Politika

Zgjedhjet vendore, KQZ marrëveshje me Komitetin për Pakicat Kombëtare

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Komitetin për Pakicat Kombëtare. Marrëveshja e nënshkruar nga kreu i KQZ-së, Klement Zguri dhe Kryetarja e Komitetit, Kostandina Bezhani ka si qëllim bashkërendimin e punës për informimin e pakicave kombëtare për zhvillimin e procesit zgjedhor të datës 30 qershor 2019.

Zguri u shpreh se në zbatim të ligjit “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”, që përcakton detyrimin e KQZ-së për informimin e pakicave kombëtare (greke, maqedonase, arumune, rome, egjiptiane, malazeze, boshnjake, serbe dhe bullgare), por edhe në respektim të të drejtave kushtetuese që zgjedhësit e pakicave gëzojnë, KQZ ka punuar dhe do të vijojë të punojë me përkushtim që zgjedhësit e këtyre komuniteteve të informohen dhe edukohen mbi procesin zgjedhor.

Kryetarja e KPK-së, Bezhani deklaroi se Komiteti për Pakicat Kombëtare merr përsipër të vendosë në dispozicion të KQZ çdo informacion apo të dhënë që disponon, për njësitë e qeverisjes vendore ku personat që u përkasin pakicave kombëtare, përbëjnë mbi 20 përqind të numrit të përgjithshëm të popullsisë, si dhe realizimin e përkthimeve në gjuhët e secilës pakicë kombëtare të materialeve informuese, edukuese dhe ndërgjegjësues që KQZ do të realizojë për zgjedhjet e datës 30.06.2019.

Objekt i marrëveshjes së nënshkruar është; Komunikimi dhe shkëmbimi i të dhënave për njësitë e vetëqeverisjes vendore ku pakicat kombëtare përbëjnë mbi 20 përqind të numrit të përgjithshëm të popullsisë, Informimi i pakicave kombëtare për zhvillimin e procesit zgjedhor të datës 30 qershor 2019, përmes materialeve informuese, edukuese dhe ndërgjegjësues që do të prodhojë KQZ edhe në gjuhët e pakicave kombëtare.

KQZ dhe KPK do të të bashkëpunojnë dhe koordinojnë aktivitete të përbashkëta informuese në njësitë e qeverisjes vendore ku janë të përqëndruar zgjedhësit që u përkasin pakicave kombëtare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button