Kronika

Tiranë: Kongresi i 24-t i Mjekësisë Ushtarake Ballkanike, “Sfidat e reja të mjekësisë ushtarake”

250 mjekë ushtarakë nga ushtritë e 6 vende të Ballkanit janë mbledhur në Tiranë për Kongresin e 24-t të Mjekësisë Ushtarake Ballkanike, aktiviteti më i madh i organizuar ndonjëherë në fushën e Mjekësisë Ushtarake në vendin tonë.

Tema e këtij kongresi, ku marrin pjesë mjekë ushtarakë nga Shqipëria, Bullgaria, Greqia, Rumania, Serbia dhe Turqia, është “Sfidat e reja të mjekësisë ushtarake”.

Ceremoninë hapëse të kongresit e përshëndeti edhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e cila vlerësoi rolin e këtij kongresi, jo vetëm për zhvillimin e mjekësisë ushtarake, por edhe për të forcuar lidhjet mes vendeve të rajonit.

“Bashkëpunimi në fushën e mjekësisë midis vendeve të rajonit tonë është një kërkesë e domosdoshme për të çuar përpara zhvillimin e shkencës ushtarake mjekësore, por edhe një element që forcon lidhjet midis vendeve tona. Në eksperiencën tonë të pas viteve ’90, ne konstatojmë me kënaqësi se ka pasur një rritje progresive dhe cilësore të këtij bashkëpunimi. Ai ka marrë formën e trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta të strukturave tona mjekësore me vendet e rajonit”, tha ministrja.

Xhaçka shtoi se “një numër impresionues i personelit tonë ushtarak ka kryer kurse dhe trajnime kualifikuese në specialitete të ndryshme të fushës së mjekësisë në këto vende ndërkohë që një numër i konsiderueshëm i personelit tonë ushtarak janë trajtuar për probleme të ndryshme shëndetësore pranë institucioneve mjekësore të vendeve tuaja”, ndërsa falënderoi Turqinë dhe Greqinë për mbështetjen e pakursyer dhe tepër bujare për Forcat tona të Armatosura, në fushën e mjekësisë.

Ministrja solli në vëmendje angazhimin e Forcave të Armatosura gjatë emergjencave civile, ku rol të rëndësishëm luajnë edhe mjekët apo infermierët në uniformë.

“Unë besoj, që sot, kur misioni i FA është duke përjetuar një transformim të rëndësishëm, roli i mjekëve bëhet më i rëndësishëm se asnjëherë. Në një kohë paqeje e bashkëpunimi të paprecedentë në historinë e rajonit tonë, FA krahas misionit të tyre tradicional kanë marrë një dimension tjetër, kanë marrë atributet e një aktori të rëndësishëm në çështjet e sigurisë, i cili shkon përtej mbrojtjes së sovranitetit territorial të shteteve tona. Forcat e armatosura gjithmonë e më tepër po angazhohen në përballimin e emergjencave civile, në pastrimin e territorit nga municionet dhe materialet e rrezikshme si dhe në përballimin e kërcënimeve që mund të vijnë nga terrorizmi ndërkombëtar. Është një mision që i sjell ato gjithmonë e me pranë komunitetit dhe qytetarëve.”

Kongresi, i cili do të mbahet në datat 30 prill-5 maj, do të zhvillojë sesione shkencore mbi Mjekësinë Ushtarake, të mbajtur përkatësisht nga delegacionet e vendeve pjesëmarrëse, që mbulojnë specialitete të tilla si: Kirurgji, Ophthalmologji, Kardiologji dhe Kirurgji, Hulumtim Klinik, Ortopedi, Emergjenca Klinike, Neurologji dhe Shëndeti Mendor.

Komiteti Ushtarak Mjekësor i Ballkanit, i cili organizon këtë kongres, është një iniciativë shumëkombëshe, me qëllim krijimin e një kërkimi shkencor mes institucioneve ushtarake mjekësore të vendeve anëtare, për të shkëmbyer ide dhe përvoja praktike në organizimin e mbështetjes mjekësore në ushtri dhe për të gjetur forma dhe fusha bashkëpunimi sa i përket aktiviteteve shkencore, trajnuese dhe trajtuese.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button