Home / Kronika / Vjedhja në aeroport, 4 në pranga, ja emrat e tyre

Vjedhja në aeroport, 4 në pranga, ja emrat e tyre

Gati dy javë nga grabitja në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, ku mbeti i vrarë Admir Murataj, janë kryer dhe ndalimet e para. Policia njoftoi sot se janë 4 persona që kanë përfunduar në pranga. Bëhet fjalë për dy persona, Renaldo Sula dhe Saimir Çela, nga Elbasani, të cilët dyshohet se kanë patur një rol mbështetës. Pikërisht në Elbasan policia ka zbuluar një pikë servisi makine ku mendohet se është bërë prej tyre, modifikimi i automjetit me të cilin është kryer grabitja në pistën e aeroportit. Servisi ishte marrë me qera në muajin shtator të viti të shkuar nga Eldi Çala, vëllai i Klement Çalës, person në kërkim dhe i dyshuar të ketë qenë krahu i djathtë i Admir Muratajt. Të dy së bashku, ata janë autorë të disa grabitjeve të mëparshme në Greqi dhe në Shqipëri.

Dy të ndaluarit e tjerë janë Alkond Bengasi, nga Elbasani por me banim në Tiranë dhe Olsian Veseli nga Fushë Kruja. Edhe ata dyshohet se kanë patur një rol dytësor në grabitje duke ndihmuar në faza të ndryshme të saj. Të paktën njëri prej tyre mendohet të ketë qenë shoferi i furgonit të dytë me të cilin grabitësit, pas shkëmbimit të zjarrit me policinë, arritën të largoheshin.

Grabitja në aeroportin e vetëm ndërkombëtar të Shqipërisë, ndodhi pasditen e 9 prillit. Autorët arritën të hyjnë në një nga portat e rrethimit të jashtëm, duke larguar pengesat prej betoni dhe duke prerë drynin e portës, për të mbërritur pranë avionit të Austrian Airlines ku po ngarkoheshin 5.7 milion euro – para të të tre bankave – të cilat do të transferoheshin jashtë vendit. Me shpejtësi automjeti përdori një tjetër pikë për daljen nga aeroporti, jo më shumë se 5 minuta nga momenti i hyrjes. Jo larg tij, grabitësit ndeshën me një patrullë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, gjatë së cilës ndodhi dhe shkëmbi i zjarrit ku mbeti i vrarë Murataj.

Grabitja, e dyta brenda tre vitesh brenda në pistë, riktheu dhe një herë debatet për sigurinë, duke vënë në shënjestër kompaninë e cila administron aeroportin dhe ka përgjegjësinë dhe të sigurisë së tij të brendshme. Ministria e Mbrojtjes angazhoi menjëherë trupa të ushtrisë për perimetrin e jashtëm të aeroportit, ndërsa policia ju imponua kompanisë e cila u detyrua të pranonte që deri në marrjen e të gjitha masave, kontrolli i brendshëm të kryhet tanimë në bashkëpunim me forcat e Rendit.

Leave a Reply

%d bloggers like this: