Home / Ekonomia / Gjatë këtij mandati përfundojmë rrugën Skrapar-Përmet

Gjatë këtij mandati përfundojmë rrugën Skrapar-Përmet

Kryeministri i vendit, Edi Rama në vijim të turit të takimeve me qytetarët në kuadër të fushatës elektorale, deklaroi nga Çorovoda se në mandatin e ri të kryetarit të kësaj bashkie do të bëhet lidhja strategjike në rrugën Skrapar-Përmet, në funksion të turizmit.

“Jam shumë i vetëdijshëm sesa strategjik është që ne ta përfundojmë gjatë këtij mandati të ri të kryetarit të bashkisë rrugën Skrapar-Përmet, në mënyrë që të bëjmë lidhjen strategjike mes kësaj zone dhe zonës së Përmetit, Gjirokastrës, Tepelenës, ku po bëjmë investime të rëndësishme pikërisht për të shfrytëzuar dhe kthyer potencialin e madh natyror dhe trashëgiminë shumëhistorike në funksion të turizmit, të punësimit, ekonomisë familjare dhe të ekonomisë kombëtare”, – tha Rama.

Më tej, kryeministri tha se “qoftë rruga Skrapar-Përmet, qoftë rruga e re që tanimë është aprovuar dhe që duhet të gjejë mjetet e financimit, që lidh Skraparin me Beratin, do të jenë prioritete të këtij mandati të ri të kryetarit të bashkisë”.

Duke u ndalur tek mrekullia e Kanioneve, Rama u shpreh se këtë të fundit e ka zbuluar falë Ilir Metës.

“Me lejoni që t’ju siguroj që jam shumë i vetëdijshëm dhe me thënë të drejtën t’i themi të gjitha: ja di për nder Ilir Metës që më ka sjellë dhe më ka treguar mrekullinë e kanioneve që nuk i kisha njohur më parë. Jam shumë i vetëdijshëm se çfarë potenciali i jashtëzakonshëm është kjo zonë për zhvillimin e turizmit dhe përmes turizmit zhvillimin e ekonomisë, rritjen e mirëqenies të gjithë atyre që kanë vendosur të jetojnë këtu”, – tha ndër të tjera, Kryeministri.

Leave a Reply

%d bloggers like this: