Kryeartikull

Akti i Ilir Metës vlen vetëm si alibi për zbythjen e opozitës

Nga Mero Baze

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka bërë një përpjekje të dështuar për grusht shteti, duke ç’dekretuar datën e zgjedhjeve, me shpresë se mund të fusë Shqipërinë në rrugë pa krye, duke tërhequr zvarrë qeverisjen  e vendit, nxitjen e kaosit dhe varrosjen e reformës në drejtësi.

Akti i ç’dekretimit të datës së zgjedhjeve nga presidenti, nuk është as kompetencë kushtetuese, as e drejtë, dhe as e ligjshme. Ajo është vetëm një kontribut i institucionit të Presidentit, në përpjekje për të krijuar një kolaps në Republikën që drejton, një molotov nga Ilir Meta mbi Republikën.

Vendimi i presidentit është NUL dhe është një akt i pazbatueshëm. Akti i tij është në shkelje të Kushtetutës dhe shumica parlamentare ka përgjegjësinë të mbrojë Kushtetutën dhe Republikën, dhe jo Ilir Metën.

Këtu mbaron efekti kushtetues i Aktit të Ilir Metës.

Vet kryeministri Rama, përveçse të deklarohet politikisht, nuk ka nevojë të ndërmarrë veprime të tjera kundër, pasi procesi i zgjedhjeve kryhet në përputhje me ligjin dhe askush nuk e ndal dot. Thejsht aktin e Ilir Metës e injoron dhe e lë në kuti postare.

Zgjedhejt organizohen nga KQZ dhe vëzhgohen nga misioni i ODHIR-OSBE, mision i cili nuk vihet në lëvizje nga presidenti i Republikës, por nga instrumenta të tjera, që kanë të bëjnë me mbikqyrjen e zgjedhjeve.

I vetmi kuriozitet që kam si gazetar për aktin e presidentit, është vetëm klima në të cilën ai e ka marrë këtë vendim. Me kë u konsultua, kush ja parashtroi rreziqet kushtetuese, kush i tha që Shqipëria do të marrë flakë dhe në finale, me cilin kryetar të grupeve parlamentare u takua.

Kur caktoi datën e zgjedhjeve thirri në takim Taulant Ballën, Edi Palokën, Petrit Vasilin etj. Tani duhet t’i thërriste përsëri formalisht.

Konsulta vetëm me Monikën dhe Lulin nuk është konsultë politike, por plan lufte kundër shtetit.

Nëse presidenti i Republikës kërkon vërtetë t’u jap një mesazh shqiptarëve se gjendja është e padurueshme, ai duhet të bëjë atë që bëri gruaja e tij, të djegë mandatin e presidentit dhe të dalë në rrugë.

Ai nuk mund të jetë dhe në rrugë, dhe në zyrë njëkohësisht.

Në gjithë karrierën e shkurtër si president, ai ka tentuar të përdorë pushtetin për të futur institucionet në kolaps. Në këtë rast po përpiqet të fusë në kolaps qeverisjen vendore.

Më parë ka tentuar të fusë në kolaps qeverinë qëndrore me mosdekretimin e ministrave. Një herë tjetër tentoi të fuste në kolaps institucionet e reja të drejtësisë, me mos hedhjen e shortit për KED.

Përpjekja e tij e fundit për të futur në kolaps pushtetin vendor duhet të zbrapset me vendosmëri. Data e fundit për pushtetin vendor është 30 qershori dhe mandatet e kryebashkiakëve i ka në dorë populli, dhe jo presidenti. Ato përtërihen vetëm me zgjedhje, dhe me jo me dekrete presidenti.

E vetmja vlerë e aktit të Ilir Metës, është se u bë pak para se të fillojë protesta e opozitës, e cila kishte paralajmëruar dhunë. Të trembur nga reagimi i ashpër amerikan dhe europian, Akti i Ilir Metës ka vlerë vetëm se justifikoi zbythjen e opozitës nga protesta e sotme.

Për asgjë tjetër nuk vlen. Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes zyrtarit më të lartë për rajonin, i bënë të qartë me emër Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit, se do të ishin përgjegjës për çdo akt dhune të sotëm.

Ilir Meta i shpëtoi sot Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin, duke mos i futur në listën e  zezë të SHBA, pasi bëjnë sikur gëzohen për dekretin e Metës dhe nuk hedhin molotov.

Por druaj se Ilir Meta ka futur veten në listën e zezë të presidentëve të Shqipërisë, si i vetmi president që po tenton të destabilizojë shtetin në emër të interesave të tij.

Prej sot Shqipëria nuk ka më opozitë dhe pushtet, por njerëz që mbrojnë shtetin dhe talebanë që duan ta rrëzojnë atë.

Ilir Meta është sot kreu në detyrë i talebanëve shqiptarë.

Kreu shpirtëror i talebaneve shqiptarë, Sali Berisha, është strukur në shpellë. Të dy bashkë ata i kanë shpallur sot luftë shtetit shqiptar dhe aleatëve të tij të mëdhenj, SHBA dhe vendeve të Bashkimit Europian. Nuk do ta fitojnë!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button