Ekonomia

Mbështetje për fermerët: Industria e qumështit qarkullon 600 milionë euro në vit

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, iu bëri apel fermerëve të aplikojnë në skemat e mbështetjes 2019, për të përfituar nga vendimi i qeverisë që i rimburson ata 10 lekë për çdo litër qumësht që shesin.

Ministri Çuçi vizitoi në Sukth, të Durrësit një prej fabrikave më të mëdha në vend të përpunimit të qumështit. ‘AGS’ grumbullon qumësht kryesisht nga zona e Shkodrës, Lezhës, por edhe Tiranës në ferma të seleksionuara dhe të standardizuara në përputhje me kërkesat europiane për ushqyerjen, rritjen dhe mjeljen e kafshëve.

Produktet më pas dalin në treg nën markën ‘Zepa Natyral’. Ministri Çuçi pa nga afër investimin me teknologji bashkëkohore në këtë fabrikë e cila përpunon dhjetëra tonë qumësht në ditë, ndërsa shfrytëzoi rastin t’u bënte thirrje fermerëve të aplikojnë për të përfituar rimbursimin prej 10 lekësh.

“Besoj se edhe fermerët me të cilët punoni ju, do të jenë pjesë e skemës që ne miratuam për të rimbursuar me 10 lekë çdo litër qumësht të shitur. Unë gjej rastin t’u bëj edhe njëherë thirrje fermerëve që të vijnë pranë zyrave të AZHBR apo zyrave të Bujqësisë që të regjistrohen për të marrë rimbursimin”, tha ministri.

Industria e përpunimit të qumështit në vend ka njohur një rritje të madhe vitet e fundit. Sipërmarrësit e këtij sektori kanë kryer investime qindra milionë euro. Në vendin tonë prodhohen rreth 1.1 milion tonë qumësht, ndërsa e gjithë industria qarkullon në vit rreth 600 milionë euro. Aktualisht ka kompani shqiptare që eksportojnë djathin ‘Made in Albania’ deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button