Politika

KE rekomandon çeljen e negociatave me Shqipërinë

Komisioni Europian ka rekomanduar sërish hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut: kjo u bë e ditur sot nga Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn gjatë prezantimit të Paketës së Zgjerimit në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit europian, të mërkurën paradite, ku u paraqit progres-raporti për shtetet në procesin e zgjerimit, ku përfshihen shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia.
Johannes Hahn, Komisioneri i BE-së për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, edhe kësaj radhe ka rekomanduar çeljen e negociatave për anëtarësim për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

“Shqipëria ka çuar përpara reformat, veçanërisht një transformim të madh të sistemit të Drejtësisë, përfshirë një proces të paprecedentë rivlerësimi të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, u shpreh zoti Hahn, duke shtuar se “Maqedonia e Veriut jo vetëm që vijon reformat e saj ambicioze, por arriti dhe një marrëveshje historike me Greqinë, duke zgjidhur problemin e gjatë të emrit. Kjo marrëveshje, së bashku me atë të arritur me Bullgarinë, është një shembull për forcimin e marrëdhënieve fqinjësore në rajon, është një shembull i shkëlqyer për vendet e tjera, dhe dëshmon fuqinë tërheqëse të perspektivës europiane”, u shpreh ai.

Komisioneri europian, theksoi se “të dyja vendet kanë bërë përpara me reformat, vecanërisht në fushat e përcaktuara nga Këshilli në Qershor 2018. Për këtë arsye Komisioni europian i rekomandon Këshillit hapjen e bisedimeve tani, si me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut. Që të mbetet i besueshëm, Bashkimi europian duhet t’i përmbahet angazhimeve të veta dhe t’u përgjigjet qartë dhe pozitivisht, kur vendet i përmbushin detyrimet e tyre”, deklaroi zoti Hahn.

Në përmbledhjen e vlerësimit që Komisioni Europian i dërgon Këshillit dhe Parlamentit europian për Shqipërinë, vihet në dukje se vendi “ka vazhduar të bëjë përparim të mirë dhe dëshmoi vendosmërinë e tij të vazhdueshme për të përparuar me agjendën e Bashkimit Europian. Shqipëria ka patur rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme, veçanërisht lidhur me kushtet e përcaktuara në Përfundimet e Këshillit të Qershorit 2018 për hapjen e negociatave të pranimit, në një atmosferë politike të polarizuar vazhdimisht”. Dhe lidhur me këtë situatë politike, Komisioni thekson se “partitë e opozitës, shumica prej të cilave hoqën dorë nga mandatet e tyre parlamentare në shkurt të vitit 2019, duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në institucionet demokratike dhe të angazhohen për një konsensus të gjerë evropian”.

Komisioni Europian thekson se “zbatimi i Reformës në Drejtësi ka vijuar në mënyrë të qëndrueshme, duke sjellë një progres të mirë në përgjithësi dhe duke hedhur themelet për forcimin e sektorit dhe konsolidimin e pavarësisë, paanshmërisë, profesionalizmit dhe llogaridhënies. Rezultate konkrete janë arritur në rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ristrukturimi institucional i gjyqësorit ka vazhduar gjithashtu”. Sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Komisioni vëren se “kanë vijuar përpjekje të vendosura, përfshirë luftën kundër trafikimit të drogës dhe kultivimit, duke kontribuar në krijimin e një baze të qëndrueshme të dhënash në hetime proaktive, ndjekje penale dhe dënime. Vitet e fundit, Shqipëria tregoi në vijim, një angazhim të fortë për të luftuar prodhimin dhe trafikimin e kanabisit”. Po ashtu vlerësohet dhe bashkëpunimi ndërkombëtar i policisë shqiptare”

Në vlerësimin e tij ndërsa thekson se “në dritën e progresit të arritur dhe kushteve të vendosura unanimisht nga Këshilli në qershor 2018, Komisioni rekomandon që Këshilli të hap tani bisedimet e anëtarësimi me Shqipërinë”, duke nënvizuar se “për të mbështetur momentin e vijueshmërisë së reformave, Komisioni do të zbatonte një qasje të përforcuar për kapitujt negociues mbi gjyqësorin dhe të drejtat themelore, si dhe drejtësinë, lirinë dhe sigurinë në vend. Shqipëria duhet të vijojë të rregjistrojë rezultate të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën kundër krimit të organizuar. Një konsensus më i fortë kombëtar mbi prioritetin mbizotërues të integrimit në BE, tejkalimi i polarizimit aktual dhe demonstrimi i vullnetit politik që shkon përtej ndarjeve mes partive, është gjithashtu i nevojshëm për të mbështetur dhe konsoliduar përparimin e bërë nga vendi”, u shpreh ai.

Pas marrjes serish të rekomandimit për çeljen e negociatave nga Komisioni Evropian, janë vendet anëtare që do të vendosin për këtë propozim. E vendimi final i takon Këshillit të ministrave të jashtëm të vendeve BE, që do të mblidhen në qershor.

Holanda dhe Gjermania do të marrë miratimin e Parlamentit për të vendosur pro këtij vendimi, teksa Franca dhe Belgjika janë skeptike për të vijuar me zgjerimin e BE në këtë kohë.

Në lidhje me Serbin dhe Malin e Zi, zoti Hahn tha se këto dy vende duhet të rrisin përpjekjet e tyre në lidhje me çeljen e negociatave për anëtarësim në BE.

“Serbia dhe Mali i Zi, duhet të rrisin përpjekjet në punën e tyre. Kjo është më e rëndësishmja dhe kushti  për të ecur përpara në rrugën e integrimit. Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, këto dy vende duhet të vazhdojnë. Kosova duhet të heqë tarifat për Serbinë dhe Bosnjën. Tarifat për Serbinë dhe Bosnjën, duhet të hiqen. Kosova duhet të bazohet në marrëveshjen e MSA-së”, tha Komisioneri i BE-së për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit Johannes Hahn.

Progres-raporti/ Rekomandimi i KE për Shqipërinë 

Shqipëria ka vazhduar të bëjë përparim të mirë dhe demonstroi vendosmërinë e saj të vazhdueshme për të avancuar në axhendën e BE. Ajo ka dhënë rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme, veçanërisht në kushtet e përcaktuara në Konkluzionet e Këshillit të qershorit 2018 për hapjen e negociatave të anëtarësimit, në një atmosferë politike të polarizuar vazhdimisht. Partitë e opozitës, shumica prej të cilave hoqën dorë nga mandatet e tyre parlamentare në shkurt të vitit 2019, duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në institucionet demokratike dhe të angazhohen për një konsensus të gjerë evropian. Zbatimi i reformës në drejtësi ka vazhduar vazhdimisht, duke rezultuar në një progres të mirë në përgjithësi dhe duke hedhur themelet për forcimin e sektorit dhe konsolidimin e pavarësisë, paanshmërisë, profesionalizmit dhe llogaridhënies. Rezultatet konkrete janë arritur në rivlerësimin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve (vettingu).

Ristrukturimi institucional i gjyqësorit ka vazhduar gjithashtu. Organet e reja për vetëqeverisje të pavarur të gjyqësorit u krijuan, duke sjellë formimin e mëtejshëm të institucioneve të specializuara gjyqësore dhe hetuese për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Përpjekje të vendosura vazhduan në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë luftën kundër trafikimit të drogës dhe kultivimit, duke kontribuar në krijimin e një rekordi të qëndrueshëm të hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve.

Vazhdimisht vitetet e fundit, Shqipëria ka treguar një angazhim të fortë për të luftuar prodhimin dhe trafikimin e kanabisit. Bashkëpunimi ndërkombëtar i policisë, veçanërisht me Shtetet Anëtare të BE-së, gjithashtu është intensifikuar, duke çuar në një numër operacionesh të suksesshme të zbatimit të ligjit në masë të madhe dhe arrestimin dhe ndjekjen penale të krerëve të organizuar kriminalë. Krijimi i një regjistri solid të hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën kundër krimit të organizuar mbetet një sfidë afatgjate që vazhdon të kërkojë përpjekje të mëtejshme të përforcuara dhe të qëndrueshme nga Shqipëria, duke përfshirë bashkëpunimi operacional me Shtetet Anëtare të BE.

Për më tepër, vazhdoi reforma e administratës publike me objektivat e përgjithshme të rritjes së profesionalizmit dhe transparencës në procedurat e rekrutimit për shërbimin civil, si dhe forcimin e politikë-bërjes duke konsoliduar strukturat e koordinimit sektorial. Masat për përforcimin e mbrojtjes efektive të të drejtave të njeriut, duke përfshirë edhe personat që u përkasin minoriteteve dhe romëve, si dhe politikat kundër diskriminimit, u ndoqën më tej. Rritja ekonomike u rrit më tej nga 3.8% në 2017 në 4.2% në vitin 2018 dhe papunësia dhe deficiti buxhetor ranë edhe pse mbetën të larta. Mungesa e njohurive produktive, nivelet e ulëta të arsimit dhe transferimet teknologjike pengojnë konkurrencën e saj dhe integrimin në zinxhirët e vlerave ndërkombëtare.

Me progresin e arritur dhe kushteve të vendosura unanimisht nga Këshilli në qershor 2018, Komisioni rekomandon që Këshilli të hapë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë. Për të mbështetur vijimësinë ë reformës, Komisioni do të zbatonte një qasje të përforcuar për kapitujt negociues mbi gjyqësorin dhe të drejtat themelore, si dhe drejtësinë, lirinë dhe sigurinë në vend. Shqipëria duhet të shënojë arritjet të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën kundër krimit të organizuar.

Një konsensus më i fortë kombëtar mbi prioritetin kryesor të integrimit në BE, tejkalimi i polarizimit aktual dhe demonstrimi i vullnetit politik për ndarjet e partive, është gjithashtu e nevojshme për të mbështetur dhe konsoliduar progresin e bërë nga vendi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button