Home / Politika / Rama në Lezhë: Nisim betejën me kundërshtarët e zgjedhjeve

Rama në Lezhë: Nisim betejën me kundërshtarët e zgjedhjeve

“Kjo që nisim ne sot nuk është një fushatë zgjedhjesh pa kundërshtarë, por është një betejë me kundërshtarët e zgjedhjeve”, deklaroi sot nga Lezha Kryeministri Edi Rama.

Në çelje të fushatës zgjedhore në Lezhë, Rama tha se “kjo është një betejë për t’i dhënë fund në 30 qershor, një mënyre të ulët, të mbrapsht e të pabesë të të bërit politikë, duke u tallur me popullin, duke përbuzur e dhunuar ligjet dhe duke e shfaqur çdo ditë në ekran politikën, si një aktivitet egërsirash”, tha Rama.

Kjo, sipas Kryeministrit, “nuk është një betejë për vota sepse ata nuk duan të ballafaqohen me votë, por është një betejë për zemrat dhe mendjet e gjithë shqiptarëve”.

” Ata që duan të kallin frikën në zemrat e njerëzve dhe t’i çorodisin mendjet e tyre nuk do t’i mundim me votë, por do t’i zmbrapsim me forcën e pathyeshme të së drejtës që kemi me vete, vendosmërinë që na jep kjo e drejtë dhe të durimit dhe qetësisë sonë”, tha Rama.

Sipas tij, “kundërshtari që nuk do zgjedhje por kërkon njerëz për të bërë një turp historik”. “Nuk ka më turp, se ai që do ta dëmtonte shumë keq Shqipërinë dhe do ta bënte këtë vend në sytë e gjithë botës, një skenë barbarësh dhe një skenë njerëzish mizerabël, duke e katandisur të parin vend në historinë e Europës ku zgjedhjet merren peng nga banditizmi i dhunshëm politik. Ky është turp që do të na damkoste të gjithëve me damkën se shqiptarët nuk bëjnë dot shtet sepse nuk respektojnë dot as rregullat që vënë vetë. Këtë duan t’i bëjnë Shqipërisë vetëm se nuk na mundin dot me zgjedhje dhe se janë në panik nga drejtësia”, tha Rama.

Leave a Reply

%d bloggers like this: