Bota

Takime Trump – May në Londër: Na duhet një marrëveshje e drejtë tregtare

Gjatë takimit të tyre në Londër të martën, në vijim të vizitës së Presidentit Trump dhe Zonjës së Parë Melania Trump në Britani, Presidenti Trump dhe Kryeministrja britanike Theresa May shprehën dëshirën për të zgjeruar tregtinë midis vendeve të tyre.

Duke folur në një tryezë të rrumbullakët me përfaqësues të biznesit, zoti Trump tha se ai mendon që të dyja palët do të arrijnë një “marrëveshje tregtare shumë thelbësore, e cila të jetë “shumë e drejtë”.

Zonja May tha se Britania dhe Shtetet e Bashkuara mund ta zgjerojnë partneritetin e tyre ekonomik me një marrëveshje tregtie dypalëshe dhe se qeveria e saj beson tek “mbajtja e tregjeve të lira, të drejta dhe të hapura”.

Zoti Trump ka ndjekur politikën e marrëveshjeve të reja tregtare me një numër partnerësh tregtarë të mëdhenj të Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë Kinën, me qëllimin për të patur kushte më të favorshme tregtare për Shtetet e Bashkuara.

Përveç bisedimeve me krerët e biznesit, Presidenti Trump dhe Kryeministrja May po mbajnë të martën bisedime dypalëshe dhe një drekë pune dhe më pas kanë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Presidenti Trump dhe gruaja e tij Melania do të kenë më vonë një darkë me Princin Charles dhe me gruan e tij, Camilla, dukeshën e Cornwall.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button