Opinion

Dy “like” në Paris

ARBËR ZAIMI

Arber ZaimiPara ca ditësh lexova diku mbi një deklaratë të Këshilltarit për Politikë të Jashtme pranë Presidentit të Serbisë, Marko Gjuriç, i cili thoshte se vendi i tij planifikon të nderojë Esad Pashën, figurën që ndoshta përmban mishërimin më perfekt të tradhtisë për shqiptarët, por që në dritën e rektifikimit të historisë sipas korrektesës politike sot nëpër media shënohet edhe si figurë kontroversiale, duke i shtuar fjalës tradhtar thonjëza.

Mbi Esad Pashë Toptanin nuk ka ndonjë gjë të re për të thënë. Veprimet e tij politike e ushtarake njihen. Qëndrimet e tij janë të shprehura dhe figurojnë të dokumentuara. Pak ka për të mistifikuar rreth figurës së tij. Politikani dhe diplomati serb, Gjuriçi, kur e ka bërë këtë deklaratë nuk besoj se ka menduar se përmes këtij gjesti do të relativizohej qëndrimi i shqiptarëve ndaj Esad Toptanit. Nuk besoj as se e ka bërë këtë gjë për të treguar se Serbia s’ka asgjë kundër shqiptarëve si etni, meqë është në gjendje të nderojë një shqiptar etnik si ai. Se këto “karamele” nuk i ha kush, e këtë e di mirë edhe një 30-vjeçar si Gjuriçi, i cili përfaqëson brezin e ri të politikës në Serbi, i dalë prej eksperiencave nëpër parlamente studentore, nëpër OJQ e trajnime për debate formale, si shumë politikanë të tjerë nëpër Ballkan që të re kanë vetëm çehren.

Nuk besoj as se Gjuriçi e ka bërë këtë punë për të nderuar paraardhësin e tij biologjik, Nikolla Pashiçin, i cili pati gjetur te Esad Pasha një bashkëpunëtor të vyer. Jo, e vetmja arsye që Gjuriçi si përfaqësues i shtetit serb e bën këtë deklaratë është që të provokojë shqiptarët, që t’u tregojë atyre “respektin” që gëzojnë tek ajo qeveri, që t’u tregojë atyre “vendin”. Njëkohësisht edhe që të mirëmbajë sentimentin ultranacionalist me të cilin ushqehet masivisht elektorati dhe opinioni publik në Serbi, në këtë vend që nuk e njeh Kosovën e që as kërkon falje e as pranon t’i njohë si të tilla krimet dhe masakrat e luftës që ka bërë ushtria e saj vetëm 15 vite më parë.

Por boll folëm për Serbinë, boll ia kujtuam popullit se si është situata, le ta harrojmë historinë dhe aktualitetin e le të merren me to të huajt e të pushtetshmit. Le të vazhdojmë ne, të papushtetshmit të merremi me “diplomaci kulturore” e me “drejtësi tranzicionale”, me lojëra e me “like”. Në këtë shkrim në fakt desha të propozoj pikërisht një lojë: Le të imagjinojmë ç’do të ishte Esad Pasha, sikur të ekzistonte sot.

Le ta imagjinojmë Esad Toptanin në moshën perfekte për një politikan ballkanas. As i ri, as i vjetër. Jo vetëm që nuk do ta kishte më titullin pashë, por s’do të linte rast pa vënë në dukje se si Turqia është fajtorja kryesore për varfërinë e moszhvillimin e shqiptarëve. Edhe Esadi do të konfirmonte se Turqia na ka lënë 500 vjet pas, sepse na ka shkëputur nga mëma jonë, Europa. Por kjo nuk do ta pengonte Esadin të kishte marrëdhënie më se vëllazërore me Kryeministrin apo Presidentin e Turqisë, që aktualisht janë e njëjta gjë. Esadi vetë do dilte garant për privatizime monopolesh që do u jepeshin bizneseve turke. Paragjykimi kulturor nuk ngre peshë kur vjen puna te kapitali, dhe Esadi i ri njësoj si historiku do të dinte t’ua fitonte zemrën të huajve më mirë se kushdo tjetër, shpesh dhe përmes xhepit.

Esadi ynë, po ta kishte mësuar mirë historinë e shqiptarëve, do ta dinte prej nga mund t’i vijë e keqja. Kështu, Esadi do ngrinte komisione historianësh kombëtarë e ndërkombëtarë, profesorë e doktorë shkencash që të nxjerrin zbulime të reja mbi figurën e Avni Rustemit. Kështu do të dalë në pah e vërteta cullake, Avni Rustemin dikush do e nxjerrë leninist, dikush terrorist, dikush do vërë në dukje se si vinte nga shtresa e injorantëve dhe kokëpalarëve. Të gjithë do bien dakord se vepra si të Avni Rustemit, edhe nëse kanë qenë të mundura atëherë, sot nuk janë të udhës që të ndodhin. Sot jemi në demokraci, ku gjërat zgjidhen me biseda, me diskutime, jo me vrasje. Avni Rustemi do të përshkruhej si një bir i Mesjetës, por vetë Esadi modern do ndërhynte e do thoshte se Avniu duhet nderuar si hero, sepse në të shkuarën ka bërë atë që duhej bërë atëherë, dhe sot falë tij kohët kanë ndryshuar, duke nënkuptuar se sot s’ka më nevojë për Avni, se ideali i Avniut mishërohet në Esadin modern.

Paralel me nderimet ndaj Avniut të dekonstruktuar do të vinin edhe forcimet e reparteve speciale policore. Policia e Esad Toptanit të shekullit XXI gjithnjë e më shumë do t’i ngjante ushtrisë. Justifikimi është gati: lufta globale kundër terrorit në Lindjen e Mesme. Kundërshtimeve se ne s’jemi në Lindjen e Mesme dhe se ne s’kemi pasur deri më tani asnjë rast terrori të zbuluar apo të shpallur, lideri Toptani do t’u përgjigjej përmes botimeve të letrave të mirënjohjes prej shefave të superfuqive botërore, si dhe përmes gojërave të palodhshme të intelektualëve pro-regjim, këtyre policëve specialë të opinionit publik. Si përfundim, policia do të ishte e tillë saqë në çdo protestë qytetare do të kishte 2 deri në 3 herë më shumë policë se sa qytetarë, policët do të ishin të armatosur si personazhe të Lord of the Rings. Por, pas çdo proteste jo-pasive, do të dilnin shifrat zyrtare se si më shumë ka policë të lënduar sesa protestues të lënduar. E kjo do të çonte në rritje të armatimit, në rritje të radhëve të policisë.

Repartet speciale do të shoqëroheshin edhe nga shërbime sekrete në shtetin e Esad Toptanit. Por nuk po flasim për shërbime sekrete shtetërore, të cilat japin llogari para institucioneve të Republikës. Për arsye sigurie, për të shmangur terrorizmin dhe çdo lloj Avniu, Esadi do të kishte shërbime sekrete jozyrtare, klanore, private. Këto do të ishin sekreti i sekreteve, do të spiunonin këdo, pa mandat, pa dosje, pa asnjë kontroll. Gjithë populli do të ishte pra i dyshuar, i hetuar, nën kontroll. Sepse Avniu mund të dalë nga secila shtëpi… ku i dihet.

Esadi i sotëm, njësoj si Esadi i djeshëm, nuk do të kishte mungesa në burrni e as në shqiptari. Ai do të ishte asi lloj burri që askush nuk do të guxonte ta fyente ndër sy, askush nuk do të guxonte t’ia kthente fjalën. Ai do të ishte maksimalisht krenar për gjenet e prejardhjen e tij. Në fakt, ai s’do të shihte asnjë lloj kontradikte midis krenarisë së tij individuale dhe mospërfilljes së tij për publikun shqiptar. Justifikimin historik e ka gati, te një numër i madh shqiptarësh dje edhe sot kanë ndjekur ambiciet personale në kurriz të nevojave të popullit të tyre, e që pastaj i kanë bërë edhe moral popullit se si duhet në fakt që populli të mburret me ta, edhe pse atyre as që u “ha” për popullin.

Esadi burrnor dhe krenar me etninë e tij do vendoste flamuj, monumente gjithandej. Por jo aq sa të mbulohej lakuriqësia e të varfërve dhe e të pastrehëve. Ai do të mburrej publikisht me trimëritë e tij për atdheun. Por mburrjet s’do të mjaftonin për të mbuluar traktatet me Pashiçët e rinj (supozojmë që ekzistojnë edhe këta, për hir të lojës). E meqë s’do arrinte të mbulonte me flamurë e me mburrje deficitet e tij të vogla, Esadi do të bëhej edhe më dinak.

Kështu Esadi do të mbillte mungesën e shpresës në popullsi, përmes krijimit të bindjes se jo vetëm ai, por të gjithë politikanët janë njësoj si ai. Lehtë është kjo, në një vend ku nuk ekziston asnjë traditë e mendimit kritik.

Në momentin e parë që do t’i rrezikohej pushteti ai do të sigurohej përmes disa masave. Fillimisht do të vendoste agallarët e tij nëpër poste kyçe të pushtetit, me mandate të gjata, por edhe në poste drejtuese në media e shoqëri civile. Së dyti, do të kanalizonte ekonominë e vendit te sejmenët dhe servilët e tij. Së treti, do të pajiste me diploma nëpër më të mirat shkolla të huaja “pasardhësit” e tij. Përmes shpërndarjes së vendeve të punës si lëmoshë te të varfrit, ai do të siguronte edhe një bazë të gjerë, që do t’ia garantonte surplusin elektoral pa e rrezikuar atë sistem tërësisht formal që sot e quajnë demokraci.

Dhe sigurisht, Esadi i sotëm do të jetonte 99 vjet, do të çmohej ndërkombëtarisht për negociatat dhe paktet e tij ku do të ngurtësohej pabarazia e popullit të vet faqe botës, do të vdiste në shtrat, i rrethuar nga nipërit e mbesat që ai i ka dashur shumë e me të cilët ka bërë shumë fotografi në vende të ndryshme të botës dhe i ka postuar pastaj në Facebook, ku stërnipërit e Avnijve inekzistentë vazhdojnë bëjnë “like” në mënyrë frenetike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button