Home / Arte / Teater / Hamleti, të luash vetveten

Hamleti, të luash vetveten

Alfred-bualoti-320x217“Neveria është privilegji im”. Nën lëkurën e Hamletit, Alfred Bualoti i thotë këto fjalë, teksa është mbështetur në hekura. Asgjë s’mund ta ndalë dëshpërimin e tij, vetëm pak pasi Ofelia kishte mbajtur një monolog trishtues. “Jam gruaja me damarët e prerë, me kokën tek soba me gaz…Jam vetëm me gjinjtë e mi…”, shprehej ajo teksa donte të griste të gjitha letrat e burrave që kishte dashur. Por këto dy personazhe që Shekspiri i krijoi shekuj më parë, nuk erdhën si krijesa të tij në skenën e Teatrit Eksperimental këtë fundjavë, por si krijesa të dramaturgut gjerman Heiner Muller, i cili e ndiente deri në deje vuajtjen e Ofelisë. (bashkëshortja e tij pati të njëjtin fund, vetëvrasje). Teksa në ekranin e madh u shfaq një pasazh nga filmi “Pylli i lirisë” ku Bualoti, atëherë i ri ecte bri kalit me këmbët e zhytur në rërë, në skenë tashmë Vlashio ishte kthyer në një Hamlet. Një interpretim ndryshe i Bualotit, sa tragjik aq dhe bashkëkohor. Një rol që ai e kishte futur nën lëkurë, për vetë dramën që mbartte, një dramë që po luhej tani dhe në jetën e tij. Pas gati 35 vitesh punë në Teatrin Kombëtar, Bualoti nuk është më pjesë e këtij institucioni. Më poshtë, në një intervistë ai tregon për rolin te “HamletMakina” me regji të Stefan Çapalikut, dhe si e sheh reformën në teatër, apo shoqërinë shqiptare sot.

Riktheheni në teatër me rolin e Hamletit, një personazh sfidë për çdo aktor. Një nga mesazhet e këtij personazhi në të gjitha kohërat është ai i luftës së intelektualit për të mbijetuar në një shoqëri që udhëhiqet nga forcat e së keqes. Sa Hamlet u ndiet në këtë rol?

Miti i Hamletit që nga koha kur Shekspiri e krijoi është pikërisht drama e madhe e intelektualit. Në gjithë letërsinë botërore çdo libër e ka një Hamlet brenda. Heinier Muller, ky dramaturg i madh gjerman, kishte sjellë në këtë dramë ndoshta prerjen më të mirë të Hamletit, një personazh që mund të ngjitej në çdo skenë e në çdo kohë dhe të dukej tepër aktual. Thelbi i karakterit të Hamletit të Muller është gjithnjë në luftë me padrejtësitë e sistemit. Sa më shumë lufton, aq më shumë ndihet i dështuar në këtë makinë të tërë shtypëse të shoqërisë së sotme. Ishte një rol, të cilin e përqafova shpejt dhe hyri shpejt brenda meje për vetë kontekstin që mbartte. Ndoshta se miti hamletian në këto kohë flet më shumë dhe situatës në të cilën ndodhem, po ashtu dhe shoqërisë shqiptare. Prej 2-3 javësh unë jam larguar nga puna prej 35 vitesh në Teatrin Kombëtar. Ky rol ishte një lloj reflektimi mbi situatën time, por edhe për atë çfarë po ndodh me shoqërinë tonë. Mendoja gjatë këtyre kohëve se si është e mundur që hakmarrja të vishet me pushtet, dhe sa e vështirë është ta përballosh të gjithë këtë situatë në mënyrë të ndershme. E quaj vendimin e marrë që unë të largohem nga Teatri si një hakmarrje primitive. Para se të mësoja vendimin unë iu drejtova me një letër Ministrisë së Kulturës, sekretares së përgjithshme të saj për dijeni dhe Ministres, por ende nuk kam marrë një përgjigje. Një lajm i tillë të jep ndjesinë sikur të kanë shkëputur nga diçka me të cilën kishe lidhur gjithë jetën tënde, siç është teatri, por, nga ana tjetër, artisti e gjen mundësinë të thotë të pamundurën përmes skenës, për t’u përballur me këtë situatë. Në motivacionin e largimit thuhej se “regjisorët e këtij sezoni nuk më kishin parë të përshtatshëm për të interpretuar në një nga rolet e tyre”. Në një kohë kur nuk u bë publike se cilët ishin regjisorët, e nuk u bë asnjë takim paraprak se cilat do të ishin veprat që do të ngjiteshin në skenë. Por edhe nëse regjisorët më kishin parë të papërshtatshëm, unë mund të bëja gjëra të tjera në teatër.

Si e shihni teatrin, reformën e nisur?

Reformën e nisur në Teatrin Kombëtar do ta quaja një reformë të bukës së gojës. Kontratat nuk kanë lidhje me produktin e Teatrit Kombëtar. Nuk mund të quhet reformë ajo që i kërcënon punonjësit me bukën e gojës. Jo vetëm që nuk mund të quhet e tillë, por ka mbledhur rreth vetes njerëz me pushtet që mund të bëjnë ç’të duan, disa qenie mjerane që s’kanë iniciativë për të thënë fjalën e tyre siç janë artistët e Teatrit Kombëtar. Kjo është e trishtë për Teatrin Kombëtar pasi në konceptin tim reforma për Teatrin Kombëtar duhet të ishte ndryshe. Reforma duhet ta bënte teatrin të hapur ndaj shfaqjeve të huaja. Po të klikojmë dhe të shohim repertorin e teatrove kombëtare të vendeve fqinjë, do të shohim që në themel të punës së tyre është përballja me eksperiencat e reja ndërkombëtare, ballafaqimi me vlerat e teatrit bashkëkohor. Më së paku në repertorin e tyre janë dy regjisorë të huaj që vijnë të punojnë me javë në këtë teatër, duke dhënë e duke marrë eksperienca. Ka trupa të huaja që janë rezidente e kjo e ndihmon teatrin. Po të kthehemi tek atmosfera në teatrin tonë, shohim që teatri ka mbledhur rreth vetes elementë, qofshin këta edhe korifenjtë e teatrit që nuk përballen dot me teatrin e vërtetë, dhe rrinë e formojnë mes tyre “Republikën e alkoolit e të paaftëve” me në krye punëdhënësin, që krijojnë të ashtuquajturën reformë, për të lëvizur dikë nga puna. Unë largimin tim nga teatri do ta shihja pak më larg. Ky largim është piketuar më parë që me subvencionimin qesharak që iu bë Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove në Butrint, një event që unë e kam bërë prej 14 vitesh dhe është kthyer në një traditë. Një pjesë e atyre që sot bëjnë reformën prej vitesh e kanë sulmuar këtë aktivitet. Angazhimi im për këtë festival kaq të rëndësishëm është përkthyer ndryshe, si mungesë në teatër, duke m’u kthyer në një sakrilegj.

Te “HamletMakina” u dhanë disa sekuenca nga një rol i njohur i juaj në kinema, ai i Vlashit. Cili është morali i Vlashit në këto kohë?

Mua më duket se Stefan Çapaliku, në mes shumë elementesh brenda spektaklit, ka zgjedhur me shumë kujdes dhe me zgjuarsi sekuencat filmike nga dy filma ku interpretonim dikur unë dhe Ofelia (Eva Alikaj). Vlashi ishte një djalosh si shumë djem të tjerë që pavarësisht periudhës ku jetuan, ishin të lirë dhe e donin lirinë. Ishin të drejtë dhe nuk e pranonin padrejtësinë. Djem që e fitonin jetën me luftë e me punë, e në përballje me të pësojnë dhe dramat e tyre. Ky personazh na kujton se kemi të bëjmë me një Hamlet shqiptar, i cili zbërthehet më mirë në personazhin e Heiner Muller. Përmes roleve që i keni interpretuar kur ishim të rinj, ishte një kalim domethënës për mua e Alikajn në rolet e Muller. Edhe Alikaj, sekuenca e zgjedhur për të në rolin e saj te filmi “Njeriu i mirë”, kishte këtë mesazh. Një vajzë që dashuron sinqerisht një djalë, e që kalon një sërë peripecish për të sfiduar një mentalitet mbytës. Ardhja prej këtij momenti ishte shumë e mirë për të treguar se cila ishte në të vërtetë Ofelia, gruaja që nga pamundësia për të qenë me dashurinë e saj Hamletin, u vetëvra. Unë dhe Eva patëm role që na dhanë mundësinë për të interpretuar dy role kaq të rëndësishme në historinë e teatrit, që pavarësisht kohës, tregojnë që janë aktualë dhe do të jenë të përjetshëm.

Në fakt, thelbi i dramës, por edhe i jetës është lufta mes së mirës dhe së keqes. Si e shihni këtë përballje?

Është pikërisht kjo që po ndodh sot në shoqërinë shqiptare, degjenerimi i së keqes, i ligësisë, intrigës, i urrejtjes pafund për njëri-tjetrin, që me bollëk po kaplon të gjitha sferat. Mendoj që duhet thënë fjala fort në të gjitha fushat nga njerëz që mbartin akoma ndjenja të vërteta njerëzore e intelektuale për ta ndryshuar këtë raport. Në themel të “HamletMakina” është pikërisht ky mesazhi i fuqishëm. Jam i lumtur që në këtë shfaqje spektatori ishte më shumë brezi i ri. Ne duhet t’i edukojmë dhe t’i flasim me forcë brezit të ri se cila është rruga e mbarë për të ndërtuar të nesërmen e shoqërisë së vendit të tyre, duke përmbysur të gjitha mosmarrëveshjet sociale. Të mos mbetemi qenie mjerane, pa forcën e fjalës, të reagimit, të bashkohemi si një shoqëri civile për padrejtësitë e kujtdoqoftë ajo. Vetëm përmes një syri vigjilent do ta bëjmë shoqërinë shqiptare t’u afrohet vendeve të civilizuara. Këtu është themeli ku duhet të luftojmë e këtu një rol të rëndësishëm ka arti dhe kultura.

Nëse do të përzgjidhnit ndonjë fjali nga Hamleti, cila është ajo?

Neveria është privilegji im. Në përballje me të keqen, njerëzit e vërtetë i mbyll brenda vetvetes. Karshi kësaj maskarade neveria është gjëja më e gjetur e Heiner Muller. Ai thotë: “Neveri për të gjithë gënjeshtarët që besohen…neveri për fytyrat plot rrudha të pushtetarëve, nga lufta për poste…neveri për fundërrinat që përpiqen të marrin në duar jetët e qenieve njerëzore…”

Leave a Reply

%d bloggers like this: