Home / Politika / Projekti i rijetësimit, Rama: Piramida, pikë referimi në rajon dhe më gjerë

Projekti i rijetësimit, Rama: Piramida, pikë referimi në rajon dhe më gjerë

“Projekti për transformimin e Piramidës në një qendër të madhe për teknologjinë e informacionit do t’a shndërrojë këtë godinë në një pikë referimi jo vetëm në rajon por edhe më gjerë”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Në prezantimin e projektit për rijetëzimin e Piramidës, Rama tha po ashtu se ky është një projekt ambicioz dhe si rrallëherë nuk është shumë i shtrenjtë.

“Duhet të ketë qenë 15 vite më parë kur unë i kam bërë një pyetje Winy Mass (arkitekti) lidhur me piramidën. Isha kryetar i Bashkisë dhe më mundonte shumë fakti që Piramida, një ndërtesë ikonike e një periudhe të posaçme historike për vendin, por edhe një eksperiencë jete të posaçme për të gjithë ne, mbetej aty si një shprehje torturuese e pamundësisë për t’i ikur asaj që ajo përfaqësonte në kohën e kaluar dhe për t’i dhënë asaj një jetë të re. Dhe u deshën 15 vjet, që Wini t’i japë përgjigje pyetjes, duke ia dalë të fitojë një sfidë, që nuk është gjithmonë e mundur, sfidën e transformimit të një ikone arkitektonike të krijuar për një qëllim krejt tjetër, në një vlerë të shtuar për një kohë të re”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “në këtë projekt u prezantuan të gjitha pamjet e asimetrisë mes të shkuarës dhe të ardhmes, duke pasur në qendër të njëjtën piramidë”.

Me këtë projekt, tha Rama, ia kemi dalë të zgjidhim një dilemë që na ka munduar prej 30 vitesh me këtë godinë. “Ka pasur një moment kur një qeveri më parë vendosi ta shembte Piramidën, ka pasur një debat publik, madje u krijua edhe një masë kritike çuditërisht të rinjsh, që shumë më pak lidhje kishin me kohën e shkuar, që nënshkruan peticionin për të mos e shembur piramidën. Megjithatë ruajta e godinës nuk zgjidhi përfundimisht çështjen e funksionit të saj. Sfida e fituar nga Winy në këtë rast është spektakolare për faktin se këtij simboli të diktaturës dhe të pushtetit të një njeriu mbi të tjerët, i jep fuqinë e simbolit të pushtetit të çdo njeriu në një kohë të re”, – shtoi Rama.

Duke komentuar projektin, Rama tha se “nga një godinë e ndërtuar për të sjellë në rresht të gjithë njerëzit që të adhuronin diktaturën dhe diktatorin, tashmë projekti i sjell në tufa njerëzit për të celebruar lirinë, jetën dhe ngjitjen drejt qiellit të secilit”.

“Duket dhe është një zgjidhje arkitektonike por në të njëjtën kohë edhe një shprehje kuptimplotë e lidhjes mes formës dhe përmbajtjes. Si rrallëherë brenda do të ketë një program që zgjidh përfundimisht dilemën se çfarë do të bëjë për të ardhmen kjo godinë, falë bashkëpunimit të ngushtë me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan do t’i japim mundësi më të rinjve të lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me botën e re dixhitale”, – tha Rama.

Ndërkohë sipas tij, “e gjithë lëvozhga e saj, shkallët, janë aty për t’u dhënë të gjithëve një mundësi të re të eksperiencës në një qytet me një godinë ngjitje dhe zbritje, por edhe duke mishëruar atë përpjekje drejt ngjitjes së majave të gjithë atyre që kanë ambicien për të pushtuar qiellin”.

“Është një projekt ambicioz dhe si rrallëherë nuk është shumë i shtrenjtë. Është ndër projektet ndoshta më pak i shtrenjtë i ndërtuar nga Winy Mass, por jam i bindur që do të jetë në katalogun e tij, një ndër projektet më të bukur ose më interesantë sepse kombinon një arkeologji të së shkuarës historike të dhimbshme me gjithë kapacitetin për të ndërtuar të ardhmen. Nga pikëpamja e zgjidhjes është një zgjidhje që e bën Tiranën, Piramidën shumë më atraktive se sa godina me shkallë në Nju Jork”, – tha Rama.

Jo thjesht për shkak të arkitekturës por edhe për programin që do të përmbajë, sipas Ramës, “kjo godinë mund të jetë në të ardhmen një pikë referimi jo vetëm në rajon por edhe më gjerë, se si dhe një vend i vogël si Shqipëria me fuqi financiare të kufizuara i drejtohet botës së re dixhitale dhe ndërton një shembull që ka impakt global”.

“Ashtu si TUMO në Paris dhe Armeni, ne jemi vendi i tretë që e përqafojmë këtë model”, tha Rama.

Ai theksoi se projekti do të nisë të zbatohet në qershor 2019 për të përfunduar 12 muaj më pas në qershor 2020. Kryeministri vlerësoi po ashtu angazhimin e kryetarit të bashkisë, Erjon Veliaj për realizimin e këtij projekti dhe për ta bërë këtë godinë të gatshme për Samitin Dixhital të vitit të ardhshëm për të gjitha vendet që i përkasin formatit 16+1.

Projekti, tha Rama, na jep mundësinë të zgjidhim një dilemë shumë torturuese për vite të tëra, një varr i hapur në mes të Tiranës ta kthejmë në një godinë me një barrë të rëndë historike dhe trashëgimie, por edhe me një potencial të jashtëzakonshëm për të rilindur”. “Projekti do të realizohet falë këtij ekipi dhe falë fuqisë së imagjinatës dhe dorës mjeshtërore të Winy Mass, që unë pretendoj se e kam karakterizuar më mirë se të gjithë ata që kanë shkruar për të si: rrobaqepës i pagabueshëm ëndrrash”, tha Rama, duke shtuar se “dallimin mes ëndrrës dhe realitetit e bën projekti dhe ne jemi këtu me projektin e duhur për ta bërë ëndrrën realitet”.

Leave a Reply

%d bloggers like this: