Ekonomia

Shqipëri-Kosovë, paketa të përbashkëta turistike për tërheqjen e vizitorëve të huaj

Shqipëria dhe Kosova synojnë krijimin e paketave të përbashkëta turistike me qëllim tërheqjen e sa më shumë turistëve të huaj nga vende të ndryshme të botës.

Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi gjatë një vizite pune në Kosovë, i shoqëruar edhe nga kryetari i bashkisë Vlorë, Himarë, nënkryetari i bashkisë Durrës, operatorë turistikë dhe sipërmarrës të strukturave akomoduese në Shqipëri, diskutoi me ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi dhe ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, për zgjidhjen e përbashkët të problematikave, në përgatitjen e sezonit veror 2019.

Bashkëpunime dhe plane menaxhimi të përbashkëta të pasurive natyrore; krijimi i ofertës së përbashkët turistike; ngritja e guidave profesionale; krijimi i taskforcës për zgjidhje të përbashkëta në fushën e Turizmit, si edhe punësime sezonale të të rinjve të kualifikuar gjatë sezonit turistik 2019, ishin disa nga çështjet që diskutuan në këto takime.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, gjatë një vizite në zyrat e një operatori turistik në Prishtinë, u njoh me shtimin e numrit të fluturimeve “charter” 2 herë në javë, në linjat Zvicër-Shqipëri dhe linja nga Këlni e Shtutgarti, me qëllim plotësimin e kërkesave të shumta të shtetasve shqiptarë dhe të Kosovës, që jetojnë atje, si edhe të turistëve të huaj, që duan të vijnë për turizëm në Kosovë dhe Shqipëri.

Ministri Klosi gjatë vizitës në Prishtinë pati një axhendë intensive takimesh, ku promovoi ofertën e diversifikuar turistike të Shqipërisë, për vitin 2019. Ndërkohë që Shqipëria renditet ndër destinacionet e para, për t’u vizituar nga shtetasit e Kosovës dhe turistët e huaj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button