Kryeartikull

Lufta e dosjeve, kur 8000 faqe përgjime ngatërrojnë kartat e politikës

Pas dosjeve 339 dhe 184, që provokuan djegien e mandateve nga opozita shqiptare, në skenë ka dalë një dosje me një numër të ri rendor: 978. Është denoncuar nga gazetari Artan Hoxha dhe i atribuohet Presidentit Ilir Meta. Në fakt përgjimet e kësaj dosjeje datojnë nga viti 2009, kur Meta ishte në opozitë. Sipas Hoxhës, një oficer i Policisë Gjyqësore, thotë se nga përgjimet për biznesmenin Ismailaj nën akuzë për pastrim parash, ka dalë i përfshirë edhe një person i ekspozuar politikisht. Numri që ka dalë në përgjimet ndaj Kastriot Ismailajt, në atë kohë ishte në përdorim nga Ilir Meta, ndërsa aktualisht nuk përdoret më prej tij, pasi Presidenti ka numër tjetër. Hoxha thotë se përgjimi mban datën 22 qershor 2009, dy ditë para zgjedhjeve. Sipas përgjimeve, të cilat edhe pse janë asgjesuar, disponohen nga gazetari Hoxha, Kastriot Ismailaj ishte kontaktuar nga Ilir Meta, i cili i kishte kërkuar 200 mijë euro. “Nesër në darkë (më 23 qershor), duhet të takohemi patjetër. Më duhen 200 mijë patjetër. Mos harro”, thuhet sipas Hoxhës, në mesazhin dërguar nga numri i Ilir Metës drejt Kastriot Ismailajt.

Kjo dosje ka, sipas gazetarit Hoxha, jo pak, por plot 8000 faqe transkriptime. Pra, një rekord më vete sa i përket materialit të disponuar. Hoxha është shprehur se dosja në fjalë, është pushuar, dhe të gjitha përgjimet e traskiptuara dhe disqet janë asgjësuar me një vendim gjykate në dhjetor 2010. Dhe kjo ka ndodhur menjëherë pas ardhjes në pushtet të Ilir Metës, që në atë kohë bëri aleancë me Partinë Demokratike, me kryeministër Sali Berishën. Të mbajnë shënim ata që flasin për përfshirjen e prokurorisë dhe gjykatave të sotme në favor të qeverisë aktuale!Sorry, there are no polls available at the moment.

Një tjetër dosje, tashmë e famshme, është ajo me numrin 339. Sipas opozitës, në të ndodhen komunikime të kreut të bashkisë Durrës Vangjush Dako, me persona me rekorde kriminale, me qëllim shtblerjen e votave në zgjedhjet e vitit 2017. Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako është thirrur ditën e enjte në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku është pyetur për pesë orë, në lidhje me dosjen në fjalë. Kryebashkiaku i Durrësit është pyetur në cilësinë e personit që është në dijeni, ndërsa hetimet janë mjaft sekrete, e për këtë nuk bëhen të ditura detaje nga dëshmia e tij.

Dhe së fundi vijmë tek dosja e tretë, ajo me numër 184, e bërë publike nga kreu i PD Lulzim Basha dhe që ka lidhje me zgjedhjet në Dibër. “Dosja 184 është fundi politik i Edi Ramës dhe bandës së hajdutëve. Në këtë dosje janë kapur gafil, Edi Rama, Arben Ahmetaj, Sadri Abazi, Blerim Ndreu, Paulin Sterkaj, Ulsi Manja, Damian Gjiknuri duke bërë pazare me Ymer Lalën dhe krimin e organizuar për të blerë vota dhe për të mbushur kutitë e votimit, që të kapnin bashkinë e Dibrës dhe për të bërë eksperimentin që e vunë në zbatim në 2017”, ka deklaruar Basha në një nga mitingjet e tij javët e fundit.

Lufta me dosje, siç shihet, le pak vend për të menduar se në këtë vend ka “burra të mirë”. Megjithëse gjithçka duhet provuar nga hetimet dhe më pas nga proceset gjyqësore, të cilat atribuojnë fajësinë ose pafajësinë, duhet thënë se akuzat nuk kanë munguar as dje, as sot dhe nuk do të mungojnë as nesër. Përfshirja e Ilir Metës në këtë valle të pretenduar përgjimesh nuk është as e re dhe as e paditur më parë. Akuzat për lidhjet e ryshfetit me Kastriot Ismailajn janë të vjetra, por çuditërisht Berisha dhe Basha nuk i dogjën mandatet dhe nuk goditën selinë e LSI me molotov, kur këto akuza morën dhenë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button