Home / Ekonomia / BSH në programin e Bundesbank-Përfiton asistencë teknike për të forcuar kapacitetet

BSH në programin e Bundesbank-Përfiton asistencë teknike për të forcuar kapacitetet

Për dy vitet e ardhshme, Banka e Shqipërisë do të jetë pjesë e programit të asistencës teknike të përgatitur nga Banka Qendrore e Gjermanisë, së bashku me 17 banka qendrore kombëtare dhe Bankën Qendrore Evropiane.

Ky program do të zbatohet me fondet e akorduara dhe monitoruara nga Bashkimi Evropian në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit. Banka e Shqipërisë do të përfitojë asistencë teknike nga zbatimi i këtij programi, së bashku me Bankat Qendrore të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Ky program synon forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve të institucioneve përfituese, kryesisht përmes përmirësimit të mëtejshëm të instrumenteve të tyre analitike dhe politike, nëpërmjet përvetësimit të standardeve më të mira ndërkombëtare dhe evropiane në praktikat kombëtare.

Gjatë zbatimit të programit, Deutsche Bundesbank, së bashku me 17 bankat qendrore kombëtare dhe me mbështetjen e Bankës Qendrore Evropiane, do të organizojnë një program intensiv trajnimi rajonal për çështjet kryesore të banking-ut qendror dhe mbikëqyrjes. Më konkretisht, programi konsiston në 20 aktivitete trajnuese, të fokusuara në fushat e mbikëqyrjes bankare, stabilitetit financiar, mbrojtjes së konsumatorit dhe përfshirjes financiare, rimëkëmbjes së bankave, politikës monetare, sistemeve të pagesave, statistikave, përputhshmërisë dhe integrimit në BE, politikave të qeverisjes, si dhe kontabilitetit e auditimit të brendshëm.

Paralelisht, në program janë parashikuar të zhvillohen dy seminare në nivel politikë bërësish për punonjës të nivelit drejtues të angazhuar në trajtimin e kredive me probleme dhe qeverisjen e bankave. Përveç aktiviteteve rajonale trajnuese, programi do të financojë edhe disa masa specifike dypalëshe që do të përcaktohen në takimet e mëtejshme të Komitetit Drejtues të Programit.

Leave a Reply

%d bloggers like this: