Bota

Një miliard euro për “Notre Dame”, në vetëm dy ditë

Fondi për rinovimin e Katedrales “Notre Dame” të Parisit, të dëmtuar rëndë nga zjarri i dy ditëve më parë, ka mbërritur këtë të mërkurë në kuotën e një miliard eurove, teksa presidenti Macron u zotua se ajo do të rindërtohej brenda 5 viteve.

Vetëm dy ditë pas “ferrit” që shkrumboi çatinë dhe rrëzoi spiralen në formë koni mbi katedralen simbol të katolicizmit francez, organizatorët e apelit për ndihmë për restaurimin e saj deklaruan se fondi po rritet me ritme të jashtëzakonshme.

Stephane Bern, personalitet televiziv që lançoi thirrjen me shprehjen se “Notre Dame ishte një mik i ngushtë që për pak u shua”, njoftoi mëngjesin e kësaj të mërkure se donacionet kapën shifrën e një miliard eurove.

Macron u zotua ndërkohë në një fjalim televiziv natën e së martës se katedralja do të rindërtohet “Edhe më e bukur” brenda 5 viteve të ardhshme, ndërsa nxiti francezët të unifikohen.

Por cilët kanë kontribuuar deri më tani?

“L’Oreal” premtoi 200 milionë euro të martën, sikurse edhe grupi i mallrave të luksit “LVMH” i drejtuar nga Bernard Arnault, njeriu më i pasur në Francë. Multimiliarderi Francois-Henri Pinault dhe kompania e naftës “Total” janë zotuar të kontribuojnë me nga 100 mln euro secili.

Donatorë të tjerë të profilit të lartë në Francë përfshijnë investitorin Marc Ladreit de Lacharriere, me 10 milionë euro, si dhe manjatët e ndërtimit Martin and Olivier Bouygues, gjithashtu me 10 milionë euro.

Mes firmave të fuqishme, banka “Credit Agricole” dha 5 milionë euro, ndërsa investitori Henry Kravis premtoi 10 mln dollarë. Fondi pritet të rritet për faktin se edhe firma si “Vinci”, “Michelin” dhe “BNP Paribas” po shqyrtojnë mënyrat sesi të kontribuojnë. “Air France” vuri në dispozicion 3 fluturime falas për ekspertët që do të mund të kontribuojnë në rinovimin e “Notre Dame”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button