Bota

Tarifat amerikane ndaj Meksikës dhe imigracioni

Zyrtarët amerikanë dhe meksikanë paralajmërojnë se rritja e tarifave ndaj importeve të Meksikës, me qëllim frenimin e fluksit të emigrantëve nga Amerika Qendrore drejt kufirit amerikan, do të dëmtonte ekonomitë e të dy vendeve. Presidenti Donald Trump ka kërcënuar se do të vendosë tarifa prej 5 përqindësh ndaj të gjitha mallrave meksikane, duke filluar nga 10 qershori dhe do t’i rrisë ato në muajt në vijim deri në 25 përqind, nëse Meksika nuk ndalon ndjeshëm valën e emigrantëve drejt kufirit amerikan. Zyrtarët meksikanë pohojnë se tarifa amerikane do të dëmtonte ekonominë dhe do të kishte pak ndikim në pakësimin e emigracionit. Disa ligjvënës amerikanë pajtohen me këtë.

Shteti amerikan i Teksasit dhe Meksika kanë një vijë kufitare prej më shumë se 2 mijë kilometra të gjatë. Ato janë të lidhura përmes rrugëve dhe urave ndërkombëtare. Ekonomitë e tyre varen nga një marrëdhënie e fortë tregtare, thotë senatori i Teksasit John Cornyn.

“Është e rëndësishme që për çdo veprim që ndërmarrim për të siguruar kufirin jugor, duhet patur parasysh roli i rëndësishëm që Meksika luan në ekonominë e Shteteve të Bashkuara.”

Senatori thotë se problemi i emigracionit është rezultat i ligjeve të gabura të azilit në Shtetet e Bashkuara dhe se kjo çështje duhet trajtuar sa më parë.

Udhëheqësi i pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, thotë se administrata e zotit Trump e përkeqësoi krizën në kufirin jugor, duke shkurtuar ndihmat për vendet e Amerikës Qendrore.

“Është tërësisht një plagë e vetëshkaktuar ndaj sigurisë sonë kombëtare, që përkeqëson problemet për të cilat ankohet presidenti.”

Ndërkohë, një delegacion i lartë nga Meksika theksoi kundërshtimin ndaj tarifave gjatë një konferece shtypi në Uashington. Marcelo Ebrard është Ministër i Jashtëm i Meksikës.

“Meksika po punon për të trajtuar rritjen e emigracionit, duke ofruar mundësinë për të aplikuar për statusin e refugjatit, duke përshtatur kuadrin ligjor për të ofruar leje punësimi për ata që dëshirojnë të qëndrojnë, ose ata që kërkojnë punë në pjesën jugore të vendit, dhe po ashtu duke rritur kontrollin e emigracionit përgjatë kufirit jugor meksikan.”

Kryediplomati meksikan argumentoi se pa këto veprime, këtë vit do të kishte rreth çerek milioni më shumë emigrantë në kufirin amerikan. Ai tha se vënia e tarifave ndaj mallrave meksikane dhe anulimi i programeve të ndihmave për Amerikën Qëndrore nuk do të reduktonte flukset e emigracionit, por të do t’i rriste ato.

Ministri i Bujqësisë së Meksikës, Victor Villalobos, foli për ndikimin e tarifave për të dy anët e kufirit.

“Nëse vendosen tarifat, ndikimi ndaj bujqësisë do të ishte rreth 1.4 miliardë dollarë. Do të ishte afro 3.8 milion dollarë në ditë, që do të ndikonte në të dy anët e kufirit, kryesisht tek konsumatorët.”

Zyrtarët meksikanë thanë se Shtetet e Bashkuara dhe Meksika kanë zhvilluar bisedime me vendet nga po vijnë emigrantët, veçanërisht El Salvadori, Guatemala dhe Hondurasi, me qëllimin për të reduktuar shkaqet kryesore të migrimit – krimi, varfëria dhe dhuna.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button