Bota

Kina premton hapje – Samiti i “Rrugës së Re të Mëndafshit”

Peter Altmeier, ministri gjerman i Ekonomisë përfaqëson Gjermaninë në samitin e „Rrugës së Re të Mëndafshit“ që po zhvillohet në Pekin. Shumica e partnerëve, BE dhe vende të tjera janë skeptike ndaj këtij projekti.

Në kryeqytetin kinez Pekin, ministri gjerman i Ekonomisë merr pjesë në samitin dyditor për „Rrugën e Re të Mëndafshit”. Gjatë vizitës ministri gjerman i Ekonomisë, Peter Altmeier është takuar me të ngarkuarin kinez për bisedimet tregtare me SHBA, Liu He, zëvendëskryeministër. Synimi është sheshimi i konfliktit tregtar mes dy ekonomive më të mëdha në botë, SHBA e Kinë. Altmeier shpreson në zgjidhjen e shpejtë të konfliktit tregtar, i cili cënon edhe ekonominë gjermane dhe atë europiane. Si Gjermania edhe Europa janë të varura fort nga ana tregtare si me Kinën edhe me SHBA. Nga ana tjetër ky konflikt frenon rritjen e ekonomisë botërore

Në samitin dyditor për „Rrugën e Re të Mëndafshit janë ftuar përfaqësues nga më shumë se 100 vende, mes tyre edhe 40 krerë shtetesh e qeverish. Mes të ftuarve është edhe presidenti rus, Vladimir Putin. Takimi vazhdon të shtunën.

SHBA dhe India jo pjesëmarrëse në samit

Mikpritësi i samitit, presidenti kinez, Xi theksoi se ekonomia botërore po konfrontohet me „faktorë destabilizues dhe presion në rënie”. Prandaj është shumë e rëndësishme të krijojmë „një botë të ndërlidhur”. Megjithë njoftimet nga Kina se do të ketë përmirësime, shumica e partnerëve, BE dhe vende të tjera janë skeptike ndaj „Rrugës së Re të Mëndafshit”. SHBA dhe India nuk dërguan asnjë përfaqësues në samit. Në projektin afatgjatë, Kina synon të bëjë investime në miliarda në rrugë, hekurudha, porte dhe elementë të tjerë të infrastrukturës për të hapur korridore të tjera tregtie në Europë, Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine.

Trajtim i barabartë i firmave të huaja

Kreui shtetit kinez Xi Jinping kishte premtuar më parë një hapje më të madhe të tregut të Kinës, duke thënë, se vendi i tij nuk do të trajtojë në të ardhmen firmat e huaja më keq se ato vendase dhe se do të mbrojë më mirë të drejtat e autorit nga pirateria. Gati gjysma e importeve amerikane në Kinë janë të prekura nga dogana shtesë. Si SHBA edhe Kina ndodhen aktualisht në një luftë të ashpër tregtare dhe kanë vendosur dogana të dyanshme ndëshkuese. Uashingtoni kërkon një ulje të deficitit tregtar me SHBA, një hapje të mëtejshme të tregut dhe mbrojtjes nga pirateria e produkteve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button