Home / Kronika / Urime për Pashkët: Rama me Memoralin e Troshanit, Basha me Kishën e Shna Ndout

Urime për Pashkët: Rama me Memoralin e Troshanit, Basha me Kishën e Shna Ndout

Kryeministri Edi Rama uroi sot besimtarët katolikë me rastin e festës së Pashkës. Për të uruar këtë festë, Kryeministri zgjodhi një foto nga Memorialit në Kuvendin e Troshanit, ku mësoi, u rrit dhe dha më pas mësim At Gjergj Fishta.

“Mirëmëngjes dhe me këtë pamje të Memorialit në Kuvendin e Troshanit, ku mësoi, u rrit dhe dha më pas mësim At Gjergj Fishta, ju uroj Pashkë të gëzuara”, tha Rama.

Kuvendi i Troshanit, i ndodhur në Troshan të Lezhës, ka nxjerrë françeskanë të shquar si At Gjergj Fishta, Ambroz Marlaskaj, Leon Kabashi, Shtjefën Gjeçovi, Pashko Bardhi e shumë të tjerë, të cilët kanë lënë gjurmë në historinë dhe kulturën shqiptare.

Sot, Kuvendi i Troshanit është restauruar dhe sistemuar me shumë kujdes nga Provinca Françeskane Shqiptare. Ai zotëron ambiente të brendshme të bollshme dhe shumë të përshtatshme për krijimin e një muzeu përkujtimor në nder të të gjithë figurave të ndritura françeskane shqiptare, duke u bërë kështu edhe një mundësi e shkëlqyer për turizëm kulturor.

Kuvendi i Troshanit ndodhet jo larg fshatit Fishtë, aty ku etërit françeskanë në vitin 1639 erdhën në shkrepat e këtij fshati të Zadrimës duke ngritur një Kishë dhe një shtëpi për të varfërit.

Ndërkohë,  Kryedemokratik Lulzim Basha ka shkuar sot në Kishën e Shna Ndoit në Lac, prej nga ku uroi të gjithë besimtarët katolikë e ungjillorë për Pashkët. Lutjet e tij shkojnë edhe për gjithë shqiptarët, sidomos ata më të pamundurit e të sëmurët.

Urimin e tij Basha e ka shpërndarë përmes një video selfie në profilin e tij në Facebook. “Sapo kam mbërritur në një nga vendet më të shenjta për shqiptarët, Kishën e Shna Ndoit në Laç dhe dua prej këtej t’ju uroj gjithë shqiptarëve katolikë e ungjillorë, të gjithë shqiptarëve: Gëzuar për shumë vjet Pashkët! Lutem në këtë ditë për gjithë bashkëqytetarët mi, veçanërisht për ata në nevojë, për të vobektit, për të sëmurët dhe familjarët e tyre. Ata që vuajnë padrejtësitë. Lutem që kjo ditë e ngjalljes së Krishtit të jetë dita e ringjalljes së shpresës dhe besimit tek paqja dhe e nesërmja e sigurt nën drejtimin e Zotit besimplotë”,- shprehet Basha.

Ai po ashtu dha një mesazh për çdo shqiptar, të cilët i ftoi të bashkohen me qëllim çlirimni e Shqipërisë nga padrejtësitë.

“Sot kam një urim për të gjithë shqiptarët kudo ku janë që Zoti të na e ndriçojë rrugën e bashkimit kundër padrejtësive, për ta çliruar Shqipërinë nga padrejtësitë, për tu bashkuar të gjithë si vëllezër e motra nën Perëndinë, nën Zotin në këtë ditë të ngjalljes së Krishtit dhe të shpresës! Për një Shqipëri të paqes, të së ardhmes më të mirë për çdo familje, për çdo shqiptar! Zoti e bekoftë Shqipërinë”,- uroi Basha ndër të tjera.

Leave a Reply

%d bloggers like this: