Kronika

Interpoli ekstradon në SHBA dy të rinj të kërkuar ndërkombëtarë

Interpol Tirana ka ekstraduar drejt SHBA-së dy shtetas të kërkuar nga Interpol Washingtoni. Në kuadër të bashkëpunimit me Shërbimin Diplomatik të Sigurisë dhe Hetimit pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë dhe Interpol Washingtonin/SHBA, u bë ekstradimi nga Shqipëria drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës i shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe të arrestuar në Shqipëri, konkretisht: Vincent DeCaro, 30 vjeç, lindur në SHBA, Arbër Isaku, 30 vjeç, lindur, në SHBA.

Shtetasit e mësipërm ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Washingtoni/SHBA, pasi Gjykata e Connecticut/SH.B.A. në vitin 2018 ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe substancave psikotrope” parashikuar nga Kodi Penal i SHBA-së.

Arrestimi provizor i shtetasve të mësipërm me qëllim ekstradimi drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është bërë në datën 21.09.2018 gjatë një operacioni të përbashkët mes Policisë së Shtetit dhe Shërbimin Diplomatik të Sigurisë dhe Hetimit pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkura të Amerikës në Tiranë dhe Interpol Washingtonin/SHBA.

Shtetasit e mësipërm iu dorëzuan Oficerëve të Policisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Aeroportin e Rinasit.

KUSH JANË DY TË RINJTË?
DeCaro dhe Isaku, u arrestuan teksa tentonin të largoheshin drejt Kosovës nga pika e kalimit kufitar e Morinës. Ata ishin nën hetim prej 1 viti nga DEA ndërkohë që kishin krijuar bazë dhe fshiheshin në Tiranë, ku po përgatiteshin për të prodhuar drogë sintetike.

Pas marrjes së letër porosisë dhe vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda për ekzekutimin e saj, Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, pas 1 muaj hetimi në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe DEA-n arriti të zbulojë bazën ku fshiheshin.

Gjatë kontrollit në bazën ku fshiheshin dhe zhvillonin aktivitetin kriminal këta shtetas, u gjetën dhe u sekuestruan mjetet dhe prekursorët që do të shërbenin për përgatitjen e drograve sintetike si edhe një numër i madh pajisjesh elektronike. Shtetasit e mësipërm u mbajtën nën vëzhgim nga agjentët e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe u arrestuan në Morinë, në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria. Në operacion kanë marrë pjesë edhe agjentë e DEA-s.

Isaku një shqiptaro-amerikan i lindur dhe rezident në Nju York ishte prej disa muajsh me qëndrim në Shqipëri. Ai ishte arrestuar nga policia amerikane më 27 gusht 2017 dhe gjatë kontrollit të banesës, agjentët amerikanë kanë mundur të sekuestrojnë 160 gr fentanyl dhe 200 tableta 30 gr të dyshuara si lëndë psikotrope.

Të dy kishin krijuar në një kompleks pranë rrugës së Kavajës, laboratorin e prodhimit të drograve sintetike. Nga letër-porosia e autoriteteve amerikane rezulton se eksperti i përzierjeve kimike dhe realizimit të lëndëve narkotike sintetike ishte De Caro. I përfshirë në këtë aktivitet kriminal rezulton dhe një shtetas tjetër amerikan i proceduar më parë i njohur me emrin Richard, por për llogari të drejtësisë amerikane. Tregu në të cilin operonin me aktivitetin e tyre të paligjshëm ishte portal “DarkWeb” në të cilin të fshehur pas pseudonimeve personat kryenin tregti droge dhe arme.

Agjentët amerikanë kanë kërkuar nga autoritetet shqiptare të ekzaminohen të gjitha pajisjet elektronike të sekuestruara të arrestuarve si dhe IP linja e internetit përdorur nga De Caro dhe Isaku gjatë periudhës që ata kanë qëndruar në Shqipëri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button