IntervistaPolitika

Meta: Afrimi i PDIU-së nuk përbën shqetësim për ne, forcon mazhorancën

INTERVISTA 

“Votoj për Kodhelin, Majkon dhe Tahirin, por është e parakohshme” 

ilir meta top storyKryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, në një rrëfim të gjatë në “Top Story”, shprehet se afrimi i PDIU-së në koalicionin qeveritar nuk përbën asnjë shqetësim për partinë e tij. Duke iu përgjigjur shifrave në Kuvend, Meta lëshoi një batutë nëse PS-ja i ka 66 votat me Spartak Brahon që ka kaluar me LSI-në ose jo.

Zoti Meta, mirëmbrëma dhe faleminderit që më në fund u rikthyet në “Top Story” dhe dolët në një emision publik pas shumë kohësh!

Në fakt, ne shqiptarët, kur përshëndetemi, në fillim pyesim: Si jeni me shëndet? Kjo për ju, në fakt, ka marrë një konotacion tjetër kohët e fundit. Realisht, a jeni mirë me shëndet?

Jam më shumë se mirë. Kështu që të gjithë ata që mund të kenë pasur ndonjë merak, të qetësohen.

Merak më shumë ka pasur opozita.com e Aleancës Kuqezi, që ju ka dhënë tetë muaj jetë.

Besoj se ky është një keqinformim për ta, nuk është një dëshirë e tyre.

Ju mendoni se nuk është dëshirë, thjesht keqinformim.

Keqinformim. Për t’ju informuar, mund t’ju them se gjyshi im ka jetuar 110 vjet.

Kjo ka rëndësi: mjaft të shëndetshme. Nuk po ju pyes për kurën, por vetëm më shuani një kuriozitet: a është e vërtetë ajo që thuhet se keni humbur mbi 30 kilogramë?

Kjo nuk ka asnjë rëndësi. E rëndësishme është që ngre shumë më tepër kilogramë tani sesa kur isha shumë më tepër.

Sot, opozita vazhdon ta bojkotojë Parlamentin dhe shkak që u njoh edhe nga progres-raporti i para dy ditëve apo më saktë i djeshmi, i BE-së dhe i KE-së për Shqipërinë, ka qenë pikërisht dhuna që është ushtruar ndaj dy deputetëve të Parlamentit.

Është për të ardhur keq për ngjarjen e rëndë që ka ndodhur në Kuvendin e Shqipërisë, në ambientet e Parlamentit. Por nuk besoj se ka më arsye për opozitën për ta vazhduar këtë proces, sidomos pas veprimeve të ndërmarra nga prokuroria, e cila për herë të parë, për një konflikt të tillë, ka nisur një proces, duke e dërguar këtë çështje në gjykim. Besoj se kjo duhet të jetë e mjaftueshme për opozitën për t’u kthyer në Parlament, ashtu sikurse opozita dhe mazhoranca duhet të shprehin vullnetin e tyre të plotë, që ngjarje të tilla të mos ndodhin në të ardhmen dhe jo vetëm kaq, por në rast se opozita dëshiron si një garanci që ngjarje të tilla të mos ndodhin më në të ardhmen nga askush, mund të propozojë nisma jo vetëm për të forcuar rregulloren e Kuvendit, e cila parashikon dënime të papërfillshme në raste të tilla, por edhe për t’u hequr në të ardhmen mandatin deputetëve, që konfliktohen fizikisht, përmes çdo lloj ndërhyrjeje në Kushtetutë, në ligj. Në qoftë se ka vullnet, votat janë për të vendosur një klimë të re të përgjegjshmërisë, të tolerancës në Kuvendin e Shqipërisë.

Ju vetë, çfarë bindjeje keni për incidentin Ndoka-Strazimiri, është goditje për shkak të detyrës apo për shkak të fyerjeve personale? Ju si i keni informacionet?

Ky nuk është një rast që unë të sillem as si prokuror, as si gjykatës. Çështja i ka kaluar drejtësisë. Menjëherë pas këtij takimi, ne kemi bërë mbledhjen e Byrosë së Kuvendit, që trajton këto çështje dhe kam propozuar masa maksimale, pavarësisht nga vendimi i Byrosë për autorët e këtij incidenti.

Atëherë pse Kuvendi apo Kryesia e Kuvendit të Shqipërisë nxitoi atë natë (kur videoja doli në transmetim në disa televizione), të mohonte se ishte ajo që e kishte shpërndarë këtë video? Përse e bëtë këtë deklaratë?

Ky qëndrim është mbajtur nga administrata e Kuvendit, pasi, me sa duket, jam pyetur nga media se e kujt ka qenë autorësia e shpërndarjes së këtij materiali filmik, dhe më duket se ka qenë një prononcim mjaft korrekt.

T’i rikthehemi tani një teme shumë delikate, zoti Meta, e cila nuk di pse nuk mori jehonën e duhur që para dy javësh kur ajo shpërtheu. Është çështja e përgjimeve.

Komisioni i Sigurisë, i drejtuar nga deputeti i përbashkët PS-LSI, zoti Spartak Braho, përpiloi një raport, i cili nuk u bë asnjëherë publik lidhur me përgjimet që ishin bërë ndaj politikanëve, ndaj diplomatëve të huaj dhe, me sa po dëgjojmë, edhe ndaj nesh, ndaj gazetarëve.

Kemi pasur një prononcim të Shërbimit Informativ, i cili indirekt ka pohuar se ka pasur përgjime, por ka mohuar që ato të jenë të paligjshme. Ndërkohë, ish-kryeministri i vendit, në një konferencë për shtyp, zbardhi jo thjesht arsyet pse, jo thjesht metodat si, por ndonjëherë edhe debatet apo dialogët që kishin qenë, sipas tij, midis Kryeministrit dhe grupeve kriminale.

A keni ju ndonjë qëndrim? A ka ndonjë qëndrim Ilir Meta lidhur me këtë çështje, me çështjen e përgjimeve, pasi përflitet që ju jeni personi që rezultoni më shumë në këto përgjime, mbi 700?

Është kënaqësi për mua në rast se jam kaq shumë i përgjuar, në çdo formë, direkte apo indirekte, por më duhet të mbaj qëndrim institucional për rastin në fjalë, që do të thotë se na duhet të presim konkluzionet përfundimtare të këtij komisioni, i cili, sipas informacionit që unë kam, ende nuk e ka përfunduar punën e tij për të bërë verifikime të plota dhe përfundimtare.

Ata kanë bërë një informacion paraprak, të cilin unë e disponoj, por janë në vazhdim të përpjekjeve për ta çuar deri në fund punën e tyre. Për sa u takon çështjeve, që kanë të bëjnë me shërbimin inteligjent, kam pasur gjithmonë një qëndrim të rezervuar. Nuk jam për të debatuar çështjet e një institucioni të tillë delikat publik, por natyrisht Parlamenti, qeveria, Kryeministri, i kanë të gjitha instrumentet për të vërtetuar gjithçka në mënyrë mjaft të saktë e mjaft ligjore. Për sa i takon Doktorit, ai është i pasionuar pas përgjimeve …

Pasioni i tij për vrimën e çelësit dihet, por përtej kësaj, zoti Meta, ajo që dua të pyes është se SHISH-i dhe drejtuesit e tij nuk janë për herë të parë gjatë këtij viti të parë të mandatit tuaj të ri qeverisës në fokus të debatit … Nga ky informacion paraprak që ju keni, zoti Meta, ndjesë që këmbëngul, por është në interes të publikut, nga ky material që ju keni, materiali paraprak që ju keni në dorë, ende i papërfunduar, rezultojnë të përgjuar këto kategori njerëzish, qoftë edhe në mënyrë indirekte?

Mos prisni nga unë të bëj gabimin e Doktorit dhe të nxitoj për të bërë deklarata, madje edhe për të treguar pasazhe nga bisedat, sepse nuk i kam pasur pasion e nuk më tërheqin përgjimet, dhe sa herë dëgjoj për histori përgjimesh, më kujtohen historitë e ish-shefit të shërbimit me jashtë, Çausheskut, Paçepa, që tregonte sesi Çaushesku dhe e shoqja përgjonin edhe fëmijë, përveç ministrave e qeveritarëve e nuk i zinte gjumi po të mos dëgjonin.

Përflitet se është përgjuar …

… e kishin si ilaç për të fjetur gjumë.

Në fakt, përflitet se është përgjuar edhe zoti Basha.

Përflitet, të paktën. Nuk e di dhe nuk mund të hyj konkretisht. Prandaj thashë që nuk dua të nxitohem dhe nuk kam asnjë arsye për të nxituar. Kështu që të mos nxitojmë, unë asnjëherë nuk kam qenë partizan i debatimit të çështjeve të Shërbimit Informativ në opinionin publik, në asnjë kohë. Besoj se edhe Kryeministri në linjën e tij do ta lexojë këtë raport dhe do të ndjekë konkluzionet e tij deri në fund.

Nëse rezulton se këto përgjime janë bërë në shkelje me ligjin, a do të mbajë mazhoranca një qëndrim ndaj krerëve të SHISH-it?

Ne do të presim qetësisht rezultatet dhe çdo njeri që ka bërë shkelje do të përgjigjet për to.

Cila është e vërteta, sipas jush, a ka një përpjekje të mazhorancës për të marrë nën kontroll institucionet si KLD, BSH apo dhe SHISH?

Sa u përket institucioneve, nëse flasim për shembull për çështjen e AMA-s, kemi ngërçin e krijuar nga mungesa e opozitës për të zhbllokuar situatën. Ne e kemi thirrur opozitën që të mos veprojmë të vetëm. Edhe në komisionet e tjera opozita është ftuar të ndjekë proceset hap pas hapi. Asaj do t’i krijohen të gjitha kushtet në Parlament për të realizuar reformat, me bashkëdrejtim, bashkëpërgjegjësi etj. Për reformën territoriale, për shembull, do të duhej një reduktim i numrit të bashkive të vendit, sipas ekspertizës europiane dhe asaj amerikane. Në këtë rast, opozita mendoi ‘pse të marrim ne këtë përgjegjësi’ dhe ia la atë mazhorancës, e cila ka treguar fleksibilitet maksimal. Janë bërë ndryshime në minutën e fundit.

SHISH-i varet nga Kryeministri, por drejtori zgjidhet nga Presidenti. Disa ligje janë kthyer mbrapsht nga Presidenti, disa janë çuar në Kushtetuese dhe mund të ketë të tjera që të kthehen mbrapsht. Cili do të jetë qëndrimi juaj institucional apo politik?

Është në të drejtën e tij në përmbushje të funksioneve kushtetuese të konfirmojë apo të kthejë pas një ligj. Ka pasur mundësi për opozitën për të thënë fjalën e saj. Por nuk paragjykojmë qëndrimin e Presidentit apo atë që do të mbajë Gjykata Kushtetuese.

Presidenti Nishani ka deklaruar se do të rikandidojë, kjo mazhorancë do ta rivotonte atë apo do të zgjidhte një kandidaturë tjetër?

Është fare normale që një President, që është në funksion, pra në detyrë, të synojë edhe një mandat të dytë, kështu që na mbetet vetëm t’i urojmë suksese.

Në ç’kuptim? Që të gjejë votat?

Ajo është çështje tjetër. E them në kuptimin që është një dëshirë dhe duhet respektuar.

Dakord. Për sa i takon zgjedhjes së Presidentit, duhen edhe tre vjet, të presim.

Po, do të presim patjetër.

Të shpresojë edhe zoti Nishani që mund t’i marrë sërish votat tuaja, se ju e keni votuar si LSI apo jo?

Është tepër herët, por mua më duket normale që një President, i cili është në detyrë, të synojë një mandat të dytë.

A ndien përgjegjësi mazhoranca që opozita ndodhet jashtë Kuvendit dhe a do të bëjë diçka që ajo të kthehet?

Bojkoti tregon se opozita nuk e ka pranuar realisht humbjen. Shenjat e pranimit u treguan pas 15 muajsh nga kryetari aktual i PD-së. Natyrisht që në vazhdimësi të procesit parlamentar nga opozita ka pasur një retorikë agresive. Por kjo nuk justifikon aktet e dhunës në Kuvend. Komenti im për këtë është që opozita bazohet në direktivat e ish-kryeministrit Berisha, sipas të cilit opozita është protestë, protestë dhe vetëm protestë.

Pra, në PD mbizotëron Berisha?

Mbizotëron protesta dhe nuk mbizotëron alternativa.

Është folur për një guvernator të Bankës së Argjentinës.

Po, ka qenë për një arsye, sepse zoti Fullani ka pasur një reputacion mjaft pozitiv ndërkombëtar. Dhe kjo mund të ndihmonte në restaurimin e besimit ndërkombëtar te Banka e Shqipërisë përmes një figure të njohur, por natyrisht mund të jetë edhe një figurë tjetër …

Pse mund të mos jetë një shqiptar?

Mund të jetë edhe një shqiptar që punon në institucionet ndërkombëtare, mund të jetë edhe një shqiptar këtu, por këtu bëhet fjalë për të rivendosur një lidhje të menjëhershme me të gjithë botën financiare. Pra, një emër shumë i njohur i rrit menjëherë kredencialet e Bankës së Shqipërisë dhe të Shqipërisë. Kjo ka qenë arsyeja.

Kjo është arsyeja pse e ka propozuar Kryeministri si ide dhe i ka qëndruar edhe ditët e fundit kësaj.

Ndoshta një figurë e huaj mund të ishte edhe jashtë këtyre presioneve lokale.

Pra, edhe ju jeni pro këtij varianti?

Unë jam për një zgjidhje sa më të mirë. Mendoj se ka edhe kandidatë vendas me eksperiencë me përvojë, ka shumë që punojnë në institucione të rëndësishme prestigjioze ndërkombëtare, por s’duhet të kemi frikë edhe nga një guvernator i huaj, nga një figurë, nga një personalitet … do të na ndihmonte shumë. E rëndësishme është që ta zgjidhim me konsensus. Nëse doni ndonjë emër nga unë, s’kam emër.

Jo, jo, thjesht te cili variant anoni ju më shumë?

Unë jam te varianti i konsensusit dhe sa më shpejt.

Zoti Meta, Kryeministri Rama në një dalje televizive dy ditë më parë, konfirmoi atë që, në fakt, pothuajse ne të gjithë e dinim: që tashmë PDIU-ja e Shpëtim Idrizit me shumë gjasa është në fazën e fundit të negociatave teknike, pra jo politike, sepse ajo është kapërcyer, të paktën nga informacionet që kam unë, për t’iu bashkuar koalicionit qeveritar tuajit dhe të zotit Rama. Natyrisht që çdo parti politike merr vendimet e saj, ka platformat dhe pikësynimet e saj. Megjithatë është shumë interesant fakti se nëse pesë deputetët e PDIU-së i bashkohen koalicionit qeverisës, ata sjellin një situatë të çuditshme brenda vetë gjirit tuaj, pasi 66 deputetët e PS-së dhe pesë deputetët e PDIU-së, do t’i jepnin zotit Rama një shumicë prej 71 votash …

Janë 66 deputetë bashkë me zotin Braho apo pa zotin Braho?

Këtë duhet të ma ndani ju. Gjithsesi, kam përshtypjen se 66 deputetë janë pa zotin Braho. Megjithatë 66+5 bëjnë 71. Pra do të kishte një mazhorancë dhe 18 mandatet e LSI-së nuk do të kishin vlerën e katër mandateve që patën katër vitet e kaluara. A ju shqetëson ky fakt?

Atëherë, nuk ekziston asnjë shqetësim për këto fakte të pretenduara, sepse koalicioni …

Zoti Rama, as nuk e përjashtoi dhe as nuk e pohoi, por tha që nuk do të ketë ndryshime …

Nuk po flas për këtë çështje, po flas për qëndrimin tonë. LSI-ja ka një marrëveshje me Partinë Socialiste, që është marrëveshja e njohur, marrëveshja e Shkodrës, ose e bërë publike në Shkodër, dhe i qëndron asaj marrëveshjeje dhe respekton çdo vendim tjetër të Partisë Socialiste si forca kryesore e këtij koalicioni qeverisës. Nuk ka asnjë shqetësim për ne, në rast se Partia Socialiste, me disa parti të tjera, pa LSI-në, bën 71, 75 apo 80 vota, përkundrazi, sepse çdo rritje, sidomos e mbështetjes politike në Parlament, do të ishte e dobishme për të ecur më shpejt me reformat, të cilat kërkojnë një mbështetje sa më të gjerë parlamentare. Pra, në këtë drejtim, nuk ekziston asnjë shqetësim nga ana e LSI-së, përkundrazi, çdo shtim i mazhorancës parlamentare është i mirëpritur.

Jeni përfshirë në këtë bisedë, që tashmë duket se po bëhet publike?

Kjo nuk është një çështje që e kërkon përfshirjen time apo të LSI-së. Ky është një raport, mendoj unë, që i takon Partisë Socialiste, për çdo parti, nuk dua të përmend asnjë emër partie, për të vendosur raportet e bashkëpunimit. Për ne është e rëndësishme të ruhet fryma, thelbi dhe objektivat e marrëveshjes së Shkodrës. Dhe ajo prurje e re, aq më tepër parlamentare, është e mirëpritur.

Zoti Meta, Partia Socialiste ka nisur një sondazh telefonik në Tiranë për të evidentuar preferencat e qytetarëve të Tiranës, por kryesisht të bazës së majtë, pra të votuesve të majtë, për tre emra: për Mimi Kodhelin, Saimir Tahirin dhe Pandeli Majkon. Nëse do t’ju merrnin ju në telefon dhe do t’ju thoshin: “Jam nga zyra e sondazheve të Partisë Socialiste”, për cilin nga këta tre emra do të shprehnit mendimin tuaj?

Do të duhet të kisha tri vota, pra duhet të isha në një pozitë shumë të vështirë.

Ju e dini që kjo nuk është e mundur, ju maksimumi …

Prandaj të thashë, do të isha në një pozitë shumë të vështirë.

Prandaj po të them.

… se të tre emrat janë shumë të mirë.

Një preferencë e juaja?

Të tre emrat janë shumë të mirë. Jam në një pozicion mjaft të vështirë.

Po unë prandaj dua do t’ju vë në pozicion të vështirë. Problemi është se duhet të më jepni një përgjigje. Dhe përgjigjja “që të kisha tri vota” është përgjigje hipotetike.

Është shumë e parakohshme, por për të tre emrat do të jepja votën.

Është e parakohshme edhe fushata që ka nisur, pra kjo e sondazheve, sipas jush?

Jo, nuk e di, është e drejtë e çdo force politike të bëjë testime.

Keni bërë biseda lidhur me zgjedhjet lokale apo kjo sërish nuk ka ardhur në axhendën tuaj nga Kryeministri?

Nuk kemi bërë biseda, sepse është shumë e parakohshme, mendoj unë, dhe ka shumë çështje të tjera më të rëndësishme që duhen shtyrë përpara.

Ka gjithmonë një pritshmëri që LSI-ja do të tentojë ose do të kërkojë të ketë kandidatin e saj në Tiranë, pasi fundja keni treguar që pa LSI-në asnjëra nga palët nuk e fiton dot kryeqytetin.

Nuk kemi asnjë nxitim dhe paragjykim në këto çështje dhe natyrisht është e drejta juaj, e përfaqësuesve të mediave, për të krijuar situata interesante.

Raporti juaj me zotin Rama, një pyetje e fundit.

Mendoj që është një raport shumë konstruktiv.

Ka pësuar firo nga viti i kaluar, për shkak të qeverisjes, për shkak të debateve që sigurisht i keni pasur apo jo?

Jo, nuk ka hyrë në ujë, nuk kishte si të pësonte firo.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button