Home / Kronika / Gara për Prokurorin e Përgjithshëm, regjistrohet në KLP kandidatura e parë

Gara për Prokurorin e Përgjithshëm, regjistrohet në KLP kandidatura e parë

Olsian Çela është kandidatura e parë që regjistrohet për garën e hapur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm. Mësohet se Çela, i cili është aktualisht prokuror te Krimet e Rënda, ka dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm pranë KPK paraditen e së premtes.

Këshillli hapi garën me 19 mars, pasi miratoi më parë rregulloren mbi kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve, ku përfshihet dhe procesi i rivlerësimit. Koha në dispozicion për aplikantët është 30 ditë. Më pas Këshilli, brenda 45 ditëve do të bëjë vlerësimin e tij mbi plotësimin e kushteve nga ana e kandidatëve si dhe do të zhvillojë seanca dëgjimore me ta.

Sipas Kushtetutës, e cila ju përshtat reformës në Drejtësi në vitin 2016, Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me tre të pestat e votave. Këshilli i Lartë i prokurorisë i dërgon parlamentit tre kandidatura të renditura sipas vlerësimit që kanë marrë.

Nëse parlamenti dështon në zgjedhjen e njërit prej tre kandidatëve, brenda 30 ditëve nga marrja e propozimeve, atëherë emërohet automatikisht ai që është i renditur i pari në listë.

Sipas rregullores së miratuar disa javë më parë, prokurori që do të kandidojë për të marrë drejtimin e organit qendror të akuzës duhet të ketë: 15 vjet përvojë pune si jurist i spikatur; të jetë diplomuar në Shkollën e Magjistraturës ose të ketë gradë shkencore në drejtësi; të mos ketë mbushur moshën e daljes në pension; të mos ketë mbajtur gjatë 10 viteve të fundit, para dorëzimit të shprehjes së interesit për Prokuror të Përgjithshëm, funksione politike në administratën publike; të mos ketë mbajtur gjatë 10 viteve të fundit pozicione drejtuese në partitë politike; të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991; të mos kenë qenë dënuar më parë me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale; të mos kenë qenë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve të inteligjencës dhe të mos kenë masë disiplinore në fuqi.

Leave a Reply

%d bloggers like this: