?

2019-a do të jetë, sipas opinionit tim, një vit shumë sfidues, pasi mjedisi makroekonomik ka ndryshuar dhe këtu nuk flas vetëm për Shqipërinë, por për gjithë Europën. Ne pamë në dy muajt e fundit të vitit të kaluar që ndryshuan shumë parashikime në lidhje me ecurinë e ekonomisë nëpër Europë. Ky shqetësim për ngadalësim në ekonomi do të ketë, si pasojë, masa shtesë nga rregullatorët, veçanërisht bankave do t’u duhet të mbijetojnë me norma interesi edhe më të ulëta, në krahasim me vitet e mëparshme dhe ndoshta do të ketë dhe ngadalësim të mëtejshëm të prodhimit industrial.

Nëse i përkthejmë këto efekte në ekonominë shqiptare, duke pasur parasysh edhe ndërveprimin e fortë të Shqipërisë me vendet e Europës, duhet të kemi një përqasje të kujdesshme. Nuk mund të presim që ekonomia të rritet më shumë sesa vitin e kaluar, madje mund të presim edhe ndonjë ngadalësim. Në këtë këndvështrim, një ngadalësim i mundshëm i ekonomisë, i kombinuar me norma më të ulëta interesi për sistemin bankar nuk është një faktor pozitiv.
Megjithatë, mendoj se cilësia e kredisë në 2019-n do të jetë e qëndrueshme dhe nuk do të përkeqësohet.

Pres që të jetë një vit shumë i vështirë për sa u përket të ardhurave, por sërish do të kemi një mjedis të pranueshëm makroekonomik. Të shpresojmë që vendimet e marra jashtë Shqipërisë, p.sh., në lidhje me luftën tregtare mes Kinës e SHBA-së dhe shumë faktorë të tjerë ndërkombëtarë, që nuk janë në dorën tonë, nuk do të ndikojnë në përkeqësimin e ekonomisë. Për ta përmbledhur, nuk do të jetë një vit i lehtë për sistemin bankar, por ende pozitiv.
Sa i përket Intesa Sanpaolo, rezultatet e tremujorit të parë janë shumë të mira dhe kemi besim se do të vazhdojnë të tilla.

Një vit më parë, Banka e Shqipërisë prezantoi një plan për të ulur nivelin e euroizimit në vend. Sa efektiv e vlerësoni këtë plan? Si e shpjegoni që depozitat në euro u rritën ndjeshëm në vitin 2018?

Banka e Shqipërisë i përdori të gjitha mekanizmat e saj që të kontribuonte në nivelin e deeuroizimit. Por, në opinionin tonë dhe të Shoqatës së Bankave, e kemi theksuar disa herë se, në rast se duam të arrijmë një reduktim efektiv të nivelit të euros, që është shumë e nevojshme për Shqipërinë, duhen ndërmarrë veprime të tjera, të cilat nuk janë në juridiksionin e Bankës së Shqipërisë. E kam fjalën për veprime që do ta bëjnë më të favorshme, apo të detyrueshme, që pagesat brenda vendit të bëhen në monedhën vendase. Kjo kërkon një grup masash të tjera, që nuk janë në juridiksionin e Bankës së Shqipërisë.

Sa i përket rritjes së depozitave, nga pikëpamja jonë, depozitat më të larta në euro kanë ardhur nga sektori i korporatave, jo i individëve. Kjo justifikohet nga fakti se niveli i eksporteve është rritur në mënyrë domethënëse, fluksi i eurove nga turizmi ka qenë i lartë dhe prurjet e emigrantëve janë të larta. Pra fluksi i hyrjes së eurove në vend është rritur. Ky është shpjegimi nga pikëpamja jonë.

Në rastin tonë, ne ndërmorëm masa në mënyrë që t’i bënim depozitat në lekë më të favorshme për klientët tanë dhe arritëm rezultate shumë të mira, sepse rritja e depozitave tona në monedhën vendase ishte e dukshme.

Euro është zhvlerësuar ndjeshëm dy vitet e fundit. Cilat janë arsyet kryesore sipas jush dhe si pritet ecuria?

Vlerësimi i lekut kundrejt euros ka qenë në një tendencë të qëndrueshme gjatë pesë viteve të kaluara. Ka shumë faktorë që kanë ndikuar në këtë rritje të ndjeshme. Ka pasur rritje të eksporteve dhe turizmit. Gjatë vitit të kaluar, ka pasur rritje domethënëse të eksporteve të energjisë. Pra nuk ka asnjë diskutim që fluksi hyrës i parave është rritur, i konfirmuar nga përmirësimi i deficitit tregtar, pra kjo ishte e pritshme.

Për më tepër, gjatë vitit të kaluar, kishte disa transaksione financiare të jashtëzakonshme, që kanë dhënë një kontribut shtesë në këtë zhvlerësim. Për shembull, emetimi i eurobondit nga qeveria në muajt e fundit të 2018-s, huaja e dhënë nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare, si dhe fakti që disa banka vendosën që kapitalin që kishin në euro ta konvertonin në lekë.

Për ta përmbledhur, deficiti më i ulët tregtar, i kombinuar me transaksionet e jashtëzakonshme financiare kontribuoi në krijimin e një kërkese më të ulët për euron, që e dha efektin në zhvlerësimin e saj.
Parashikimi ynë është që leku do të qëndrojë në nivelet aktuale, por le të presim të shohim se çfarë do të ndodhë dhe në mjedisin ndërkombëtar.

Sistemi bankar është përfshirë vitin e fundit në një valë shitjesh e blerjesh. Si pritet të ndikojë procesi i konsolidimit në sistemin bankar?

Më në fund, procesi i konsolidimit filloi. E përmendëm më parë se të ardhurat e bankave nuk po rriten në mënyrë të mjaftueshme, janë rritur kostot rregullatore, të menaxhimit të riskut, si dhe nuk duhet të harrojmë revolucionin dixhital që kërkon investime të mëdha.

Të gjithë këto elemente e bëjnë më të vështirë për bankat që kanë një pjesë të vogël tregu të mbështesin aktivitetin e tyre. Ne e dimë të gjithë që sistemi bankar në Shqipëri është i qëndrueshëm, likuid dhe me përfitueshmëri të lartë, si një i tërë. Por nëse i shohim të dhënat bankë pas banke, ka shumë diferenca. Nuk ka asnjë dyshim, që procesi i konsolidimit, i shumëpritur, filloi. Për mendimin tim, ai nuk ka mbaruar, mund të shohim ndryshime të tjera gjatë viteve në vijim.

Në tërësi e konsideroj një fenomen të mirë, si për sistemin bankar, gjithashtu edhe për vendin, sepse do të ketë një numër më të vogël bankash, por sistemi do të jetë më i fortë dhe në gjendje të konkurrojë. Kjo do të thotë gjithashtu që, sa i përket konkurrencës, si individët ashtu dhe bizneset, do të përfitojnë dhe të gjitha bankat do të detyrohen që të rrisin eficiencën. Pra, ky është fenomen shumë pozitiv dhe një situatë fitore-fitore.

Cilat janë sfidat me të cilat do të përballet sistemi bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?

E fillojmë me sfidën që na pret në afatin e shkurtër. Siç e përmenda dhe më parë duhet të merremi me nivelin tepër të ulët të normave të interesit, që gjenerojnë potencialisht më pak të ardhura, në mungesë të një tregu më të zhvilluar financiar, krahasuar me shtetet e tjera të Europës, ku bankat janë mjaft aktive, si p.sh. fondet e menaxhimit të aktiveve. Në këtë mënyrë ne nuk kemi burim tjetër të ardhurash, që janë tipike në vendet e tjera fqinjë. Kjo do të jetë sfida kryesore këtë vit.

Në afatin e mesëm, – shpresojmë që të mos jetë ky skenari, – por në rast se ekonomia globale do të ngadalësohet, ka një rrezik të përkeqësimit të mundshëm të cilësisë së kreditit të portofolit të huasë. Të shpresojmë që kjo të mos ndodhë.

Në afatin e mesëm dhe të gjatë, pa asnjë dyshim, sfida kryesore është revolucioni dixhital. Për këtë duhen investime të mëdha, që kanë një cikël jete më të shkurtër sesa më parë dhe kërkon që sistemi bankar të ketë përfitueshmëri.
Por, kjo është diçka që nuk po ndodh vetëm në Shqipëri, por kudo. Mund të shihni se dhe në nivel europian ka shumë bisedime për shkrirje bankash, ndonëse deri tani, asnjë prej tyre nuk është finalizuar. Në këtë linjë, ndoshta dhe në tregun shqiptar, do të shohim konsolidime të mëtejshme.

Nuk ka asnjë diskutim që niveli i investimeve, i sofistikimit të aktivitetit bankar, i kombinuar me rregullat e reja që do të përshtaten nga rregullatorët, do të kërkojnë një masë të madhe kritike për të gjitha bankat. Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm për ndryshimet që po ndodhin dhe të jemi proaktivë dhe jo pasivë përballë këtyre ndryshimeve, që siç thashë dhe më parë, po ndodhin për të gjitha bankat, kudo në Europë dhe në botë. Për ta përmbledhur, do të thosha që madhësia e bankave, ka rëndësi shumë më tepër se në të kaluarën.

 

Flet Z. Bledar Shella – CEO i OTP Bank Albania (ish Societe Generale)

Do të jemi shumë aktivë në kredidhënie

Ne do të jemi shumë aktiv duke rritur kredidhënien, si për individët ashtu dhe për bizneset. Do të hapim degë të reja dhe do të investojmë në produkte të reja.

Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës tuaj në vitin 2018?

Vitin 2018 e vlerësoj si vit pozitiv për sistemin bankar. Pati një rritje, ndonëse të moderuar, të aktivitetit në tërësi dhe të kredidhënies. Shifrat e kredidhënies të publikuara, për shkak të efektit të kursit të këmbimit dhe fshirjes së kredive me probleme, nuk tregojnë pamjen e vërtetë, në të cilën kishim një rritje modeste të kredisë dhe jo rënie të saj. Raporti i kredive me probleme ra ndjeshëm, si dhe përfitueshmëria e bankave është e kënaqshme. Gjithashtu treguesit e mjaftueshmerisë së kapitalit dhe likuiditetit janë në nivele të larta, çka tregon për një situatë solide të sistemit bankar. Banka jonë, megjithëse në procesin e ndryshimit të pronësisë, pati një vit mjaft të suksesshëm.
Banka pati një rritje të kënaqshme të kredidhënies, duke rritur peshën e tregut dhe u konsoliduar si banka e katërt më e madhe në vend përsa i përket nivelit të kredise; rritje të numrit të klientëve, si dhe një cilësi shumë të mirë të portofolit të kredive.

Cilat janë pritshmëritë për sistemin bankar dhe bankën tuaj për vitin 2019?

Pritshmëritë për sistemin bankar në 2019 janë pozitive. Mendoj se do të ketë një përmirësim të mëtejshëm në krahasim me vitin 2018. Rritja ekonomike është e kënaqshme në rreth 4%, kreditë me probleme kanë rënë dhe likuiditeti dhe mjaftueshmëria e kapitalit është e lartë. Të gjitha këto krijojnë kushtet e përshtatshme për një rritje të aktivitetit bankar.

Për sa i përket Bankës OTP Albania, pritshmëritë tona për vitin 2019, të konfirmuara dhe me rezultatet e tremujorit të parë, janë mjaft pozitive. Ne do të jemi shumë aktiv duke rritur kredidhënien, si për individët ashtu dhe për bizneset. Do të hapim degë të reja dhe do të investojmë në produkte të reja. Cilësia e portofolit të kredive është shumë e mirë. Unë dhe stafi kemi shumë besim që do të jetë një vit shumë pozitiv për Banka OTP Albania.

Një vit më parë, Banka e Shqiperisë prezantoi një plan për të ulur nivelin e euroizimit në vend. Sa efektiv e vlerësoni këtë plan? Si e shpjegoni që depozitat në euro u rritën ndjeshëm në vitin 2018?

Plani i masave të marra nga Banka e Shqipërisë ishte i duhuri dhe i mirëpritur. Efekti i tij, mendoj se ka qenë i moderuar deri tani, pasi duhet të dimë që nuk është e lehtë të ndryshosh një fenomen si euroizimi, i cili është deri diku strukturor në Shqipëri dhe do të duhet kohë që të kemi efekte të mirëfillta. Mendoj se depozitat në euro u rritën pasi individët dhe bizneset, në momentin kur gjatë vitit 2018 kursi i këmbimit kundrejt euros, si dhe normat e depozitave në lekë ranë ndjeshëm, nuk kishin incentivë për këmbimin nga euro në lekë dhe preferuan t’i mbajnë ato në euro.

Euro është zhvlerësuar ndjeshëm dy vitet e fundit. Cilat janë arsyet kryesore sipas jush dhe si pritet ecuria?

Arsyet e zhvlerësimit të Euros janë disa, si rënia e deficitit tregtar, rritja e remitancave, rritja e të ardhurave nga turizmi, faktori psikologjik, etj. Mendoj se tashmë kursi i këmbimit Euro/Lek ka gjetur një nivel të ri ekuilibri dhe pres të luhatet në nivelet aktuale në periudhën në vazhdim. Ndërkohë në afatmesëm, po të kemi në konsideratë përafrimin e Shqipërisë me BE-në dhe rritjen e mundshme të investimeve të huaja, si dhe rritjen e pritshme të të ardhurave nga turizmi, presioni është më shumë për një dobësim të Euros, se sa për një rritje të saj.

Sistemi bankar është përfshirë vitin e fundit në një valë shitjesh e blerjesh. Si pritet të ndikojë procesi i konsolidimit në sistemin bankar?

Procesi i konsolidimit është mjaft pozitiv për sistemin bankar shqiptar. Numri i bankave ishte i lartë për një vend si Shqipëria dhe mendoj se ka ende vend për konsolidim. Konsolidimi do të bëjë të mundur që bankat të kenë madhësinë e duhur për të qenë më efiçente, për të kryer investimet e duhura, si dhe për të investuar më shumë për stafin. Kjo do të sjellë më pas dhe rritjen e cilësisë së shërbimit, si dhe produkte e çmime më të mira për klientët.

Cilat janë sfidat me të cilat do të përballet sistemi bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?

Sfida kryesore me të cilën përballet sistemi bankar, është pasiguria politike, e cila në vetvete frenon investimet dhe ul gatishmërinë për konsum nga ana e individëve dhe bizneseve.
Një faktor tjetër është informaliteti, i cili mbetet ende i lartë, si dhe mungesa e zbatimit të ligjit dhe ekzekutimit të kolateraleve.

Flet Drejtori i Përgjithshëm i Alpha Bank, z. Georgios Papanastasiou

Nga konsolidimi bankar do të përfitojnë klientët

Gjatë këtij viti do të vazhdojë konsolidimi i mëtejshëm i sistemit bankar dhe këto ndryshime do të shoqërohen me rritje të konkurrencës në tregje dhe ata që do të përfitojnë, në fund të fundit nga kjo, do të jenë klientët, duke qenë se do t’u ofrohen zgjidhje më novatore nga bankat, si dhe kushte dhe afate më të mira për produktet e shërbimet bankare.

Si e vlerësoni performancën e sistemit bankar dhe bankës suaj gjatë vitit 2018 dhe cilat janë pritshmëritë për 2019-n?

Viti 2018 për Alpha Bank Albania ishte një vit shumë rezultativ. Treguesit kryesorë të veprimtarisë ekonomike dhe financiare u përmirësuan me rritje të pjesës së tregut të huasë në 6,33% nga 5,61% në vitin 2017. Gjithashtu, profili i riskut të bankës u përmirësua; raporti i kredive me probleme u ul në 8,46% nga 9,79% në vitin 2017.

Banka është tepër likuide dhe e mirëkapitalizuar me një raport mjaftueshmërie 15.82%, më i lartë se minimumi i kërkuar. Gjithashtu, edhe sistemi bankar në tërësi pati një përparim të mirë duke ofruar veprimtari bankare mbështetëse për ekonominë dhe qëndrueshmëri financiare për vendin. Konsolidimi i sistemit bankar dhe transferimi i pronësisë së disa bankave ndihmoi pozitivisht për një ndërmjetësim financiar më të frytshëm, të nevojshëm për ekonominë e vendit.

Kam besim që viti 2019 do të jetë përsëri pozitiv për sistemin bankar. E them këtë, duke pasur parasysh përmirësimin e dukshëm të kredive me probleme, një tregues shumë i rëndësishëm ky që na rrit besimin për aftësinë shlyerëse të huamarrësve, si dhe mundësinë e bankave për më tepër kreditim, duke qenë se janë të mirëkapitalizuara dhe me tepricë likuiditeti. Të dy këta faktorë më bëjnë të mendoj që do të ketë një rritje të kreditimit, por edhe duke u kujdesur sigurisht që kredidhënia të jetë brenda kritereve të përcaktuara.

Gjithashtu, gjatë këtij viti, do të vazhdojë konsolidimi i mëtejshëm i sistemit bankar dhe këto ndryshime do të shoqërohen me një rritje të konkurrencës në tregje dhe ata që do të përfitojnë në fund të fundit nga kjo do të jenë klientët, duke qenë se do t’u ofrohen zgjidhje më novatore nga bankat, si dhe kushte dhe afate më të mira për produktet e shërbimet bankare.

Objektivat tona për vitin 2019 janë shumë të qarta; do të vazhdojmë të kemi rritje të shëndetshme, do të optimizojmë kostot tona, do të ulim nivelin e kredive me probleme dhe do të përmirësojmë cilësinë dhe standardin e shërbimeve që u ofrojmë klientëve tanë.

Në veprimtarinë tonë të përditshme bankare, gjatë këtyre 21 viteve që operojmë në Shqipëri, kemi vërtetuar që jemi një bankë e orientuar ndaj klientit. Përvoja e klientit e fituar gjatë rrugëtimit të tij si klient është dhe do të jetë në qendër të vëmendjes sonë, duke e pasuruar edhe më tej atë, me ofrimin e produkteve e shërbimeve të leverdishme dhe transparente për individët dhe shoqëritë tregtare nëpërmjet kanaleve tona të shërbimit. Do të jemi aty ku ata janë me asistencë profesionale dhe zgjidhje bankare të personalizuara.

Duke pasur në fokus pikërisht klientin në këtë fillim viti, ne kemi përmirësuar produktet tona të kredive për individët, si dhe kemi krijuar produkte të reja, të cilat bazohen mbi kërkesat e klientëve tanë dhe jam i sigurt që do të mirëpriten prej tyre dhe do të rrisin kërkesën për kredi. Një lajm tjetër i mirë për klientët tanë është se banka është përpjekur dhe ka gjetur rrugë e mënyra për të bërë më konstruktiv dhe më atraktiv procesin e kredidhënies për bizneset e reja dhe për ndërmarrjet e vogla e të mesme.

Për të përmirësuar më tej shërbimin ndaj klientit, kemi hedhur në treg në muajin janar, Alpha Bot, i cili është një asistent virtual i ndërtuar për t’u shërbyer klientëve 24 orë në 7 ditë të javës, me produktet dhe shërbimet tona. Gjithashtu, jemi duke përfunduar platformën tonë të re dixhitale, e cila do të mund të përdoret nga klientët tanë kudo dhe kurdo që ata e kanë të nevojshme.

Një vit më parë, Banka e Shqipërisë prezantoi planin për të ulur nivelin e euroizimit në vend. Sa efektiv e vlerësoni këtë plan? Si e shpjegoni faktin që depozitat në euro u rritën ndjeshëm në vitin 2018?

Përgjigjja ime vitin e kaluar për procesin e deeuroizimit ishte që është një proces i cili kërkon kohë për të dhënë rezultat. Një vit nuk është i mjaftueshëm për të parë efektet reale të këtij procesi. Gjithsesi, ajo që dua të them është që ne kemi përkrahur dhe vijojmë të përkrahim nisma të tilla të Bankës së Shqipërisë, të cilat për mendimin tim, ndihmojnë në zhvillimin e vendit dhe në qëndrueshmërinë financiare afatgjatë të tij. Shtesa e depozitave në euro është një fenomen që vjen për disa arsye, ku më kryesore është ajo e dërgesave (remitancave) dhe e lëvizjes së lirë të kapitalit.

Cilat janë sfidat me të cilat pritet të përballet sistemi bankar në terma afatmesëm dhe afatgjatë?

Zhvillimi i sistemit bankar shkon paralelisht me zhvillimet makroekonomike dhe përparimi i ekonomisë shqiptare në 2018 ishte pozitiv dhe të gjitha gjasat janë të vazhdojë të njëjtën prirje. Sistemi bankar është stabilizuar dhe një nga sfidat ngelet kreditimi i shëndetshëm, i bazuar mbi mundësitë për shlyerjen e kredisë në vitet në vijim. Gjithashtu, do të doja të përmendja revolucionin dixhital, i cili është tashmë një realitet dhe shumë shpejt do të na duhet të dimë të zbatojmë modelin e ri të veprimtarisë bankare të hapur (open banking). Është një hap jo i thjeshtë, por kompleks e me kosto të lartë, por ne si Alpha Bank Albania jemi të gatshëm ta ndërmarrim.

Flet Andi Ballta, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i ABI Bank

Blemë dy banka me humbje dhe i kthyem në fitimprurëse

Sistemi bankar shënoi rritje pavarësisht konsolidimit, pastrimit të kredive të këqija, si dhe zhvlerësimit të Euros në krahasim me Lekun. Është mungesë informacioni të pretendohen pritshmëri shumë të larta rritjeje nga sistemi bankar, në një kohë kur një pjesë e konsiderueshme e aktorëve të këtij sistemi ka pasur në plan daljen nga tregu.

Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës tuaj në vitin 2018?

Në vitin 2018, ABI Bank shënoi rritjen më të lartë në sistemin bankar pas bashkimit me NBG. ABI raportoi dhe rritje organike shumë pozitive, që bie më pak në sy, për shkak të pastrimit rekord të kredive të këqija në nivelin e 4%, si dhe transformimit të klientelës të mbartur nga banka e blerë në vitin 2015 me klientë që përputhen më shumë me kulturën e kredisë të ABI Bank. Jemi shumë krenarë, për faktin që në një periudhë të shkurtër kohore kemi blerë dy banka me humbje dhe i kemi kthyer në banka fitimprurëse. Ky fakt dëshmon për rolin pozitiv që një investitor i huaj me përvojë ka në sistemin bankar.

Ne jemi shumë të kënaqur me ecurinë e sistemit bankar në Shqipëri në 2018-n. Sistemi bankar shënoi rritje, pavarësisht konsolidimit, pastrimit të kredive të këqija, si dhe zhvlerësimit të Euros në krahasim me Lekun. Është mungesë informacioni të pretendohen pritshmëri shumë të larta rritjeje nga sistemi bankar, në një kohë kur një pjesë e konsiderueshme e aktorëve të këtij sistemi ka pasur në plan daljen nga tregu.

Cilat janë pritshmëritë për sistemin bankar dhe bankën tuaj për vitin 2019?

Ne do të vazhdojmë të pastrojmë bilancin e ish-Banka NBG Albania, do të rritemi organikisht dhe do të jemi të hapur për mundësi të tjera rritjeje akuizitive, që vijnë si vazhdim i procesit të konsolidimit të sistemit bankar. Prezenca e Tranzit në treg dhe marrëdhënia e Tranzit me ABI Bank është shumë domethënëse, pasi ndihmon shumë në planin e biznesit tonë.

Një vit më parë, Banka e Shqipërisë prezantoi një plan për të ulur nivelin e euroizimit në vend. Sa efektiv e vlerësoni këtë plan? Si e shpjegoni që depozitat në Euro u rritën ndjeshëm në vitin 2018?

Mendojmë që ky plan është një hap në drejtimin e duhur dhe synon mundësimin e ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë në sistem, në një masë më të konsiderueshme. Depozitat në Euro do të vazhdojnë të rriten përderisa normat e interesit në Shqipëri janë dukshëm më të larta se ato në Itali dhe Greqi, për më shumë, kur ekonomitë e këtyre dy vendeve nuk japin gjasa përmirësimi dhe bankat në të dyja vendet vazhdojnë të raportojnë përqindje shumë të lartë kredish të këqija.

Dua të theksoj, se nuk e shikoj si një fenomen negativ mbi likuiditetin e sistemit bankar në Shqipëri. Përkundrazi, kostoja e këtij mbi likuiditetin është e papërfillshme në kontekstin e rëndësisë së këtij likuiditeti për sistemin bankar shqiptar.

Euro është zhvlerësuar ndjeshëm dy vitet e fundit. Cilat janë arsyet kryesore sipas jush dhe si pritet ecuria?

Turizmi është një faktor shumë i nënvlerësuar për mendimin tim. Raporte të ndryshme theksojnë se gjatë vitit 2018 erdhën midis 5 – 7 milionë turistë. Ky bum turizmi nuk është vetëm në Shqipëri, por dhe në Greqi, Mal të Zi dhe Kroaci. Përpara se të krijonim ABI, biznesi im ishte turizmi në Ballkanin Perëndimor dhe bashkë me partnerët tanë e njohim mirë potencialin e turizmit në ekonominë e një vendi të vogël. Mendoj se ndikimi i turizmit në Shqipëri sapo ka filluar të ndihet.

Është hera e parë në historinë e Shqipërisë që turizmi po fillon të bëhet i ndjeshëm, pavarësisht nga nënraportimi i të ardhurave reale që ky sektor sjell në ekonomi. Është një mur tjetër likuiditeti i paprecedentë dhe një e mirë me të cilën nuk jemi mësuar ende. Në qoftë se Mesdheu Jugor dhe Lindor vazhdon të ketë tensione sociale nga Pranvera Arabe, likuiditeti i Euros do të shtohet.

Ne vazhdojmë të jemi ‘long’ në Lek dhe nuk shohim asnjë arsye për të ndryshuar këtë pozicion. Turizmi në vende të vogla si Shqipëria ndikohet vetëm nga tensione sociale. Në qoftë se nuk do të ketë tensione sociale, ekonomia dhe leku do të vazhdojnë të forcohen.

Sistemi bankar është përfshirë vitin e fundit në një valë shitjesh e blerjesh dhe numri i bankave ka zbritur në 13. Si pritet të ndikojë procesi i konsolidimit në sistemin bankar?

ABI ka qenë në pararojë të këtij konsolidimi dhe është një biznes që ne e njohim dhe e parashikonim. Është fakt, që intensiteti i konsolidimit ishte më i lartë se parashikimet tona, por përvoja e investitorëve të ABI ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë e rëndësishme. Interesi në shitje është sistemik dhe nuk ka mbaruar. Rezultatet e transformimit janë gjë tjetër, pasi do të shihen rast pas rasti në 2-3 vitet e ardhshme. Transformimi është biznes tjetër nga bankimi dhe balancimi i të dyjave në të njëjtën kohë është sfidë me vete. Kultura e blerësit dhe shitësit ndikojnë shumë dhe mendoj që do të ketë fitues dhe humbës nga ky proces.

Cilat janë sfidat me të cilat do të përballet sistemi bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?

Përfundimi i suksesshëm dhe rënia dakord për Reformën në Drejtësi është shumë i rëndësishëm. Kjo sfidë do të vazhdojë të jetë domethënëse në vitet në vazhdim.
Një tjetër sfidë e rëndësishme afatmesme është menaxhimi sa më i qetë i zëvendësimit të aktorëve ekzistues të sistemit bankar, sidomos kur ky zëvendësim përfshin pronësi lokale. Është një trend fare normal rajonal dhe botëror, ku përfshihen pronarët vendas ekzistues dhe perspektivë, ente rregullatore, media dhe politika. Është e rëndësishme që të gjithë aktorët lokalë të jenë vigjilentë, por gjithashtu në mirëbesim ndaj kësaj dinamike.

Flet Dritan Mustafa, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv, Tirana Bank

Tirana Bank do të ruajë identitetin e saj

Banka do të mbajë të njëjtin emër, për të ruajtur identitetin e saj, si një institucion financiar lokal i rëndësishëm gjatë dy dekadave të fundit, si dhe lidhjet me bazën tradicionale dhe të qëndrueshme të klientëve mjaft të nderuar të Bankës. Aksionerët e rinj kanë parashtruar qartësisht vizionin e tyre për zgjerimin e aktivitetit të Bankës, si një aktor i rëndësishëm i sektorit bankar shqiptar, në drejtim të mbështetjes dhe të zhvillimit të ekonomisë lokale.

Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës suaj në vitin 2018?

Ecuria e sistemit bankar në përgjithësi dhe e Tirana Bank në veçanti, kanë qenë në përputhje me zhvillimet dhe ecurinë e ekonomisë lokale.
Rritja pozitive e Prodhimit Kombëtar Bruto (3–4% gjatë 2018) dhe një inflacion në nivele relativisht të ulëta (rreth 2%) përbëjnë një terren të përshtatshëm ekonomik për një performancë të qëndrueshme të sistemit bankar, referuar treguesve kryesorë komercialë dhe financiarë (likuiditeti dhe investimet).

Sektori bankar ka karakteristika të qëndrueshme zhvillimi. Konkretisht, totali i aseteve (pothuaj i barabartë me volumin vjetor të Prodhimit Kombëtar të Brendshëm) tregon rëndësinë sistemike të sektorit financiar në Shqipëri, por edhe më të rregulluar referuar kuadrit ligjor dhe rregullativ përkatës. Sistemi bankar mbetet mjaft likuid, me një volum depozitash rreth 9.5 miliardë euro.

Gjithsesi, norma vjetore e rritjes është relativisht më e ulët krahasuar me vitet e kaluara, që tregon tendencë për ulje të kursimeve dhe rritje të investimeve të klientëve. Kredidhënia e re ka vijuar me ritme pozitive, pavarësisht se portofoli i kredisë (afërsisht 4.7 miliardë euro) raportohet me ulje krahasuar me një vit më parë, referuar kryesisht fshirjes së kredive me probleme që kanë kryer bankat në drejtim të reduktimit të portofolit problematik.

Bankat lokale vijojnë të zbatojnë me kujdes hapa në drejtim të optimizimit të prezencës dhe rimodelimit të aktivitetit, në përputhje me tendencat në industrinë financiare globale, kryesisht në drejtim të një numri më të vogël degësh dhe rritje graduale të kanaleve alternative.
Zhvillimi më i rëndësishëm gjatë vitit 2018 është sigurisht tendenca e konsolidimit të sistemit bankar dhe ndryshimet në pronësinë e disa bankave, dhe si rrjedhojë uljen e numrit të bankave në treg, si dhe futjen e aktorëve të rinj në sektorin financiar.

Gjatë vitit 2018, Tirana Bank i nënshtrua me sukses një procesi vlerësimi, me objektiv për të identifikuar investitorë potencialë dhe ndryshim të strukturës aksionere, në kuadër të strategjisë për dalje nga tregu lokal (sikurse edhe rajonal) i investitorit tradicional Piraeus Bank.

Pavarësisht këtij procesi masiv dhe angazhimeve të veçanta në këtë drejtim, Banka ka operuar normalisht në përputhje me objektivat strategjikë, në drejtim të ruajtjes së stabilitetit në marrëdhëniet me klientët, rindërtimit të portofolit standard nëpërmjet një aktiviteti kredidhënieje të shëndoshë, sikurse edhe reduktimit substancial të aseteve financiare problematike. Banka vijon të ruajë një pozicion të fortë të kapitalit dhe të likuiditetit, duke qenë një nga institucionet financiare më të sigurta në treg.

Cilat janë pritshmëritë për sistemin bankar dhe bankën tuaj për vitin 2019?

Në përputhje me parashikimet nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe agjencitë e vlerësimit të riskut, gjatë vitit 2019 vlerësohet që treguesit makroekonomike të mbeten të stabilizuar dhe me normë pozitive rritje të ekonomisë lokale.

Stabiliteti politik (duke marrë në konsideratë edhe proceset e integrimit drejt BE), stimujt ekonomikë që mund të vijnë kryesisht nga rritja dhe diversifikimi i Investimeve të Huaja Direkte, sikurse edhe nga investimet në vepra të reja publike, janë tregues të rëndësishëm, si dhe faktorë përcaktues për realizimin e një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik gjatë vitit 2019 dhe në afat të mesëm.

Gjithsesi, sektori bankar i kushton rëndësi të veçantë nivelit të kërkesës së konsumatorëve, si dhe risqeve të mundshme nga zhvillimet politike, lokale dhe rajonale. Ndryshimet që vihen re në sjelljen e konsumatorëve, nga tendenca për kursime (gjatë dekadës aktuale dhe që vjen kryesisht nga depozituesit individualë) drejt tendencës për investime dhe konsum, do të shënojë rritje graduale të kërkesës, e cila ndihmon dhe motivon rritjen e prodhimit në vend, si dhe të volumeve të tregtisë në përgjithësi.

Sektori bankar do të vijojë të mbetet i qëndrueshëm për sa i përket situatës së likuiditetit dhe të kapitalit, ndërsa Bankat po rrisin vëmendjen gjithmonë e më shumë drejt kredidhënies, pavarësisht se normat e rritjes mbeten relativisht të vogla.

Objektivi strategjik i Tirana Bank për vitin 2019, sikurse dhe për periudhën afatmesme, konsiston në zgjerimin e aktivitetit dhe të bazës së klientelës, duke shfrytëzuar praninë adekuate të rrjetit të degëve, situatën e qëndrueshme të likuiditetit, si dhe reputacionin e mirë që Banka gëzon në treg. Ne do të shfrytëzojmë mundësitë e zhvillimit që paraqet tregu lokal, për një përqasje të kujdesshme, por dinamike, në drejtim të zgjerimit të portofolit të kreditimit të ekonomisë lokale, duke iu referuar në mënyrë të balancuar segmentit të individëve dhe të biznesit.

Gjithashtu, Tirana Bank do të vijojë të investojë në drejtim të modernizimit të infrastrukturës operacionale dhe të sistemeve të teknologjisë së informacionit, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira bankare. Ne vlerësojmë që Tirana Bank do të vijojë të mbetet një bankë me peshë sistemike për industrinë financiare në Shqipëri.

Një vit më parë, Banka e Shqipërisë prezantoi një plan për të ulur nivelin e euroizimit në vend. Sa efektiv e vlerësoni këtë plan? Si e shpjegoni që depozitat në euro u rritën ndjeshëm në vitin 2018?

E mirëkuptojmë dhe e mbështesim këtë nismë të Bankës së Shqipërisë, në rrethanat kur mbetet e nevojshme ndjekja me efektivitet e një politike monetare, me qëllim ruajtjen e stabilitetit financiar në vend.
Gjithsesi, realizimi i këtij objektivi shoqërohet me sfida konstante që vijnë nga prania e lartë e depozitave në monedhën Euro në sistemin bankar, të akumuluara gradualisht gjatë dy dekadave të fundit, dhe si rrjedhojë, edhe një sasi e madhe likuiditeti në monedhën euro në bilancet e bankave.

Mundësitë më të kufizuara për investim (si në kredi ashtu edhe në letra me vlerë) në asete në monedhën euro në tregun lokal, referuar edhe kërkesave rregullatore në fuqi, përbëjnë një barrierë konstante për bankat në drejtim të optimizimit të burimeve financiare në këtë monedhë.

Ekzistenca e një sasie të madhe likuiditeti në treg në monedhën euro (që vlerësohet të jetë rreth 40% e depozitave bankare) vlerësohet të jetë një arsye e stabilitetit relativisht të lartë gjatë 10 – 15 viteve të fundit, në kursin e këmbimit të monedhës lokale kundrejt euros, dhe si rezultat, edhe në balancat e import/eksportit.

Por, nga ana tjetër, edhe pse nuk është monedhë ligjore në vend, ndërkohë që Shqipëria nuk është pjesë e Eurozonës, monedha Euro mbetet shumë e pranishme në transaksionet tregtare, veçanërisht në disa sektorë të ekonomisë, si p.sh., në sektorin e pasurive të patundshme, ku çmimet dhe transaksionet e shitblerjes realizohen kryesisht në monedhën euro.

Ndërkohë, flukset vjetore të remitancave/dërgesave të parave nga emigrantët, vijojnë të mbeten një nga arsyet e qëndrueshme të likuiditetit në monedhën euro, që depërton në sistemin bankar lokal prej shumë vitesh tashmë. Nuk duhet nënvlerësuar fakti që mbetemi të “rrethuar” nga ekonomi rajonale, ku euro është monedhë ligjore, duke iu referuar jo vetëm Greqisë apo Italisë, partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë dhe vende të Eurozonës, por edhe në vendet kufitare si Kosova dhe Mali i Zi.

Këta faktorë konstantë, dhe të tjerë që mund të kenë lidhje me impaktin që vjen nga ekonomia informale, e njohur edhe nga vlerësimet e institucioneve ndërkombëtare, përbëjnë një sfidë serioze në drejtim të uljes së euroizimit në ekonominë lokale.

Rritja e depozitave në monedhën euro mendoj që është kryesisht rezultat i ndikimit nga ulja e ndjeshme e kursit të këmbimit gjatë vitit 2018, që ka nxitur një kategori të caktuar të depozituesve të konvertojnë depozitat e tyre në monedhën euro për të përfituar nga ky zhvlerësim i monedhës Euro kundrejt Lekut. Gjithashtu, ka ndikuar edhe rritja e ofertës nga depërtimi i likuiditetit në euro nga disa investime të rëndësishme të huaja, që kanë qenë në fazën e implementimit gjatë vitit 2018.

Euro është zhvlerësuar ndjeshëm dy vitet e fundit. Cilat janë arsyet kryesore sipas jush dhe si pritet ecuria?

Zhvlerësimi i euros kundrejt lekut, gjatë 2 viteve të fundit, ka ardhur si pasojë e një oferte të lartë të monedhës euro në tregun vendas, e ndikuar nga rritja e eksporteve, rritja e të ardhurave nga sektori i turizmit, investimet e huaja, etj.

Në vitin 2018, ku zhvlerësimi i euros u shfaq me ritme më të shpejta, ka ndikuar dhe veprimet e ndërmarra nga disa banka për konvertimin e kapitalit nga monedha Euro në monedhën Lek. Gjithashtu, kursi i këmbimit Euro/Lek ka pasur luhatshmëri të lartë, që ka reflektuar pasigurinë e aktorëve të tregut në lidhje me ecurinë e kursit të këmbimit.
Gjatë muajve të parë të 2019-s ndodhemi në një ekuilibër të ri të çmimit Euro/Lek dhe pritshmëritë janë të luhatet rreth nivelit aktual.

Sikurse informohemi, gjatë muajve të ardhshëm, Banka e Shqipërisë mund të vijojë të blejë euro në tregun ndërbankar, me qëllim rritjen e rezervës valutore dhe ky mund të jetë një faktor që do të ndihmojë në stabilitetin e kursit të këmbimit gjatë vitit 2019.

Sistemi bankar është përfshirë vitin e fundit në një valë shitjesh e blerjesh dhe numri i bankave pritet të zbresë në 13. Si pritet të ndikojë procesi i konsolidimit në sistemin bankar?

Ky është një proces i pashmangshëm dhe tërësisht në linjë me tendencat në industrinë financiare globale. Kriza ekonomike e dekadës aktuale shfaqi edhe nevojën për ndryshime strategjike në shumë grupe bankare, referuar modelit të biznesit, riformatimit të prezencës gjeografike, ndryshime në linjat specifike të aktivitetit, etj.

Sa më sipër, është në thelb edhe arsyeja pse gjatë 3 – 4 viteve të fundit, disa grupe bankare ndërkombëtare me prezencë në Shqipëri (kryesisht me origjinë greke dhe franceze) vendosën të shesin aksionet e tyre në filialet shqiptare. Kjo është baza e konsolidimit që po shohim aktualisht në sistemin bankar. Por largimet nga tregu të grupeve tradicionale po shoqërohen edhe me hyrjen në treg të aktorëve të rinj, kryesisht të grupeve private me prani të zgjeruar në rajon.

Realizimi i këtyre ndryshimeve strukturore paraqitet si një mundësi pozitive që bankat të përmirësojnë normat e fitimit (p.sh. referuar normave të përfitueshmërisë kundrejt aseteve, kapitalit, etj.), të cilat motivojnë rritjen e investimeve në drejtim të zgjerimit të aktivitetit, të modernizimit të infrastrukturës si dhe mundësive të reja të biznesit.

Konsolidimi nuk paraqet ndonjë risk, sepse sistemi bankar mbetet i mirëkapitalizuar dhe mjaft likuid. Ndërkohë, shumica e bankave në treg mbeten aktive dhe mjaftueshmërisht konkurruese në drejtim të ofrimit të shërbimeve dhe produkteve në përfitim të klientëve.

Së fundmi, Tirana Bank është shitur te grupi Balfin. Si do të ndikojë në ecurinë e bankës dhe identitetin e saj ky transaksion?

Tirana Bank e mbylli me sukses një proces tranzicioni të rëndësishëm dhe transformimi të strukturës aksionere, i nisur gjatë vitit 2018. Gjatë kësaj periudhe, Banka ka qenë aktive me të gjithë gamën e produkteve dhe të shërbimeve, ka zgjeruar më tej bazën e klientelës, si dhe ka ruajtur në mënyrë mjaft të kënaqshme stabilitetin në të gjithë treguesit e rëndësishëm rregullativë dhe financiarë, ku veçohet pozicioni i fortë i likuiditetit dhe i mjaftueshmërisë së kapitalit.

Tirana Bank bëhet pjesë e Grupit Balfin, i cili ruan reputacion të lartë dhe një prezencë mjaft të respektuar në tregun shqiptar dhe në rajon, si dhe me një portofol të diversifikuar të aktiviteteve dhe investimeve.
Banka do te mbajë të njëjtin emër, për të ruajtur identitetin e saj, si një institucion financiar lokal i rëndësishëm gjatë dy dekadave të fundit, si dhe lidhjet me bazën tradicionale dhe të qëndrueshme të klientëve mjaft të nderuar të Bankës.

Aksionerët e rinj kanë parashtruar qartësisht vizionin e tyre për zgjerimin e aktivitetit të Bankës, si një aktor i rëndësishëm i sektorit bankar shqiptar, në drejtim të mbështetjes dhe zhvillimit të ekonomisë lokale.
Kjo perspektivë e zhvillimit është edhe motivim për stafin dhe ekipin drejtues, të cilët mbeten të angazhuar për të ofruar standardet më të mira të shërbimit në këtë fazë të re të ciklit të punës së Tirana Bank.

Cilat janë sfidat me të cilat do të përballet sistemi bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?

Mbetet ende e pranishme, madje kohët e fundit gjykohet më e shtuar, pasiguria që rrjedh nga zhvillimet politike lokale, si dhe ndikimet e tyre në zhvillimet ekonomike, besueshmërinë dhe nivelin e perceptuar te rrezikut nga investitorët.
Tendenca e konsolidimit në sistemin bankar do të vijojë edhe gjatë një periudhe afatmesme, për të arritur në një numër më të arsyeshëm të numrit të bankave referuar përmasave relativisht të vogla të tregut shqiptar.
Zhvillimet me ritme të shpejta në fushën e teknologjisë së informacionit do të paraqesin sfida të veçanta në drejtim të modernizimit të infrastrukturës, si dhe të standardit të shërbimeve apo të produkteve bankare, por edhe nevojën për të parandaluar risqet operacionale, me natyrë teknologjike.

 

Flet Gazmend Kadriu, drejtor ekzekutiv dhe Anëtar i Bordit të Union Bank

Në 2019-n finalizojmë blerjen e ICB

Gjatë vitit 2019, Union Bank do të finalizojë blerjen e ICB (International Commercial Bank), duke sjellë automatikisht rritje të prezencës së saj në treg dhe në numër klientësh, në footprint gjeografik dhe në nivel asetesh. Kjo do të kombinohet edhe me rritjen natyrale të fondeve dhe të kreditimit të bankës, që edhe gjatë vitit 2019 priten të vazhdojnë të jenë dyshifrore.

Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës suaj në vitin 2018?

Mendoj se është mjaft pozitive që sistemi bankar vazhdoi ta kryejë mirë detyrën e vet edhe gjatë vitit 2018. Rritja e depozitave në sistem, edhe pse e vogël, është e rëndësishme, sepse dëshmon besimin e qytetarëve ndaj bankave. Pak më ndryshe është puna me kreditimin. Po t’i qëndrojmë krahasimit dhe ta shohim kreditimin si indikator të besimit të sistemit ndaj biznesit, del se sistemi bankar i ka mbetur pak borxh vendit vitin që kaloi.

Më optimiste është atmosfera në Union Bank ku, nëpërmjet menaxhimit të suksesshëm të aktiveve dhe investimeve, u realizuan shifra të cilat qëndrojnë bukur mbi mesataren e sistemit. Gjatë vitit 2018, Union Bank shënoi rritjen më të madhe në historinë e saj, aktivet e bankës kaluan shifrën 50 mld lekë. Asetet, kreditimi dhe kthimi në kapital vazhduan rritjen dyshifrore. Union Bank i tejkaloi objektivat e vëna në fillim të vitit, si në rritjen e aktivitetit të bankës, ashtu edhe në kthimin nga kapitali.

Cilat janë pritshmëritë për sistemin bankar dhe bankën tuaj për vitin 2019?

Gjatë vitit 2018, në sistemin bankar filluan të realizohen ndryshime të rëndësishme strukturore, të cilat do të ekzekutohen gjatë 2019-s. Këto ndryshime do të sjellin reduktim të numrit të bankave në sistem, duke u shoqëruar edhe me ndryshim të aksionerëve. Këto dinamika të reja do ta bëjnë sistemin bankar më shqiptar, uroj edhe më të afërt me publikun.

Edhe pse në ristrukturim e sipër, personalisht pres që sistemi bankar shqiptar të vazhdojë ta kryejë mirë detyrën e vet ndaj vendit, duke ofruar një sistem reference, të qëndrueshëm dhe mjaft modern. Bazuar në historinë e deritanishme të zhvillimeve në vend, kam besim se edhe këtë vit elektoral, sistemi bankar shqiptar do të dijë t’u rezistojë efekteve negative që mund të vijnë nga ambienti, duke përforcuar, shpresoj, zhvillimet pozitive në krahun e rritjes ekonomike.

Performanca e mirë e Union Bank gjatë vitit 2018 është premisë pozitive edhe për vitin 2019, ku Banka dhe veçanërisht kreditimi, do të vazhdojë të rritet, duke ruajtur me fanatizëm cilësinë e aseteve,
Gjatë vitit 2019, Union Bank do të finalizojë blerjen e ICB (International Commercial Bank), duke sjellë automatikisht rritje të pranisë së saj në treg dhe në numër klientësh, në footprint gjeografik dhe në nivel asetesh. Kjo do të kombinohet edhe me rritjen natyrale të fondeve dhe të kreditimit të bankës, që edhe gjatë vitit 2019 priten të vazhdojnë të jenë dyshifrore.

Një vit më parë, Banka e Shqipërisë prezantoi një plan për të ulur nivelin e euroizimit në vend. Sa efektiv e vlerësoni këtë plan?

Procesin e deeuroizimit të prezantuar një vit më parë nga Banka e Shqipërisë e shoh si një proces afatgjatë. Pres që Banka e Shqipërisë ta shoqërojë atë me masat e duhura. Në këtë kuptim, mendoj se do të duhet kohë të kuptohen qartë efektet e deeuroizimit.

“Euroizimi” i ekonomisë, në masën që është i pranueshëm, ndodhi si proces natyral i influencuar nga agjentë ekonomikë objektivë. Jam besimplotë që Banka e Shqipërisë do të dijë ta drejtojë deeuroizimin e ekonomisë drejt forcimit të natyrshëm të rolit të lekut në ekonomi, pa lejuar sforcime jo të natyrshme në treg.

Euro është zhvlerësuar ndjeshëm dy vitet e fundit. Cilat janë arsyet kryesore sipas jush dhe si pritet ecuria?

Zhvlerësimi i euros gjatë vitit 2018 lidhet kryesisht me efekte fondamentale, që vijnë nga tendenca ekonomike të bilancit të pagesave. Këtyre tendencave, mendoj ju duhen shtuar edhe efektet që janë krijuar nga rialokimi i një pjese të kapitalit të bankave nga valutë në Lek por dhe nga disa flukse të depozitave në Eur.
Për ekonominë e vendit është e rëndësishme që zhvlerësimi i euros është stabilizuar. Politika monetare e Bankës së Shqipërisë po rezulton e përshtatshme në këtë drejtim.

Sistemi bankar është përfshirë vitin e fundit në një valë shitjesh e blerjesh dhe numri i bankave pritet të zbresë në 13. Si pritet të ndikojë procesi i konsolidimit në sistemin bankar?

Gjatë vitit 2019 do të finalizohen disa ristrukturime, që kanë filluar vitet e fundit. Ristrukturimi do të sjellë uljen e numrit të bankave në sistem dhe ndryshimin e aksionerëve në disa banka. Personalisht pres që reduktimi i numrit të bankave, ta bëjë sistemin më racional dhe rrjedhimisht, më të fortë. Gjykoj se reduktimi i projektuar i numrit të bankave nuk është aq i madh sa të influencojë nivelin e konkurrencës mes bankave.

Personalisht pres që reduktimi i numrit të bankave, në masën që po ndodh, në fakt të sjellë rritje të konkurrencës në sistem, e cila nga ana e saj, do të ketë me siguri ndikim pozitiv mbi ekonominë. Kjo do të kërkojë sigurisht një periudhë afatmesme, përtej periudhës së parë të konsolidimit të bankave të përfshira në proces.

Cilat janë sfidat me të cilat do të përballet sistemi bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?

Sfidat me të cilat përballet aktualisht sistemi bankar janë disa; disa më të vjetra, të përhershme do t’i quaja dhe disa më të reja. Në radhë të parë, sistemi bankar influencohet nga niveli i rritjes ekonomike të vendit. Këtu do ta fusja edhe nivelin e formalizimit të ekonomisë. Për sistemin janë të arta vitet e rritjes së qëndrueshme të ekonomisë, që zakonisht shoqërohen me rritje të qëndrueshme të sistemit.

Në vite të tilla është më lehtë të zbatohen edhe masa që nxisin formalizim më të madh, si për shembull kreditimin e bizneseve në bazë të pasqyrave të deklaruara te Tatimet. Sa lart apo sa imët presin këto masa formalizuese që nxiten nga Banka e Shqipërisë, ka të bëjë me më tepër ose më pak akses në kreditim të kompanive të vogla të vendit, tek të cilat niveli i formalizimit shpesh kombinohet me mungesë profesionalizmi për prodhimin e pasqyrave të sakta financiare.

Këtë vit, sfidave të përhershme të rritjes të sistemit dhe të rritjes të shkallës së formalizimit në kreditim, i janë shtuar edhe sfidat e konsolidimit nëpërmjet ristrukturimit dhe ajo e deeuroizimit; dy sfida të cilat janë më afatmesme në kuptimin që efektet e tyre do të duan më tepër kohë të duken.

Për fazën ku jemi, sfida kryesore mbetet ristrukturimi aktual i sistemit bankar. Ristrukturimi është rregullimi që do ta influencojë sistemin për shumë vite në vazhdim. Çfarë strukture do të ketë sistemi bankar mbas dy apo tre vjetësh? A do të ketë ai më shumë apo më pak banka të huaja, si do të jenë të orientuara të punojnë ato, sipas modelit europian perëndimor apo më ndryshe? Kjo më duket një sfidë e rëndësishme.

Për sa i përket rritjes ekonomike dhe asaj të sistemit, siç e thashë edhe më sipër, jam optimist se sistemi bankar shqiptar do të dijë t’i amortizojë efektet negative të ambientit, duke ia dalë t’i përforcojë zhvillimet pozitive ekonomike.

 

Interviste më z. Agan Azemi, Anëtar i Drejtorisë Ekzekutive, ProCredit Bank Shqipëri

Ecuria e sistemit bankar, e varur nga ekonomia

Sfidat e sistemit bankar janë të lidhura me ecurinë e përgjithshme të ekonomisë së brendshme dhe zhvillimin e prodhimit vendas, si themel për një zhvillim të qëndrueshëm. Një ecuri pozitive do të sillte impaktet e veta në rritjen/gjenerimin e kërkesës se re si dhe uljen e nivelit të kredive të këqija. Gjithashtu, qëndrueshmëria e borxhit publik dhe situatës politike do të krijonin një klimë të përshtatshme për sa më lart.

Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës suaj në vitin 2018?

Edhe gjatë vitit 2018, sistemi bankar vijoi të zgjerojë veprimtarinë e tij, duke mbetur njëherazi shumë likuid dhe i mirëkapitalizuar. Burimi kryesor i financimit të veprimtarisë së bankave mbeten depozitat, të cilat zënë gati 80% të detyrimeve dhe mbulojnë me rreth dy herë vëllimin e kredive të sektorit. Gjithashtu, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar shënoi nivelin 18.24% në fund të vitit 2018, kundrejt 16.6% në fund të vitit 2017, dhe në mënyrë të dukshme mbi nivelin minimal të kërkuar prej 12%.

Cilësia e portofolit të kredisë shënoi një përmirësim gjatë vitit 2018, ku treguesi i raportit të kredive me probleme shënoi nivelin 11.08% në fund të vitit, kundrejt 13.23% të vitit 2017. Fokusi dhe përpjekjet e bankave në këtë drejtim vijojnë të jenë intensive dhe të vazhdueshme.

Sistemi bankar vijon të ketë një përfitueshmëri të mirë, pavarësisht se në nivele më të ulëta krahasuar me vitin paraardhës. Bazuar në sa më lart, sistemi bankar gjykohet të jetë shumë i fortë e i shëndetshëm, me aftësi të lartë për të përballuar rreziqe të mundshme.

Për Bankën ProCredit, 2018-a ka qenë një vit pozitiv, për sa i përket konsolidimit të strategjisë sonë të biznesit për Klientë Privatë, ku zhvillimi i konceptit “Direct Banking” dhe shërbimeve që ofrohen nën të ka qenë prioriteti ynë kryesor. Gjithashtu kemi vazhduar të investojmë në zhvillimin e marrëdhënieve afatgjata me Klientët SME, duke realizuar mbështetjen e investimeve të shumta në sektorë kyç për ekonominë, siç janë prodhimi, përpunimi, shërbimi si dhe projektet miqësore me mjedisin dhe të eficencës së energjisë.

Zhvillim pozitiv kemi pasur për sa i përket rritjes së portofolit të kredisë së biznesit, i cili ka shënuar rritje me rreth 12% krahasuar me një vit më parë. Kemi mbajtur një cilësi të mirë të tij, ku niveli ynë i NPL-se është nën mesataren e tregut. Tregues shumë pozitiv është rritja e portofolit të investimeve “Green”, ku kemi arritur të rrisim me 36% këtë portofol, i cili përbën 14% të totalit të portofolit të bankës.

Për bankën tonë ka rëndësi të veçantë të shërbyerit me përgjegjshmëri dhe kjo realizohet përmes promovimit të kursimit në vend të shërbimeve që nxisin konsumin, si dhe nëpërmjet ofrimit të shërbimeve të thjeshta bankare, transparente dhe që plotësojnë më së miri nevojat e klientëve tanë pa limit, 24/7. Siç e përmenda dhe më lart, mënyra direkte e operimit (ProCredit Direct) mundëson që Klientët tanë Privatë të arrijnë të shërbehen përmes kanaleve elektronike në çdo moment, duke u dhënë fleksibilitet për menaxhimin e llogarive të tyre dhe shërbimeve financiare direkt nga kompjuteri, tableti apo telefonat e tyre celularë, thjesht dhe lehtë.

Cilat janë pritshmëritë për sistemin bankar dhe bankën tuaj për vitin 2019?

Bazuar në pritshmëritë mbi rritjen ekonomike të vendit, si dhe në kushtet e një politike monetare lehtësuese, 2019-a pritet të jetë një vit pozitiv për sistemin bankar. Gjithsesi, faktorë domethënës dhe që kushtëzojnë këto pritshmëri vazhdojnë të jenë situata politike në vend dhe realizimi i rritjes ekonomike së pritshme. Konsolidimi dhe përfundimi i ndryshimeve strukturore të ardhura nga bashkimet e bankave mund të kenë efekte përkatëse dhe gjatë vitit 2019. Gjatë këtij viti, pritet të përfundojë ndryshimi i pronësisë së kapitalit aksioner të dy bankave të sistemit, gjë që mund të sjellë ndryshime të mundshme në strategjitë dhe konkurrencën në treg.

Për sa i përket ProCredit, zhvillimi i biznesit me Klientë Privatë, është një ndër prioritetet tona. Klientët tanë të synuar janë ata klientë, të cilat kanë profesione të kualifikuara, qëndrueshmëri në të ardhurat e tyre dhe, nga ana tjetër, vlerësojnë përdorimin e shërbimeve bankare elektronike. E gjithë infrastruktura e ofrimit të shërbimeve është e ngritur mbi plotësimin me efikasitet të nevojave të tyre bankare, duke mbajtur në fokus të veçantë mbajtjen e marrëdhënies afatgjatë dhe këshillimin financiar të personalizuar.

Nga ana tjetër, mënyra e të operuarit Direkt, e konkretizuar nga shërbimet që ofrohen nën ProCredit Direct, ofron mundësi unike për të gjithë ata klientë që e shohin kursimin si mënyrën më të mirë për krijimin e aseteve të tyre familjare. Nisur nga kjo, gjatë 2019-s, banka ka pritshmëri për rritje të nivelit të depozitave në rang institucional. Ndërkohë që vazhdon të jetë prioritet dhe pikë e fortë e jona, fokusi ndaj SME-ve, të cilat konsiderohen dhe si shtylla kurrizore e ekonomisë së vendit.

Banka ProCredit, si e vetmja bankë gjermane në Shqipëri, e specializuar për bizneset SME, në përmbushje të misionit të saj për të mbështetur bizneset që kanë potencialin për të ndikuar në zhvillimin ekonomik të vendit, edhe gjatë vitit 2019 do të vazhdojë të ketë të njëjtin orientim strategjik për sa i përket mbështetjes së bizneseve SME. Qëllimi ynë është ofrimi i të gjitha kushteve për të mundësuar zhvillimin e qëndrueshëm të këtyre bizneseve. Fokus të veçantë strategjik për 2019 do të ketë mbështetja e aktiviteteve të prodhimit, përpunimit dhe shërbimeve, si dhe nxitja e investimeve “Green”.

Në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare, BERZH dhe Komitetin Europian për fondet respektive të garancisë, synojmë që gjatë vitit 2019 të vazhdojmë mbështetjen ndaj kompanive vendase për të implementuar teknologji të reja dhe produkte inovative, me qëllim rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë së tyre në treg.

Një vit më parë, Banka e Shqipërisë prezantoi një plan për të ulur nivelin e euroizimit në vend. Sa efektiv e vlerësoni këtë plan? Si e shpjegoni që depozitat në euro u rritën ndjeshëm në vitin 2018?

Sistemi financiar shqiptar vijon të paraqesë nivele të larta të euroizimit, të cilat reflektojnë përdorimin e valutës në shkallë të gjerë në ekonominë shqiptare. Në këto kushte, masat e ndërmarra në sistemin bankar duhet të shoqërohen dhe me masa shtesë në një aspekt më të gjerë, të cilat duhet të synojnë: 1. Rritjen e besimit të depozitorëve ndaj monedhës LEK dhe stimulimin e kursimit në këtë monedhë; 2. Kufizimin e marrëdhënieve tregtare brenda vendit për të cilat shlyerja bëhet në monedhën EUR.

Bazuar në ecurinë e disa treguesve, si p.sh. pesha e depozitave në valutë ndaj totalit të depozitave, treguesit e likuiditetit në valutë dhe kredidhënia ndaj ekonomisë në valutë, vihen re ndryshime shumë të vogla gjatë vitit 2018, në linjë me zhvillime historike, pa ndonjë devijim të rëndësishëm. Në tërësi, vlerat e treguesve ndryshojnë në mënyrë të ndjeshme nga ato të treguesve për vende me ekonomi të ngjashme. Në këto kushte, mendojmë se është e parakohshme të gjykohet për një efekt të konsiderueshëm nga masat e implementuara tashmë. Nevojitet implementim i masave në të gjitha fushat si më sipër, si dhe një shtrirje më e gjatë kohore, me qëllim arritjen e rezultateve të prekshme.

Euro është zhvlerësuar ndjeshëm dy vitet e fundit. Cilat janë arsyet kryesore, sipas jush, dhe si pritet ecuria?

Është e vërtetë që EUR ka pësuar një zhvlerësim historik shumë të lartë gjatë dy viteve të fundit, gjithashtu është e vështirë të analizohen dhe maten efektet e faktorëve të ndryshëm që kanë ndikuar këtë zhvlerësim. Mungojnë analiza dhe një informacion i plotë publik në lidhje me transaksionet valutore në EUR dhe volumet e tyre në ekonomi në tërësi, për të vlerësuar aspektin objektiv, si rezultat i forcave kërkesë – ofertë.

Nga ana tjetër, jemi të gjithë të ndërgjegjshëm dhe për disa efekte shtesë që mund të kenë ardhur nga faktorë subjektivë të lojtarëve të ndryshëm të tregut, duke filluar nga individët, bizneset dhe operatorët e licencuar (banka, zyra këmbimi valutor). Këto janë fenomene të njohura e të pashmangshme, në kushtet e volatiliteteve të larta dhe pasigurisë në tregjet valutore. Gjykojmë që EUR do të mbetet në të njëjtat terrene zhvlerësimi dhe gjatë vitit 2019.

Sistemi bankar është përfshirë vitin e fundit në një valë shitjesh e blerjesh dhe numri i bankave ka zbritur në 13. Si pritet të ndikojë procesi i konsolidimit në sistemin bankar?

Reduktimi i numrit total të bankave nga 16 në 13 në sistemin bankar, është një fenomen normal, rrjedhojë e vendimeve strategjike të grupeve bankare ndërkombëtare, nën kuadrin e rishikimit të prezencës së tyre në rajon. Nga ana tjetër, duke pasur parasysh zhvillimin dhe nevojat e ekonomisë në vend, ky reduktim nuk do ta kufizojë aspak ofrimin dhe plotësimin e nevojave për shërbime bankare.

Këto ndryshime strukturore pritet të ndikojnë në përmirësimin e eficiencës së veprimtarisë bankare dhe të ndërmjetësimit financiar. Nga ana tjetër, gjykojmë që nuk do të cenohen parimet e konkurrencës së lirë. Sfida të reja shtrohen në vijim për bankat, në kuadër të përmirësimit të eficencës së tyre, në mënyrë që të sigurojnë përmbushje të objektivave të biznesit, përputhshmëri me kuadrin rregullator, përfitueshmërinë e synuar dhe qëndrueshmëri në afatgjatë.

Cilat janë sfidat me të cilat do të përballet sistemi bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?

Sfidat e sistemit bankar janë të lidhura me ecurinë e përgjithshme të ekonomisë së brendshme dhe zhvillimin e prodhimit vendas, si themel për një zhvillim të qëndrueshëm. Një ecuri pozitive do të sillte impaktet e veta në rritjen/gjenerimin e kërkesës së re, si dhe uljen e nivelit të kredive të këqija. Gjithashtu, qëndrueshmëria e borxhit publik dhe situatës politike do të krijonin një klimë të përshtatshme për sa më lart.

Flet Bozhidar Todorov, Drejtor i Përgjithshëm i Fibank:

Largimi i emrave të mëdhenj nuk është gjë e mirë

Procesi i konsolidimit, blerjet dhe përvetësimet në përgjithësi shihen si pozitive për sistemin, veçanërisht nëse bëhen shkak për të tërhequr investitorë strategjikë, të cilët kanë ekspertizën dhe metodologjinë e duhur. Por, nga ana tjetër, sigurisht që nuk është gjë e mirë, nëse emra të mëdhenj si NBG, Piraeus apo Societe Generale – një nga më të mëdhenjtë dhe më të mirët në rajon – largohen nga Shqipëria. Megjithatë, mbeten për t’u parë strategjitë e lojtarëve të rinj.

Si e vlerësoni performancën e sistemit bankar në tërësi dhe bankës suaj në veçanti gjatë vitit 2018?

Më lejoni ta nis nga pjesa e dytë e pyetjes, pasi jam krenar të them që 2018-a ka qenë viti më i suksesshëm për Fibank Albania. Gjatë këtij viti, ne kemi realizuar fitimin më të lartë në historinë e saj, duke tejkaluar vlerën e 3.5 milionë eurove.

Gjithashtu kemi shënuar edhe vlerën më të lartë të kredidhënies në të gjithë sistemin bankar, me më shumë se 30%, si dhe në atë të mbledhjes së depozitave apo në atë të efektshmërisë. Përpos këtyre treguesve pozitivë, ne mundëm të ruanim dhe të përmirësonim gjendjen e likuiditetit dhe pozicionin e kapitalit. Rezultatet tona janë edhe më mbresëlënëse nëse përmendim përurimin e 4 degëve të reja në qytetet e Tiranës, Lushnjës, Lezhës dhe Sarandës. Në një kohë kur sistemi bankar sa vinte dhe tkurrej, ne shfrytëzuam rastin për t’u ofruar shërbimet tona një numri më të madh individësh dhe biznesesh shqiptare.

Ne bëmë të mundur që hapja e këtyre degëve të bëhej në kohë rekord dhe kostot e larta nuk e cenuan rezultatin përfundimtar të bankës. Edhe këtë vit, sikurse edhe vitet e tjera, ne do ta riinvestojmë fitimin në Shqipëri. Pra, nuk do të shpërndajmë divident te banka mëmë. Në këtë formë, Fibank Bullgari dëshmon besimin e saj te Fibank Shqipëri, por edhe në ekonominë shqiptare në tërësi.

Falë rritjes me ritme të shpejta të ekonomisë Bullgare, performanca e bankës mëmë ka qenë mjaft e kënaqshme, si në vitet e shkuara ashtu edhe në vitin 2018. Rezultatet pozitive i kanë dhënë Fibank Bullgari mundësinë për t’u fokusuar në tregjet e huaja ku ajo është e pranishme, duke përfshirë këtu edhe tregun shqiptar. Ka qenë një vit mjaft i mirë për sistemin bankar dhe tendenca pozitive ka vijuar gjatë dy – tre viteve të fundit. Është domethënës fakti që, edhe bankat e tjera kanë pasur të njëjtin trend pozitiv. Shitblerjet e bankave nuk prodhuan efekte negative për sistemin, edhe gjatë një viti kaq dinamik sa 2018.

Cilat janë pritshmëritë tuaja për Fibank Albania dhe sistemin bankar gjatë vitit 2019?

Besoj dhe shpresoj që viti 2019 të jetë edhe më i mbarë jo vetëm për bankat, por edhe për Shqipërinë dhe shqiptarët! Fibank do të vijojë të rrisë praninë e saj në tregun shqiptar. Ne po planifikojmë të hapim edhe dy degë të tjera në Tiranë dhe të rrisim biznesin me të paktën 20%.

E kemi ndërmarrë këtë hap si rezultat i kërkesës së shtuar për shërbimet tona, si dhe interesit të lartë që individët dhe kompanitë kanë shfaqur për të njohur Fibank Albania. Vitin e kaluar, u shpreha në të njëjtën intervistë se do të zgjeronim stafin me 20%. Në të vërtetë, ne u zgjeruam me 40%. E theksoj këtë fakt, sepse pas çdo suksesi ndodhet një ekip profesionistësh të përkushtuar dhe të motivuar, të cilët janë tërësisht të fokusuar në përmbushjen e kërkesave të klientëve – një vlerë themelore kjo e Fibank.

Gjatë vitit 2019 pritet të ndihen rezultatet e shitblerjes së bankave që u realizuan gjatë vitit të kaluar. Do të ketë lojtarë të rinj në treg dhe duhet të shohim se çfarë strategjie do të ndjekin. Nga ana tjetër, duhet të vërejmë me kujdes ecurinë e ekonomisë shqiptare. Nëse tensionet politike vazhdojnë për një kohë të gjatë, kjo do të ketë ndikim negativ në të gjithë sektorët, përfshi këtu edhe atë bankar. Aktualisht, sektori bankar është pa diskutim më i strukturuari në vend dhe ka dëshmuar që ka hapësira të mëtejshme për progres dhe për të mbështetur rritjen ekonomike, pavarësisht sfidave që lidhen me riskun financiar të Shqipërisë.

Para një viti, Banka e Shqipërisë ndërmori një plan masash për të ulur nivelin e Euros në ekonominë shqiptare. Si e gjykoni efektshmërinë e këtij plani deri tani? Si e shpjegoni rritjen e konsiderueshme të depozitave në Euro gjatë vitit 2018?

Euroizimi i ekonomisë është një dukuri e cila nuk ka ndodhur vetëm në Shqipëri. Ka shumë raste të tjera të ngjashme në botë. Për këtë arsye besoj që institucionet ndërkombëtare dinë si ta adresojnë këtë problem. Banka e Shqipërisë disponon ekspertizën e duhur në fushën e makroekonomisë dhe politikave monetare, andaj procesi i deeuroizimit po trajtohet me kujdes dhe profesionalizëm. Shqipëria është ekonomi e vogël dhe e hapur, gjë që e bën të cenueshme ndaj kësaj dukurie.

Edhe nëse nuk vërejmë efekte pozitive, nuk do të thotë që masat nuk po funksionojnë. Edhe minimizimi i efekteve negative tregon që masat po funksionojnë. Për këtë arsye, besoj që kjo çështje po trajtohet si duhet. Do të doja të përmendja që Fibank, sikurse shumica e bankave, prej shumë vitesh po përpiqet fort të nxisë kredidhëniën në Lekë. Kreditë konsumatore, ato për segmentin mikro dhe për blerje shtëpie ofrohen në Lekë.

Euro është zhvlerësuar në mënyrë të konsiderueshme gjatë dy viteve të fundit. Në gjykimin tuaj, cilat janë shkaqet kryesore të këtij fenomeni dhe cili do të jetë kursi që do të ndjekë Euro?

Sikurse e përmenda dhe më parë, sjellja e euros nuk është rast i izoluar. E kemi parë në shumë vende të tjera gjatë këtyre viteve. Investimet e huaja, rritja e eksporteve, borxhi në monedhë të huaj dhe turizmi kanë ndikimin ë tyre në kursin e këmbimit. Për shkak se tregu i këmbimeve valutore është i vogël, jo shumë likuid dhe pa pjesëmarrjen e agjentëve të huaj, ndikimi i këtyre faktorëve ndihet menjëherë. Megjithatë, gjykoj që Banka ë Shqipërisë mund t’i trajtojë si duhet këto efekte, edhe në rast se ato shkojnë në ekstreme. Nisur nga kjo, nuk shoh arsye për t’u shqetësuar.

Sistemi bankar ka qenë mjaft i angazhuar së fundmi me procesin ë blerjes dhe përvetësimit të bankave. Numri i bankave pritet të shkojë në 13. Çfarë ndikimi pritet të ketë procesi i konsolidimit?

Procesi i konsolidimit, blerjet dhe përvetësimet në përgjithësi shihen si pozitive për sistemin, veçanërisht nëse bëhen shkak për të tërhequr investitorë strategjikë, të cilët kanë ekspertizën dhe metodologjinë e duhur. Por, nga ana tjetër, sigurisht që nuk është gjë e mirë nëse emra të mëdhenj si NBG, Piraeus apo Societe Generale – një nga më të mëdhenjtë dhe më të mirët në rajon – largohen nga Shqipëria.

Megjithatë, mbeten për t’u parë strategjitë e lojtarëve të rinj. Nëse ata sjellin risi, besueshmëri dhe konkurrencë të shëndetshme, kjo do të vlejë për mirë, jo vetëm për klientët, por edhe për sistemin bankar dhe ekonominë në tërësi. Ndërkohë që blerja e bankave nuk është mënyra e vetme për t’u zgjeruar.

Ecuria e Fibank Albania gjatë viteve të fundit është shembull i një zgjerimi organik të konsiderueshëm. Kjo dëshmon se ne jemi një bankë me klientin në fokus dhe e aftë për t’u ofruar atyre shërbim të shkëlqyer dhe vëmendje të veçantë. Këtë vit ne do të ngjitemi në grupin e bankave të mesme dhe kjo gjë u bë e mundur vetëm në sajë të rritjes organike.

Cilat janë sfidat kryesore me të cilat pritet të përballët sistemi bankar në terma afatshkurtër dhe afatmesëm?

Çdo sfidë me të cilën përballet ekonomia përbën në vetvete një sfidë për sistemin bankar, pasi bankat janë, në njëfarë mënyre, pasqyrë e saj dhe reflektojnë plotësisht ose pjesërisht çdo ndryshim madhor – pozitiv apo negativ qoftë ai. Parë nga ky këndvështrim, Shqipëria shfaq sfidat e saj – reforma në sistemin gjyqësor, të drejtat mbi pronën dhe korrupsioni, situata politike dhe procesi i integrimit, etj., – të gjithë këta janë faktorë thelbësorë për funksionimin e një tregu të hapur dhe rrjedhimisht, edhe për bankat.

Nga ana tjetër, bankat po përballen me probleme të “mbi-rregullimit” në çdo fushë biznesi – atë të kredidhënies, depozitave, politikave të njohjes së klientit, auditimit, provigjionimit, politikave kundër pastrimit të parave. Përpos kësaj, biznesi bankar po has gjithashtu fenomenin “fintech”. Në disa raste, suksesi i biznesit të tyre qëndron pikërisht në shmangien e kuadrit rregullator.

Ky fenomen vihet re edhe në industri të tjera. Ndaj jam i bindur që bankat janë mjaftueshëm fleksibël dhe inovatore për t’u përshtatur me mjedise të reja teknologjike, ku rregullat janë të njëjta për të gjithë. Duke qenë se mjeti më i çmuar i një banke është besimi, ai do të jetë avantazhi ynë më afatgjatë.

Intervistoi: Ornela Liperi/Monitor/

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: