Kronika

Lazarat, 9 të arrestuar pas përleshjeve me policinë. Mes tyre edhe gruaja e Gates

lazarat-policia-sot-320x234Pas ngjarjeve të djeshme në Lazarat, ku disa gjimnazistë të këtij fshati u përleshën me forcat e policisë, duke thyer xhamat e makinave dhe lënduar efektikët me gurë, Policia e Shtetit ka dalë me një deklaratë për shtyp për të sqaruar situatën, e cila është keqpërdorur politikisht edhe nga opozita.

Policia e Shtetit njofton se nuk tërhiqet nga vendosja e ligjit dhe u bën thirrje banorëve të mbështesin uniformat blu.

Ndër të tjera, përmes njoftimit, bëhet apel që nxënësit e shkollave të mos keqpërdoren për qëllime politike dashakeqëse.

Mes nëntë personave të arrestuar, ndodhet edhe bashkëshortja e Gate Mahmutajt (u bë i njohur pas arrestimit të tij gjatë aksionit të qershorit, si një nga protagonistët kryesorë të mbjelljes së kanabisit në fshat dhe kundërshtimit të policisë me armë), e cila, ka qenë pjesëmarrëse në disa sulme që i janë bërë policisë edhe vitet e shkuara pas përpjekjeve për të asgjësuar lëndët narkotike në Lazarat.

Të arrestuar

1.Çaush Koçiu, vjeç 21, banues në Lazarat, Gjirokastër.

2.Altin Bejko, vjeç 40, banues në Lazarat, Gjirokastër.

3.Elton Gërveshi, vjeç 37, banues në Lazarat, Gjirokastër.

4.Marjana Mahmutaj, vjeç 45, banuese në Lazarat, Gjirokastër.

5.Natasha Mahmutaj, vjeç 40, banuese në Lazarat, bashkëshortja e Gate Mahmutaj. Kjo shtetase është e evidentuar si një nga pjesëtarët e grupit që kanë sulmuar me armë forcat e Repartit Renea në vitin 1998, ku mbetën të plagosur 8 efektivë të policisë, si dhe është e evidentuar përsëri si një nga pjesëtaret e grupit që kundërshtuan me armë forcat e policisë gjatë operacionit anti-kanabis të zhvilluar në muajin qershor në Lazarat.

6.Arnold Boci, vjeç 19, banues në Lazarat, Gjirokastër.

7.Gurim Toti, vjeç 20, banues në Lazarat, Gjirokastër.

8.Kanan (Adnand Cako), vjeç 25, banues në Lazarat, Gjirokastër.

Deklarata e Policisë së Shtetit

Arrestimi i tyre u bë, pasi më datën 08.10.2014, rreth orës 13:30, në Lazarat, Gjirokastër, këta shtetas kanë nxitur nxënësit e shkollës “Muhamet Gjollesha” në Lazarat dhe së bashku me ta kanë sulmuar dhe goditur me sende të forta punonjësit e policisë në detyrë dhe kanë dëmtuar automjetet e policisë.

Njëkohësisht është arrestuar në flagrancë, Iliaz Buci, vjeç 48, nga Lazarati, pasi ka kundërshtuar me dhunë forcat e policisë gjatë kontrollit në pikën e kontrollit të ngritur në Kordhocë nga ana e Efektivëve të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër.

Në lidhje me pretendimin e ngritur nga z.Bejko në një nga mediet audiovizive se punonjësit e policisë që kryejnë shërbim në këtë fshat kanë kryer veprime të pahijshme, sqarojmë opinionin publik se:

Asnjë banor i fshatit Lazarat nuk ka bërë kallëzim në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër për veprime të tilla .

Këto disinformacione dashakeqe, kanë për qëllim zbehjen e punës së mirë që po bën Policia e Shtetit në Komunën e Lazaratit për të garantuar rendin dhe sigurinë publike si dhe për të mos lejuar kthimin e bandave kriminale që vepronin deri para pak kohësh në këtë fshat.

Edhe një herë, Policia e Shtetit ju bën thirrje prindërve të nxënësve të përfshirë në këtë ngjarje që të mbajnë fëmijët nën kontroll dhe të distancohen nga këto veprimeve antiligjore, pasi persona me precedent kriminal që u është cenuar dhe goditur interesi dhe veprimtaria e tyre kriminale po i përdorin nxënësit për qëllimet e tyre kriminale.

I bëjmë thirrje dhe kërkojmë bashkëpunimin e Drejtorisë Arsimore Rajonale për verifikimin e integritetit të stafit pedagogjik të kësaj shkolle, pasi Policia e Shtetit disponon informacione se disa prej mësuesve të kësaj shkolle, janë nxitës të këtyre veprimeve.

Garantojmë banorët e ndershëm të fshatit Lazarat se Policia e Shtetit do të jetë përherë e pranishme në këtë fshat dhe në çdo cep të territorit të vendit, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë ashtu si edhe goditjen pa kompromis të veprimtarisë kriminale të çdo fushe e kudo që ajo do shfaqet

Gjithashtu i bëjmë me dije komunitetit të Lazaratit dhe qytetarëve të ndershëm se Policia e Shtetit është e vendosur te ndëshkojë dhe të vërë përpara përgjegjësisë ligjore çdo individ, ose grup individësh, që nxisin dhe organizojnë veprimtari të kundraligjshme.

Njëkohësisht ju kujtojmë se ligji vepron njëlloj edhe ndaj atyre që nën imunitetin e përfaqësimit politik apo të pushtetit nxisin apo organizojnë veprime kundër ligjit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button