Ekonomia

Linjë ajrore Tiranë-Riad, ministrja Balluku firmos memorandumin e bashkëpunimit me FLYNAS

Kompania ajrore low cost FLYNAS, do të nisë operimin në Shqipëri duke ofruar fluturime Tiranë-Riad. FLYNAS është kompania e dytë më e madhe në Arabinë Saudite dhe është vlerësuar për dy vite radhazi si kompania që ofron çmimin më komkurrues në fushën e low cost. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe presidenti i kompanisë ajror FLYNAS, Bander Al-Mohanna firmosën sot memorandumin e bashkëpunimit.

Në fjalën e saj gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, ministrja Belinda Balluku theksoi se qëllimi i këtij memorandumi është vendosja e një linje ajrore direkte Tiranë-Riad me opsionin për t’u shtrirë dhe në destinacione të tjera. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se bashkëpunimi me kompaninë ajrore FLYNAS është pjesë e strategjisë së qeverisë shqiptare për të afruar sa më shumë operatorë të fushës çka do të ndikonte në përmirësimin e shërbimit si dhe në uljen e kostove të biletave për udhëtarët. “Konkretisht synohet vendosja e një linje ajrore direkte Tiranë-Riad, por dhe jo vetëm, ne mendojmë që ky bashkëpunim mund të shtrihet edhe në destinacione të tjera”.

Qëllimi i këtij memorandumi është identifikimi i fushave dhe koncepteve të gjera në lidhje me të cilat Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe FLYNAS mund të krijojnë një marrëdhënie ndërmjet tyre”, nënvizoi Balluku. Ministrja solli në vëmendje investimet e bëra sa i takon Aviacionit Civil, duke përmendur nisjen e punimeve për aeroportin e Kukësit, por edhe aeroportin e Vlorës, për të cilin tha se së shpejti do të hapet një konkurs ndërkombëtar.

Balluku nënvizoi se në saj të këtyre investimeve, në të ardhmen kompani të tjera serioze do të vendosin linjat e tyre në Shqipëri. “Realizmi i këtyre projekteve do të krijojnë hapësirat e duhura që edhe shumë kompani serioze në të ardhmen të jenë të interesuara për të vendosur linjat e tyre në Shqipëri, ashtu siç FLYNAS po bën sot, duke krijuar kështu edhe konkurrencën e nevojshme për të pasur shërbim sa më cilësor dhe çmime sa më kompetitive”, deklaroi Balluku.

Nga ana e tij, presidenti i kompanisë FLYNAS, Bander Al-Mohanna, e cilësoi marrëveshjen me MIE-në si strategjike veçanërisht sa i takon mbështetjes dhe fuqizimit të turizmit. “Jemi këtu me bindjen e plotë që Shqipëria i ka të gjithë përbërësit e duhur që të bëhet një vend atraktiv turizmi për Arabinë Saudite, por edhe për vendet e tjera të rajonit. Në muajt vijues do të punojmë ngushtësisht me ministrinë përkatëse por edhe ato të linjës, si edhe me ambasadën shqiptare në Riad për të nisur një fushatë promovimi për Shqipërinë që të bëhet një destinacion turizmi jo vetëm për vendin tonë, por edhe për vendet e Gjirit Persik”, u shpreh presidenti Al-Mohanna.

Flynas është një kompani low cost me qendër në Arabinë Saudite, e themeluar në vitin 2007. Aktualisht kjo kompani ka në flotën e saj 31 avionë dhe së shpejti do të nënshkruajë marrëveshjen e dytë më të madhe në rajon me Airbus për të marrë edhe 120 avionë të tjerë. Në vitin 2018 rreth 6.6 milionë pasagjerë kanë fluturuar nëpërmjet 60 mijë fluturimeve kombëtare dhe ndërkombëtare të Flynas. Destinacionet e fluturimeve të kësaj kompanie ajrore përfshijnë Austrinë, Turqinë dhe Greqinë në Europë si dhe gjithë vendet e Lindjes së Mesme dhe një sërë vendesh të Lindjes së Largët.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button