Politika

Rama ftohet të mbajë fjalim në Universitetin e Harvardit

Vizita

Kryeministri do të mbajë leksion në auditorin e Institutit të Politikës, Xhon Kenedi

NGA FATJONA MEJDINI

Edi-RamaKryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të jetë në 16 tetor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të mbajtur një fjalë në auditorin e Institutit të Politikës, Xhon Kenedi, (John F. Kennedy Jr) pranë Universitetit të Harvardit. Ky aktivitet i kreut të qeverisë shqiptare është sponsorizuar nga Qendra për Zhvillimet Ndërkombëtare dhe po kështu nga Qendra e Studimeve Europiane. Në këtë aktivitet, Rama do të jetë i shoqëruar nga Ricardo Hausmann, drejtor i Qendrës për Zhvillimet Ndërkombëtare dhe profesor në shkollën e qeverisjes në Universitetin e Harvardit dhe Drejtoresha e Qendrës së Studimeve Europiane, Elaine Papoulias. Burimet bëjnë të ditur se në fjalën e tij, Rama do të përqendrohet te zhvillimet e fundit në Shqipëri, një vit pasi ai është vendosur në zyrën e Kryeministrit dhe te nevoja e vendit për të vijuar marrëdhëniet e afërta të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rama pritet ta “përdorë” këtë vizitë edhe për të bërë një prezantim të veçorive pozitive të vendit, si tolerancë fetare dhe po kështu vendosmëria e shqiptarëve për të qenë pjesë e Bashkimit Europian dhe vijuar aleancën e afërt me SHBA-në. Në këtë vizitë në SHBA, Rama pritet të zhvillojë takime dhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe të jetë i hapur për të folur në mediat amerikane. Por burimet bëjnë të ditur se kreu i qeverisë shqiptare nuk do të ketë takime në Uashingtonin zyrtar që do të ishin të vlefshme për sa i përket rritjes së nivelit të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Kjo edhe për shkak se vizita e Ramës në SHBA është e sponsorizuar nga organizata joqeveritare me qendër në Universitetin e Harvardit. Vizita e javës së ardhshme është e dyta e kreut të qeverisë shqiptare në SHBA pas marrjes së pushtetit. Në shtatorin e vitit të kaluar, Rama mori pjesë si drejtues i delegacionit shqiptar në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që mbahet çdo vit në Nju Jork. Përgjatë kësaj pjesëmarrjeje Kryeministri shqiptar pati rast të zhvillojë takime me përfaqësuesit më të lartë të politikës amerikane, mes tyre dhe Presidentin amerikan, Barak Obama, dhe po kështu me homologë nga të gjitha vendet e botës. Këtë vit, Shqipëria u prezantua në Nju Jork me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati. Ndasitë që karakterizojnë politikën shqiptare për fat të keq u pasqyruan dhe në këtë vizitë të dy përfaqësuesve të lartë të shtetit shqiptar në SHBA. Kryeministri shqiptar do të udhëtojë drejt SHBA-së, disa ditë përpara se të realizojë vizitën zyrtare të programuar në Beograd. Është parashikuar që vizita e Kryeministrit shqiptar, e para,  pas 68 vitesh, të realizohet më 22 tetor.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button