Opinion

Pse e mohon Serbia Kosovën e pavarur

Le të mos çuditet kush kur dëgjon himnet për Millosheviqin në Beograd, madje edhe prej Presidentit ‘joproblematik’ serb, apo mohimet e vazhdueshme të krimeve ndaj shqiptarëve: ndaj 13.000-14.000 shqiptarëve të vrarë në Kosovë nga makineria serbe. Natyrisht, as mohimin e realitetit të Kosovës së pavarur prej Qeverisë, Kishës Serbe e opozitës në Beograd. U ka levërdisur serbëve ta bëjnë këtë

Muhamet Hamiti

U ka levërdisur serbëve të mohojnë krimet ndaj shqiptarëve dhe realitetin e Kosovës së pavarur, siç argumentohet në këtë shkrim.

Serbia ka refuzuar të pranojë zgjidhjet paqësore, me kompromis, për Kosovën në Rambuje (1999) dhe në Vjenë (2007), përkundër përfshirjes domethënëse ndërkombëtare të vendeve kyçe evropiane (Britani e Madhe, Gjermani, Francë, Itali) dhe të Shteteve të Bashkuara dhe të Rusisë, të njohura bashkarisht si Grupi i Kontaktit. Serbia është detyruar të tërheqë trupat e veta ushtarake, paraushtarake e policore nga Kosova në qershor të vitit 1999, në përfundim të luftës së Kosovës, mbas fushatës ajrore të NATO-s kundër Serbisë, aksion që parandaloi shfarosjen e shqiptarëve dhe zhdukjen e Kosovës.

Kosova u ringjall pas luftës dhe qëndroi nën kujdestari të Kombeve të Bashkuara deri më 2008, kur, në koordinim me një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare, e shpalli pavarësinë, cila është njohur nga më shumë se 100 vende anëtare të OKB-së. Është legjitimuar poashtu nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në korrik të vitit 2010.

Ndonëse me vështirësi, Kosova kishte pranuar Marrëveshjen e Rambujesë për zgjidhje kalimtare për Kosovën. Jo pa vështirësi, Kosova ka pranuar kompromise të dhimbshme gjatë procesit ndërkombëtar për përcaktim të statusit përfundimtar të Kosovës në procesin e Vjenës, që pëfundoi në vitin 2007. Propozimi i Presidentit Ahtisaari për pavarësi të mbikëqyrur fillimisht iu paraqit edhe OKB-së. Nuk kaloi aty për shkak të kundërshtimit të Rusisë, mbrojtësit të Serbisë.

Në gjithë këto vite – dy dekada të plota – Serbia vazhdon të mohojë realitetin e krimeve, të luftës gjenocidale kundër shqiptarëve të Kosovës që kishte kryer në emër të popullit serb, pa kundërshtime të këtij të fundit. Rrjedhimisht, si rezultat i gjendjes psiko-sociale e politike të mohimit permanent të realitetit të luftës dhe të krimeve të tmerrshme që ka kryer, të vërtetuara edhe nga Gjykata Penale për ish-Jugosllavinë, Serbia e sotme, në dukje demokratike, vazhdon të mohojë realitetin e Kosovës së pavarur.Pse e bëjnë serbët këtë? Pse mohojnë krimet, madje edhe masakrën e Reçakut, që vuri në lëvizje botën perëndimore dhe aleancën e saj ushtarake , NATO-n? Pse mohojnë pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës, atë tërësi tokësore që Kosova e kishte në ish-Jugosllavi?Përgjigjja është e thjeshtë, por jo tepër e thjeshtë. Serbisë i ka levërdisur ky mohim i realitetit. Faj për këtë kanë edhe Kosova dhe bashkësia ndërkombëtare.

Ja pse.

Kosova ka pranuar kompromisin që paraqet Pakoja e Ahtisaarit, pjesë e pandashme e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që u siguron të drejta e privilegje të pakundshoqe serbëve dhe pakicave të tjera kombëtare në Kosovë. Serbia nuk e ka pranuar. Kosova, prandaj, detyrohet të funksionojë me shtrëngesat e dispozitave kushtetuese që i japin pushtet kontigjentit politik serb, që, në përkthim i bie Qeverisë në Beograd, e cila e dikton përbërjen dhe besnikërinë e këtij kontigjenti. Serbët përfitojnë prej kompromisit tonë, që nuk e pranojnë.

Mbasi nuk e ka njohur as Kosovën e pavarur as pakon e kompromisit Ahtisaari, Serbia ia ka dalë, falë politikës së gabuar të establishmentit politik të Kosovës, por edhe BE-së së përçarë — shkaku i 5 vendeve të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e vendit tonë – që të hyjë në proces për të ri-negocuar aranzhmane për organizim të brendshëm shtetëtor në Kosovë. Bashkësia e komunave serbe (Zajednica) është rezultat i këtij ri-negociimi.Kosova, gjithësesi me shtytje të BE-së, ka pranuar të hyjnë në dialog për ‘çështje teknike’ (të gjitha efektivisht politike) me Serbinë duke i mundësuar kësaj të vazhdojë të besojë se Kosova nuk është e pavarur. (Dialogu nuk është quajtur kurrë dialog ndërmjet Kosovës e Serbisë, por dialog Prishtinë-Beograd!) Se edhe në qoftë e pavarur, simbas tyre, kjo të mund të dobësohet në substancë, qoftë duke e shkokluar së brendshmi, qoftë duke i shkoqur Kosovës një pjesë të territorit. Gjatë gjithë kësaj kohe, në këtë lojë të dyfishtë, Serbia ia ka dalë të bëjë përparime drejt anëtarësimit në BE.

Kur pa se po përparonte drejt BE-së me gjeste në dukje kompromisi ndaj Kosovës, Serbia në verën e kaluar e riaktualizoi në kancelari ndërkombëtare politikën e vet të moçme për ndarjen e Kosovës. Me sukses, në fillim. Qarqe të BE-së, duke përfshirë Përfaqësuesen e BE-së për Politikë të Jashtme Federica Mogherinin dhe Komisionerin për Zgjerim, Johannes Hahn, por edhe vende të caktuara në BE, nisën të flisnin për zgjidhjen përfundimtare për Kosovën që do të përfshinte shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ia dolën të bindin edhe qarqe amerikane afër Presidentit Trump se kjo mund të ishte zgjidhje. Angazhimi i Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për zgjidhje me korrigjim kufiri (që ka variuar në fjalorin e tij herë si shkëmbim territoresh, herë thjesht si bashkim i Luginës së Preshevës me Kosovën) por edhe qëndrimi i Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në këtë linjë, krijoi përshtypjen te qarqe të caktuara se kjo po bëhej një profeci që do të përmbushej. E paevitueshme madje!

Kur u pa se partitë politike, Qeveria e Kosovës, populli i Kosovës përgjithësisht, dolën kundër prekjes së kufijve të Kosovës dhe koncesioneve të reja ndaj Serbisë në dëm të sovranitetit të Kosovës, ideja e ndarjes/shkëmbimit territorial/korrigjimit të kufijve u përskajua, nëse nuk u hoq krejt prej diskutimi, Serbia riktheu intensitetin e mohimit të realitetit në Kosovë. U trimëruan udhëheqësit serbë, dikur bashkëpunëtorë të ngushtë të Millosheviqit, Presidenti Vuçiq dhe Ministri i Jashtëm Daçiq, kur panë se mund ta mburrnin ‘liderin e tyre të madh’, kasapin e Ballkanit Millosheviq, pa u qortuar prej kujt. Jo prej Serbisë, po as prej bashkësisë ndërkombëtare. Mbas deklaratave lavdëruese për Millosheviqin në Mitrovicë shtatorin e kaluar, Vuçiqi madje quhej ‘udhëheqës i guximshëm’ prej diplomatëve perëndimorë, në idenë e tyre naive se do ta kandisnin ashtu Presidentin e ‘reformuar’ të Serbisë të bënte kompromise që do të shpienin te zgjidhja obligative juridike për Kosovën.

Ky Vuçiqi i guximshëm, prandaj, ka mohuar kësaj pranvere krimet që ka kryer Serbia e tij në Kosovë, masakrën në Reçak por edhe qindra të tjera gjetiu, në kohën kur ai vetë ishte pjesëtar i kabinetit të luftës të Millosheviqit.Pas përfundimit të Luftës së Dytë, ka qenë politikë ndërkombëtare denacifikimi i Gjermanisë. Demillosheviqizimi i Serbisë nuk ka ndodhur. As do të ndodhë. Bashkësia ndërkombëtare nuk po e kërkon.

Le të mos çuditet kush, prandaj, kur dëgjon himnet për Millosheviqin në Beograd, madje edhe prej Presidentit ‘joproblematik’ serb, apo mohimet e vazhdueshme të krimeve ndaj shqiptarëve: ndaj 13.000-14.000 shqiptarëve të vrarë në Kosovë nga makineria serbe. Natyrisht, as mohimin e realitetit të Kosovës së pavarur prej Qeverisë, Kishës Serbe e opozitës në Beograd.

U ka levërdisur serbëve ta bëjnë këtë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button