Home / Ekonomia / Kalimi i tokës për investime në agroturizëm, miratimin do ta japë ministri

Kalimi i tokës për investime në agroturizëm, miratimin do ta japë ministri

Të gjithë ata që duan të shfrytëzojnë një truall bujqësor, për agroturizëm ku përfshihet ndërtimi i strukturave,  do të mund të sigurojnë autorizimin sipas llojit të investimit nga hallka të ndryshme të administratës.

Në projektligjin ‘Për krijimin dhe funksionimin e strukturave të administrimit të mbrojtjes së tokës” janë bërë disa ndryshime që, sipas relacionit që e shoqëron atë, thuhet se shkurtojnë burokracitë me të cilën janë hasur të interesuarit për investime.

“Qëllimi i këtij projektligji është lehtësimi i procedurave dhe shkurtimi i afateve për kalimin e sipërfaqes së tokave bujqësore në tokë truall për ndërtimin e objekteve për prodhimin, ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale, për struktura/objekte në funksion të agroturizmit si dhe veprimtari të tjera ekonomike” thuhet në relacion.

I njëjti sqaron se për tokat bujqësore të kategorive V-X të bonitetit, ndryshimi në kategori resursesh të tjera si tokë urbane (truall) si dhe për veprimtari minerale dhe gjeologjikë për gurore e kariera, për sipërfaqe deri në 30 ha bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Po kështu, sipas pikës 5/2 edhe kalimi i sipërfaqes së tokës bujqësore në të gjitha kategoritë e bonitetit, me destinacion ndërtimin e objekteve për prodhimin, ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave.

‘Në procesin e dhënies së lejeve të ndërtimit të lëshuar nga institucionet përkatës, të cilat kushtëzohen me miratimin e  ndryshimit/kalimit të sipërfaqes së tokës bujqësore në truall, janë evidentuar vonesa, që lidhen me kohën e miratimit të vendimeve të Këshillit të Ministrave. Këto vendime, propozohen  nga ministritë përgjegjëse sipas fushës së veprimtarisë që mbulojnë dhe trajtohen rast pas rasti” thuhet në relacion.

Agroturizmi dhe rritja e kërkesës

Relacioni i projektligjit sqaron se ka pasur një interes të dukshëm edhe nga agroturizmi çka ka ardhur edhe si rrjedhojë e fondeve të IPARD. Kështu gjatë dy viteve të fundit, pjesa më e madhe e VKM-ve për sipërfaqet e  tokës bujqësore që kalojnë në kategorinë tokë urbane (truall) kanë qenë kryesisht nga 500 m2 deri në 3500 m2, të cilat përfshijnë ndërtimet për objektet për qëllime bujqësore dhe agroturizmin. “Numri i kërkesave për investime të tilla po rritet ndjeshëm, sidomos për shkak të mbështetjes me grante nga programi IPARD II dhe skemave kombëtare në kuadrin e programit për zhvillimin bujqësor dhe rural.

Me qëllim lehtësimin e procedurave dhe shkurtimin e afateve, propozohet që në piken 3, të nenit 11/1 miratimi i ndryshimit për sipërfaqet e tokave bujqësore deri në 5 ha që kalojnë në kategorinë tokë urbane (truall), të bëhet me urdhër të ministrit përgjegjës për bujqësinë” nënvizon relacioni.

Leave a Reply

%d bloggers like this: