Home / Kryeartikull / Zgjedhje pa Saliun?

Zgjedhje pa Saliun?

Nga Leart Kola

Zgjedhjet pa Saliun duhet të kishin ndodhur që në 1997-n. Thënë këtë, ato janë jo vetëm të mirëseardhura por dhe të vonuara historikisht. Para 22 vjetësh Saliu u imponua si stabilizant i një konflikti të mundshëm jug-veri, një lloj ndërmjetësi për një konflikt që Shqipëria nuk e kishte parë ndër shekuj dhe për të cilin ishte ai përgjegjës kryesor. Pranimi i kushteve të Saliut atëherë, duke mbuluar me harresën e kohës mijëra të vrarët në 1997-ën, prodhuan kompromisin e parë, ndërmjet partive që do shënonte të ardhmen e Shqipërisë në vitet që do vinin.

Në 1997-n, në datën kur drejtësia duhet të binte mbi të, ai me ndihmën edhe të “miqve” ndërkombëtarë u bë pjesë e “zgjidhjes” dhe u rehabilitua brenda një jave. Vranicki i lodhur na dhuroi një Sali të shplodhur e gati për bëma të reja. Aty u varros precedenti e bashkë me të ju hap rruga plaçkitjes së pronës publike si formë e tërthortë e vjedhjes së xhepave të shqiptarëve, që deri atëherë bëhej me firma piramidale.

Të mos këtë askush asnjë dyshim, që masakra e Gërdecit u bë e mundur nga ai kompromis i 1997-s dhe u mbyll me një kompromis PS-PD të ndryshimeve kushtetuese. Masakra e dytë, që mbyllet me një negociatë të dytë, që prodhon vrasjet e radhës e që bëjnë të mundur që tashme në Shqipëri mund të vrasësh për makutëri e t’ia kalosh pa lagur. Kjo është një vrasje e dyfishtë e viktimave, por bashkë me ta dhe e kushtetutës e sistemit të drejtësisë me pjesëmarrjen e socialistëve nga fillimi në fund.

Partisë Socialiste dhe anëtarëve të saj, kjo formë kulisash ju rikthye në formën më makabre të mundshme me 4 të vrarë në Bulevard dhe me një proces zgjedhor, që e pasoi, që mund të quhet pa frike më i keqi në historinë e Shqipërisë. Aty ku ata menduan se ishin duke përfituar në afatgjatë nëpërmjet rehabilitimit të Saliut në afatshkurtër morën mësimin më të dhimbshëm të historisë.

Ja ku jemi prapë, në 2019-ën, pas gjithë atyre viktimave të lënë rrugës prej darkave, takimeve, pas kompromisit të panevojshëm së 2017-ës, që për një humbës kronik zgjedhjesh ishte vetëm fillimi i rrugës së asaj, që do kërkonte në 2019-ën, por ka ardhur koha për ti thënë MJAFT!

MJAFT, sepse askush nuk mund të marrë përsipër koston, që do sjellë ky kompromis. Na kanë kërcënuar gjithmonë me koston, që do sjelli mungesa e tij, por ne historikisht kemi pare, që pas cdo kompromisi gjërat janë bërë më keq dhe kostot në njerëz kanë qenë dhe më të larta.

MJAFT, sepse nëse Socialistët e rehabilitojnë dhe një herë Saliun, siç kanë bërë në këto 30 vjet nuk e meritojnë me asnjë votë dhe nuk mund të konsiderohen më e keqja e vogël, sepse ai që i jep oksigjen të keqes është patjetër e keqja më e madhe.

MJAFT, sepse askush nuk mund të ndryshojë vullnetin e njerëzve me votë nëpërmjet shantazhit dhe presionit. Të qeverisësh është dhe të mbash këtë lloj presioni e nëse Rama nuk e mban, apo mendon që duke shtyrë zgjedhjet do qeverisë i qetë me opozitën atëherë ai prej socialistëve nuk e meriton më të jetë kryeministër, jo më nga kërkesa e demokratëve.

MJAFT, Saliu nuk mund të ndryshojë kushtetutën me duart e socialistëve sa herë i intereson atij dhe nëpërmjet tyre të rikthehet në jetën politike sa herë ai i frikson udhëheqësit e socialistëve, që historikisht kanë treguar, që me justifikimin e stabilitetit kanë lejuar helmin e Saliut të bëhet edhe më vdekjeprurës.

MJAFT, ratë në kompromise me një njeri, që urren popullin e tij, për shkak se nuk e ka votuar kurrë!

MJAFT, sepse çdo kompromis i ri me Saliun tregon, që jeni bashkëpunëtorë në krim! Sidomos për kryeministrin e sotëm autor i tashmë i dy lëshimeve historike si ato të 2008-ës dhe 2017-ën me pasoja katastrofike për Shqipërinë dhe ku situata vetëm sa ka ardhur dhe është rënduar. Asnjë shenjë pozitive apo avancimi politik nuk ka ardhur prej tyre.

Të provojmë për një herë të respektojmë ligjet, kushtetutën, vullnetin demokratik, votën e njerëzve, pa u shantazhuar nga Saliu. Ti japim Shqipërisë këtë gjë, që s’ja kemi dhënë prej 30 vjetësh e të shohim se çfarë do ndodhi. Ky është jo vetëm një detyrim ligjor dhe kushtetues por dhe një detyrim historik dhe politik.

Të mbyllim më datë 30 Qershor 30 vjet shantazh të Saliut! Jam i sigurtë, që me clirimin e Shqipërisë do përfitojë dhe Partia Demokratike. E sigurt është, që do fitojë demokracia dhe një vend, që respekton demokracinë është i destinuar për një të ardhme të ndritur.

Zgjedhje pa Saliun më 30 Qershor dhe pikë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: