Politika

Votimi i parlamentit holandez, Cutillo: KE vlerësime pozitive për Shqipërinë

Ambasadori i Italisë në Tiranë, Alberto Cutillo u shpreh sot se Komisioni Europian çdo vit bën një vlerësim të rezultatit mbi sanksionimet e vizave, dhe ky vlerësim u bë pak muaj më parë, dhe për Shqipërinë ku u dhanë vlerësime pozitive. “Ne po presim që kur të bëhet përsëri, besoj në fund të vitit, do të konfirmojë këtë rezultat pozitiv”, theksoi Cutillo.

I pyetur mbi votimin në parlamentin holandez për rivendosjen e vizave me Shqipërinë, Cutillo tha se, “përsa i përket rivendosjes së vizave, praktikat janë shumë të sakta, shumë të detajuara, pra është një e drejtë në dorën e të gjitha vendeve anëtare të kërkojnë një verifikim dhe besoj se kjo është ajo që parlamenti holandez ka vendosur. Këtë gjë, qeveria holandeze duhet ta shndërrojë në një kërkesë në Komisionin Europian”.

Cutillo tha se Italia nuk ka hasur ndonjëherë ndonjë lidhje mes heqjes së vizave dhe rritjes së kriminalitetit.

“Dua të them se në eksperiencat italiane ne nuk kemi hasur ndonjëherë ndonjë lidhje mes heqjes së vizave dhe rritjes së kriminalitetit, këtë e them për Italinë. Natyrisht çdo vend mund të ketë një eksperiencë të ndryshme, por në opinionin tonë, në eksperiencën tonë nuk e kemi hasur këtë paralelizëm”, tha ambasadori italian.

I pyetur nëse Shqipëria e meriton rivendosjen e regjimit të vizave, Cutillo tha se, “përsëris sipas meje nuk është një masë e justifikuar nga motivacioni i paraqitur, por e përsëris çdo vend ka të drejte të ketë opinionin e tij, pastaj do të jetë Komisioni Europian që do t’i përgjigjet kësaj kërkese. Unë besoj që jo, por e përsëris, po flasim për një vend anëtar, dhe unë nuk mund të di se cilat janë politikat e atij vendi, ndoshta duhet të pyesni ambasadorin holandez”.

Cutillo ka lëshuar edhe një apel në drejtim të autoriteteve shqiptare. “Këshilla është gjithmonë e njëjta, të punohet fort, të mos shkelim rezultatet e arritura. Rrugëtimi drejt integrimit europian është ai i duhuri, Shqipëria meriton për të pasur hapjen e bisedimeve, por kjo nuk do të thotë që ajo të vetkënaqet, por duhet të vazhdojë në rrugën e reformave, siç kam thënë edhe në të kaluarën. Nëse të gjitha forcat politike do të bashkëpunojnë, do të bëhet më mirë, prandaj ftoj të gjithë të punojnë për këtë objektiv”, tha ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button