Politika

IMEI, qeveria shfuqizon VKM-në për celularët

Reagon deputeti i PD-së, Halimi: Rama u tërhoq nga përgjimi i shqiptarëve

IMEI_cell_phoneQeveria shqiptare tërheq vendimin për regjistrimin e detyrueshëm të aparateve celulare, të njohur ndryshe dhe si kodi IMEI. Vendimi i qeverisë është marrë në mbledhjen e datës 1 tetor, por vetëm ai bëhet publik pas botimit në Fletoren Zyrtare të datës 8 tetor. Sipas vendimit mësohet se propozimi për të shfuqizuar një akt të tillë ka ardhur pikërisht nga ministrat e Financave, Shkëlqim Cani, dhe i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito. “Këshilli i Ministrave vendosi: Shfuqizimin e vendimit nr. 354, datë 4.6.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për ngritjen e bazës së të dhënave IMEI dhe regjistrimin e numrave IMEI të aparateve celulare, që përdoren në rrjetet e shërbimeve të komunikimeve të lëvizshme”. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare”, thuhet në VKM numër 642. Kjo VKM është marrë në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 121 dhe 124, të ligjit nr. 8485, datë 2.5.1999, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”. Vendimi i marrë në 6 qershor nga ana e qeverisë “Rama” shkaktoi shumë përplasje mes mazhorancës dhe opozitës. Demokratët e kontestuan një vendim të tillë, duke e cilësuar si antikushtetues dhe që shkel liritë dhe të drejtat e njeriut. PD-ja ndërmori nismën për ta ankimuar një vendim të tillë në Gjykatën Kushtetuese, duke paraqitur argumentet se bie ndesh dhe me vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut. Më 17 shtator, Gjykata Kushtetuese mori vendimin për të pezulluar aktin e qeverisë, derisa të merrej shpallej verdikti final mbi IMEI-n. “Gjykata Kushtetuese me vendimin e datës 17.09.2014, njëzëri, vendosi: Të urdhërojë pezullimin e zbatimit të vendimit nr. 354, datë 04.06.2014 të Këshillit të Ministrave “Për ngritjen e bazës së të dhënave IMEI për regjistrimin e numrave IMEI të aparateve celulare, që përdoren në rrjetet e shërbimeve të komunikimeve të lëvizshme” derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi”, thuhet në njoftimin e datës 16 shtator. Për këtë vendim të qeverisë, në mënyrë të menjëhershme ka ardhur dhe reagimi i deputetit të PD-së, Eduard Halimi. “Qeveria tërhiqet për IMEI-n. Një kauzë që mbështetet në parimet europiane, që mbështetet nga të gjithë qytetarët dhe shoqëria civile, fitohet sado arrogante të jetë qeveria, sado autoritarist të jetë Kryeministri. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen. Vlerësim për Gjykatën Kushtetuese që qëndroi në anën e parimeve dhe qytetarëve. Qeveria u zmbraps, vendimi për të përgjuar shqiptarët ra!”, reagon Halimi në Facebook.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button