Kosova

Haradinaj: Taksa nuk diskutohet, dialogu vazhdon

Pas Samitit të Berlinit, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha sot se qëndrimet janë formësuar sa i përket marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe nuk shkojnë më në dialog për lëvizje të kufijve.

Sipas tij, tashmë është qartësuar se nuk ka nevojë më të diskutohet për taksën, dhe dialogu po vazhdon ndërkohë që qëndrimet nuk kanë pse të diskutohen.

Ai tha se duhet të përgatiten për takimin në Paris, ku tha se do të koordinohen me SHBA pasi është garantuese e marrëveshjes dhe jo vetëm lehtësuese.

Në konferencën e parë me gazetarë, pas kthimit nga Berlini, shefi i ekzekutivit tha se duhet të përgatiten për takimin në Paris, që siç tha ai do të jetë bilateral ku do të flitet për dialogun Kosovë-Serbi.

Ai tha se bashkë me presidentin, konfirmuan pjesëmarrjen e tyre në Paris më 1 dhe 2 korrik, por tha se ka kërkuar të marrin pjesë edhe grupi kryesuesit e ekipit negociator të Kosovës, dhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje. Për këtë, Haradinaj tha se e ka marrë pëlqimin e presidentit francez Emmanuel Macron.

“Sa i përket marrëdhënieve Kosovë-Serbi edhe finales mendoj që qëndrimet janë formësuar, nuk shkohet më për ndërrim të territoreve a për lëvizje për kufij, por shkohet për njohje reciproke, e këtu nuk kemi dallim as unë as presidenti as dikush tjetër i Kosovës, për modalitetit për të ndihmuar dialogun mendoj se tashmë është qartësuar që nuk ka nevojë të diskutohet për taksën më se dialogu po vazhdon dhe qëndrimet nuk kane nevojë më të diskutohen. Takimi i Parisit është më serioz, pasi është bilateral dhe është një takim që duhet të përgatitemi edhe ne, edhe Serbia, që ta ndihmojmë veten, kuptohet duhet të koordinohemi me Amerikën, sepse Amerika është jo vetëm lehtësuese e një marrëveshje, por edhe garantuese e një marrëveshje dhe duhet t’i gjejmë mënyrat e koordinimit”, tha ai.

Ndërkohë pas deklaratave të presidentit Thaçi për mos heqjen e taksës, Haradinaj tha se e mirëpret çdo qëndrim publik, meqë siç tha ai, është me rëndësi të kenë një qëndrim publik, dhe pse  qëndrimet me dyer të mbyllura kanë peshë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button