Kronika

Shpërthen mina në Letoni, vdes efektivja e Forcave të Armatosura, nëntetarja Zarife Hasanaj

Një efektive e forcave të armatosura shqiptare ka humbur jetën në Letoni, si pasojë e shpërthimit të një mine, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur. Ngjarja është regjistruar mëngjesin e sotëm ku Forcat tona të Armatosura janë përfaqësuar me një kontigjent në kuadër të misionit të NATOs “Enhanced Forward Presence”.

Nga shpërthimi është plagosur rëndë dhe më pas ka humbur jetën Nëntetarja 32 vjeçare me origjinë nga Tropoja, Zarife Muharrem Hasanaj. Të plagosur kanë mbetur komandanti i kontigjentit, Major Klodian Nikolla Tanushi dhe Rreshter Julian Xhevat Kapaj.  Konfirmohet se nga shpërthimi i minës në letoni Rreshter Kapaj ka marrë dëmtime të lehta, ndërsa në më e rëndë është gjendja shëndetësore për Majorin Tanushi. Efektivët e FA, pjesë e grupit xhenier për demontimin e minave, po marrin pjesë në misionin e NATO-s në Letoni për demontimin e minave luftarake.

Deklarata e plotë e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku:

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Letoni, ku Forcat tona të Armatosura janë përfaqësuar me një kontingjent në kuadër të misionit të NATO “Enhanced Forward Presence”.

Një grup i Kontingjentit të Asgjësimit të Municioneve dhe Lëndëve Eksplozive, gjatë kryerjes së detyrës së tyre, sot në ora 9:10, (ora 10:10 me orën lokale), janë dëmtuar nga shpërthimi i disa municioneve të paplasura. Ngjarja ka ndodhur gjatë kryerjes së detyrave luftarake në bazën e NATO, ku ishte zhvilluar një stërvitje ushtarake e një prej aleatëve.

Nga ky shpërthim, është plagosur dhe më pas, ka humbur jetën nëntetare Zarife Muharrem Hasanaj. Të plagosur kanë mbetur komandanti i kontingjentit, major Klodian Nikolla Tanushi dhe rreshter Julian Xhevat Kapaj.

Sipas informacioneve të deritanishme major Tanushi dhe rreshter Kapaj janë nën kujdesin maksimal të mjekëve, në bazën “Camp Adazi”, në Letoni.

Për ngjarjen e sotme jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet më të larta letoneze dhe të Aleatëve tanë në mision.

Në emër të Forcave të Armatosura i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së nëntetares Hasanaj, që humbi jetën në krye të detyrës dhe urojmë shërim të shpejtë për major Klodian Tanushi dhe Rreshter Julian Kapaj.

Njëherësh, në emër të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, siguroj të gjithë familjarët e efektivëve tanë në Letoni, se po ndjekim me vëmendjen maksimale ngjarjen që ka ndodhur.

Në këtë moment të vështirë jemi pranë çdo efektivi të Forcës së Armatosur në Letoni dhe kudo ku Shqipëria është e angazhuar në përmbushjen e misionit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button