BotaOpinion

Perandoria amerikane, “e sëmura” e shekullit XXI-të

Nga David Klion

Si u shndërrua një klasë dekadente në pushtet, në një rrezik për sigurinë kombëtare, në një kërcënim ekzistencial për Perandorinë Amerikane? Përgjigja gjendet në vitet 1970, kur dobësitë e kontratës shoqërore amerikane që në mesin e shekullit XX, u ekspozuan përmes stagflacionit, krizës energjetike, dhe Luftës katastrofike të Vietnamit.

Në kundërpërgjigje, elitat politike të SHBA-së, përqafuan privatizimin, de-regullimin, uljen masive të taksave për të pasurit, zhvendosjen jashtë vendit të vendeve të punës në industri, si dhe financiarizimin e ekonomisë. Nga ajo kohë, pabarazia ka arritur kulmin, dhe shumëkush në Shtetet e Bashkuara ka përjetuar një rënie të vazhdueshme të standartit të jetesës, ndërsa një pjesë e vogël e qyteteve të mëdha, përfshirë Uashingtonin, janë bërë gati të papërballueshme nëpërmjet përqendrimit të monopolit financiar, të teknologjisë dhe të medias, dhe lobistëve që sillen rrotull korridoreve të pushtetit.

Deri tani, shumë amerikanë e njohin këtë histori – por pak mendojnë se cili është tani vendi i tyre në botë. Ekzistojnë dy mënyra konvencionale, për të kuptuar rolin global të Amerikës. Sipas një teorie, bipolarizmi i Luftës së Ftohtë, i hapi rrugë një bote unipolare në të cilën Shtetet e Bashkuara, u bënë hegjemoni i padiskutueshëm.

Disa vëzhgues e shohin këtë si një gjë të mirë, dhe e mbrojnë Perandorinë Amerikane, ndërsa të tjerët e shohin atë si diçka të keqe, dhe përpiqen t’i rezistojnë Perandorisë Amerikane. Por që të dyja palët bien dakord, se Perandoria Amerikane është elementi përcaktues i kohës sonë.

Një teori e dytë, pohon se bota pas Luftës së Ftohtë është multipolare, me Shtetet e Bashkuara si fuqia kryesore dominante midis shumë rivalëve potencialë, duke përfshirë vende të tilla si Kina që ndoshta mund të tejkalojnë Shtetet e Bashkuara në disa aspekte.

Por sikur as teoria të mos jetë e saktë? Kuptimi gati universal i Shteteve të Bashkuara, si një aktore e fuqishme dhe e unifikuar globale, është me të meta, dhe ka nevojë të rishikohet. SHBA-të, janë më pak një fuqi e madhe që ushtron vullnetin e saj, dhe më shumë një treg i hapur ndaj korrupsionit global, në të cilin fuqitë e jashtme mund të blejnë ndikim, të diktojnë rezultatet politike dhe t’i vënë fraksionet kundër njëri-tjetrit, në shërbim të agjendave të tyre konkurruese.

Kjo është një histori e njohur. Libri “Perëndimi dhe rënia e Perandorisë Romake”, i  historianit anglez Eduard Gibon, është i mbushur me shembuj të perandorive me ndikim të fuqishëm, të drejtuar nga elita të dobëta dhe të përçara nga fuqitë e jashtme.

Komonuelthi polako-lituanez, një republikë e madhe aristokratike që e dominoi Evropën Lindore në një formë apo tjetër në shekujt XIV-XVIII, u zhduk nga harta nga fqinjët e tij, të cilët zbuluan se mund t’i jepnin ryshfete senatorëve të saj, duke paralizuar marrjen e çdo lloj vendimi politik. Perandoria Otomane e mesit të shekullit XIX, u quajt “E sëmura e Evropës”, teksa fuqitë e Evropës Perëndimore gllabëruan territoret e saj, dhe nxitën lëvizjet e pavarësisë. Gjatë të njëjtës periudhë, Kina nën dinastinë Qing, u detyrua të heqë dorë nga territore të shumta, në dobi të perandorive koloniale evropiane, të cilat nga ana tjetër, do të shpërbëheshin vetë brenda një shekulli.

Mund të duket absurd, krahasimi i Shteteve të Bashkuara në vitin 2019, me fuqitë dekadente perandorake të së kaluarës, që u shembën. Por analizoni pak gjendjen ku ndodhet sot Uashingtoni. Presidenti Donald Trump, sikurse e pranojnë privatisht gati të gjithë, është i paaftë të përmbushë përgjegjësitë e tij më themelore, dhe tallet në mbarë botën.

Administrata Trump, është blerë hapur nga qeveritë e huaja, nëpërmjet rrjetit të tij ndërkombëtar të hoteleve dhe resorteve, duke përfshirë atë që ndodhet midis Shtëpisë së Bardhë dhe Kapitol Hillit, ku një lobist nga Arabia Saudite mori me qira 500 dhoma, muajin pas zgjedhjeve të vitit 2016.

Partia e tij politike, që kontrollon ende Senatin, dhe po dominon gjithnjë e më shumë gjyqësorin, nuk ka interes të mbajë përgjegjësi për aktet e presidentit. Dhe sigurisht që ekziston çështja e ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016; siç e konfirmon informacioni i kufizuar i njohur deri më tani nga raporti i prokurorit të posaçëm Robert Mueller, Trump dhe republikanët ishin të paktën përfituesit pasivë të përpjekjeve nga një fuqi e huaj, për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.

Por Trump është vetëm një simptomë, dhe shembulli më i dukshëm dhe më qesharak se si ndikimi i parave në Uashington, ishte shndërruar në një rutinë gjatë brezit të kaluar. Sigurisht, nuk janë vetëm paratë e huaja ato që ndikojnë në Uashington.

Interesat e fuqishme të korporatave, e pengojnë në përgjithësi llogaridhënien demokratike në kryeqytet, duke përfshirë industritë kryesore si financa, sigurimet, energjia dhe teknologjia.

Shumica e kompanive më të mëdha, janë shumëkombëshe, me seli në qytete të mëdha anembanë botës, dhe drejtuesit e kompanive të mëdha,që kanë më shumë të përbashkëta me homologët e tyre ndërkombëtarë, sesa me shumicën e amerikanëve.

De-rregullimi i plotë i financimit të fushatës, dhe legalizimi i mëvonshëm i korrupsionit në Uashington, në një shkallë të panjohur në vendet e tjera të zhvilluara, kanë bërë që në Uashington dallimi midis interesave të huaja dhe atyre të brendshme, të jetë i vështirë për t’u shquar.

Me fjalë të tjera, qeveria e SHBA-së nuk ekziston, për t’i shërbyer interesave të amerikanëve, nëpërmjet politikave të saj të huaja apo të brendshme. Përkundrazi, ajo ekziston për të përjetësuar interesat e oligarkisë së globalizuar. Për gjithë këtë, ekziston një kundërargument i qartë:Shtetet e Bashkuara, shpenzojnë  ende më shumë në mbrojtje, sesa 7 shtetet që vijnë pas saj të marra së bashku, dhe operon ende me një rrjet prej qindra bazash ushtarake, të shpërndara në gati gjysmën e vendeve në botë.

Asnjë vend tjetër, nuk mund të rivalizojë Shtetet e Bashkuara, në aftësinë e saj për të projektuar pushtetin ushtarak. Dhe asnjë vend tjetër, nuk ka aq shumë rezerva në valutën e saj, apo të zotërojë shumë fuqi të butë. Por fokusimi tërësisht në perandorinë amerikane, mund të ngatërrojë shfaqet e problemeve të ndryshme.

Për shembull, kujtoni përmbysjen e udhëheqësit të zgjedhur në Egjipt pas Pranverës Arabe, Mohamed Morsi, pas një grushti shteti në vitin 2013. Ish-këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Ben Rodes, e përshkruan administratën e presidentit Barak Obama, jo si forcën lëvizëse pas atij grushti shteti, por si ushtrim pasiv të një presiont të pamëshirshëm nga aleatët e tij sauditë dhe emiratas, që zhvilluan një fushatë kundër ambasadorit amerikan, gjatë komplotimit me ushtrinë egjiptiane.

Por sikur Perandoria Amerikane, të jetë duke u shpërbërë? Zoti e dhëntë, do të thoshin shumë njerëz. Hegjemonia e SHBA-së ka qenë një fatkeqësi, duke përhapur luftën, thelluar shfrytëzimin anembanë globit, dhe duke e helmuar klimën përtej riparimit. Dhe kjo është e vërtetë: Ashtu siç vërejti dikur Isak Asimov, perandoritë kanë prirjen të shemben, pasi dominojnë vetveten, shkatërrojnë elitat e tyre, dhe prodhojnë parakushtet për “vdekjen” e tyre.

Por ajo që po shohim nuk është as një tërheqje e konsiderueshme dhe e përgjegjshme nga Perandoria, për të investuar në nevoja më urgjente, dhe as një revoltë kundër perandorisë nga fatkeqët e botës. Përkundrazi, është një rënie dekadente e njohur nga çdo student i Romës së Lashtë apo Konstandinopojës. Amerika është “E sëmura e shekullit XXI”, dhe kushdo që ka parë presidentin e saj në situatat më të sikletshme të mundshme, e di këtë.

“Foreign Policy”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button