Home / Kronika / Mbërriti nga Riga në atdhe trupi i pajetë i major Klodian Tanushi

Mbërriti nga Riga në atdhe trupi i pajetë i major Klodian Tanushi

Trupi i pajetë i komandantit të kontingjentit shqiptar në Letoni, major Klodian Tanushi, i cili ra në krye të detyrës gjatë misionit të NATO mbërriti në atdhe, ditën e mërkurë më 15 maj 2019. Arkivoli me trupin e major Tanushit, i mbuluar me Flamurin Kombëtar, u transportua me avion ushtarak nga Letonia dhe shoqërohej nga kolegët e tij shqiptarë, kanadezë dhe letonezë të grup-batalionit të NATO.

Për të pritur trupin e major Tanushit, në aeroportin “Nënë Tereza” dolën ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, zëvendësministri Petro Koçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, kolegë ushtarakë nga të gjitha komandat dhe forcat, si dhe familjarë të komandantit. Pas pritjes me nderime dhe ceremoni ushtarake në aeroport, trupi i pajetë i major Tanushit u dërgua për në banesën e tij, për të vijuar me ritet tradicionale familjare.

Po sot Komandanti i kontingjentit shqiptar në Letoni, major Klodian Tanushi, i rënë në krye të detyrës në misionin e NATO në vendin baltik, u përcoll me nderimet më të larta ushtarake nga kolegët e tij. Efektivë të nëntë vendeve pjesëmarrëse në misionin “enhanced Forward Presence”, përfshirë Letoninë, përcollën në Aeroportin e Rigës arkivolin e mbuluar me flamurin kombëtar, me trupin e major Tanushit, i cili do të transportohet me avion ushtarak në atdhe.

Homazhet zyrtare për major Tanushin dhe më pas ceremonia shtetërore, do të zhvillohen  të enjten në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar nga ora 10:00-12:30. Pas kryerjes së homazheve dhe ceremonisë shtetërore, major Tanushit do ti ipet lamtumira e fundit në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, ku do të prehet përjetësisht.

Leave a Reply

%d bloggers like this: