Kryeartikull

Kur opozita e vjetër e humb rrugën në oborr!

Alfred Peza

Pas dështimit të strategjisë së protestave, liderët e opozitës mblodhën strukturat e tyre për të përcaktuar një rrugë të re, përpara zgjedhjeve të përgjithshme lokale të 30 qershorit. Të kapur në grackën që i ngritën vetes, duke djegur mandatet për të dalë nga sistemi parlamentar, strategjia e re që u bë publike pas kësaj, rezultoi të ishte thjeshtë një plagjiaturë e një fillimi të vjetër.

Duke e barazuar de jure “dialogun politik” dhe “zgjedhjet e lira” me “pushtetin në tavoloinë” de facto, opozita jonë nuk po bën gjë tjetër, veçse po rrotullohet rreth bishtit të vet politik, të ngecur në çark. Një lëvizje kjo e pamenduar gjatë, pasi duket se lidershipi i PD dhe LSI janë kapur të papërgatitur, nga dinamika e zhvillimeve reale politike në terren.

Brenda Parlamentit në seancën e fundit plenare, u krijuan dy grupe parlamentare opozitare, të përbëra nga deputetët e rinj të PD dhe të LSI që kanë zënë vendet e lëna bosh nga opozita e vjetër. Rudina Hajdari, kryetarja e grupit të ri demokrat, deklaroi se do të marri pjesë në zgjedhjet lokale dhe i bëri thirrje të gjithë demokratëve që të bashkohen dhe të mbështesin alternativën e re.

Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca shprehu menjëherë mbështetjen, duke shprehur dëshirën që kjo opozitë e re parlamentare, të mari pjesë në zgjedhje. Pak përpara kësaj, përfaqësuesja e lartë e BE, Federica Mogherini tha se pret që Maqedonia Veriore e Shqipëria të hapin negociatat e pranimit në BE në qershor. “Kur të shikoni në hartën e Evropës, shihni se Ballkani është në Europë. Prandaj, në vend të fjalës zgjerim, më pëlqen të them ribashkimin e Ballkanit me Europën“,- tha ajo.

Bashkë me deklaratën e një jave më parë të zv. Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, Metthew Palmer se zgjedhje të parakohëshme parlamentare në Shqipëri nuk ka,- kuptohet që toka nën këmbët e lidershipit opozitar, ka rrëshqitur më shpejt se sa e kanë menduar. Afatet ligjore për pjesëmarrjen në procesin zgjedhor, nga ana e “Opozitës së Bashkuar”, po ikin një e nga një. Edhe 70 ditët e fundit që na ndajnë nga 30 qershori, duket se do të shërbejnë më së shumti, për formësimin e një realiteti të ri opozitar. Ky realitet po inkurajohet si nga BE ashtu edhe nga SHBA, që të ketë kandidatët e vet si për këshillat, ashtu edhe për kreun e 61 bashkive të vendit.

Opozita e vjetër, ndërkohë po dëshmon, se ka humbur përfundimisht rrugën në oborrin e vet. Mjafton që për këtë të dëgjojmë deklaratat e fundit të kryetarit të PD Lulzim Basha kur thotë se “largimi i Ramës është kusht i parë dhe i panegociueshëm për nisjen e dialogut politike me PS, dialog i cili duhet të çojë në një qeveri tranzitore me mandat për të përgatitur zgjedhje të lira dhe të ndershme.”

Vetëm lideri i opozitës nuk e paska kuptuar ende në Shqipëri, se askush nuk të dhuron pushtet në tavolinë dhe se i vetmi kusht i panegociueshëm sot, është rikthimi i lojës opozitare brenda sistemit të rregullave e institucioneve demokratike dhe pjesëmarrja e saj në zgjedhjet lokale. Por me sa duket, lidershipi opozitar, pas daljes nga sistemi ka nisur të dali edhe jashtë kohe. Shenjë e sigurtë se, herët ose vonë, janë drejt rrugës për të dalë edhe jashtë loje. Simtoma e parë u shfaq hapur kur projeksionin virtual të dëshirave të tyre politike, nëpërmjet Kryetarit të opozitës, nisën që ta shesin publikisht si një realitet të mirëqenë.

Mjafton që për këtë të lexosh këtë deklaratë të Bashës: “Në bashkëpunim jo vetëm me aleatët tanë politik, por me gjithë shoqërinë, gjatë ditëve dhe javëve në vijim ne do të shpalosim propozimet tona për mandatin e qeverisë tranzitore dhe propozimet tona do ti nënshtrohen një diskutimi publik, në mënyrë që mandati dhe detyrat e qeverisë tranzitore mos jenë thjesht kalkulim politik i opozitës së bashkuar, por të përfaqësojnë konsensusin më të gjerë shoqëror për ta nxjerrë Shqipërinë nga kjo krizë.”

Dikush duhet ta shkundi z. Basha që të zgjohet nga ky gjumë i rëndë dhe me plot ëndërra si kjo, e ti këndojë në anglisht, ato vargjet e njohura të këngës: Jeta është realitet/ realiteti është jetë… Duke mos harruar në fund që ti thotë, se koha kur fëmijët i zinte gjumi me bukë lepurushi në dorë, ka kaluar!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button