Home / Kryeartikull / A është ky fundi i Lulzim Bashës?

A është ky fundi i Lulzim Bashës?

Ermal Mulosmani
10 Qershor 2019 12:14
Kur në muajin Shkurt u njoftua dorëzimi përfundimtar i mandateve të të gjithë deputetëve të opozitës së Shqipërisë, disa prej opinionbërësve në vend e panë si veprimin e duhur. Një qeverisje e dhunshme, arrogante, që po mbyste një skandal me zhurmën e një tjetri, më të madh, meritonte një përgjigje të fortë.

Dy skandale shumë të forta kishin dalë në sytë e publikut ato kohë.

I pari ishte skandali i Unazës së Re, ku, një kompani anonime, me pronar një recepsionist hoteli, kishte fituar një tender prej 20 milion Euro për një segment rrugor prej  1000 m ose 20,000 Euro për m.  Jo metra teritali sigurisht por, rrugw fushore nw mes tw Tiranws jo nw shkwmbinjtw e Alpeve zviceriane.

Ky zbulim u bë në atë kohë nga ish deputeti  i PD-së, Agron Shehaj. Kompania në fjalë ishte “fake”, pra ishte mbulim për një oligark të njohur në vend dhe, e dyta, tenderi ishte fituar me çmim rekord, aq sa ishte fondi limit i parashikuar, pra 20 milion Euro! Sapo u hapën petët e këtij lakrori u panë edhe që i gjithë segmenti i kontraktuar ishte me të njëjtën abuzim, 20 milion Euro/km. E gjithë farsa u zbulua kur, gazetari i njohur Ylli Rakipi, i bëri një kërkesë Guvernatorit të Delawere për të parë se kush ishte firma DH Construction dhe aktiviteti i saj në Dellawere.

Përgjigja ishte që një kompani e tillë nuk ekziston në shtetin e tij.

Ky ishte një skandal i padëgjuar ndonjëherë, një vjedhje sa e trashë aq edhe fyese për nga pakujdesia dhe përmasat.

Skandali i dytë ishte dalja në shtyp e disa përgjimeve që implikonin zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste me personazhe të famshëm të botës së krimit dhe trafikut të narkotikëve. Në bisedat dhe raportet e tyre, kuptohej bashkëpunimi për blerjen e votave në favor të PS-së. Në një botë demokratike kaq do të mjaftonte për rënien e Qeverisë dhe shpalljen e zgjedhjeve. Opozita kishte tashmë një fakt se rezultati ishte i deformuar nga kriminelë me pushtet.

Por, arroganca e njohur e Kryeministrit, nuk mund të pranonte të zmbrapsej kaq kollaj. Sigurisht do të dilnin zëdhënësa e demagogë të PS-së që do e relativizonin çështjen se kështu ka bërë edhe PD në kohën e saj, se vjedhje ka pasë por kanë qenë të vogla etj etj. Opozita po ndjehej e pafuqishme të ndikonte opinionin vendas por as atë ndërkombëtar me denoncimet e saj. Në studiot televizive ndikimi i tyre ishte i vogël, në Parlament po ashtu.

Kjo ishte situata kur PD dhe aleatët e tyre vendosën të bënin aktin e fundit, vetëvrasjen politike, dorëzimin e mandateve. E bënë këtë me një shfaqje teatrore, me solemnitet dhe patetizëm sikur po çlironin Shqipërinë.Në fakt po bënin fiks të kundërtën, po i jepnin pushtet absolut njeriut që e ëndërron atë pushtet.

Skena kur Lulzim Basha këndonte Himnin Kombëtar dhe i njoftonte “sihariqin” popullit ishte ogurzezë… “Me të njëjtën cilësi të këndimit të Himnit po e drejton edhe Opozitën” -mendova atëherë. E keqja ishte se edhe shumë të tjerë e mendonin si unë por vazhdonin ta përkrahnin… “

Një mirëdashje  ndaj kundërshtarëve të Edi Ramës, më bënte të shpresoja se mbase ka diçka të studiuar, mbase jemi gabim. “Ndoshta janë konsultuar edhe me të huajt, kanë një strategji”-mendova atëherë. Fakti që nuk kishte precedentë të mëparshëm në botë ma shtonte mosbesimin.

Duhet ta ketë një plan, ja të shohim” -thoshim me vete. Por, plani i Lulit shkon vetëm deri tek dreka e radhës ose gjumi i pasdites!

Ditë pas dite pushteti “mbillte” nga një deputet të nxjerrë nga listat e Opozitarëve, ditë pas dite ndërkombëtarët distancoheshin nga Lulzim Basha dhe i jepnin të drejtë arrogancës së Pushtetit, ditë pas dite zbeheshin edhe shpresat e mia për të ardhmen e kësaj strategjie…

Për një çast mendova se ka qenë e llogaritur që t’ia jepnin të gjitha pushtetet Edi Ramës dhe, ndoshta, pushteti i tepërt do ta bënte komik dhe do ta detyronte të dorëzohej. Unë nuk e besoja kurrë këtë tezë por ishte e vetmja që kishte mbetur. E kanë përkrahur shumë komentatorë të njohur, ndërmjet të cilëve, më i spikaturi ka qenë Andi Bushati. Në fakt, siç po shkonin punët aty të çonin, tek diskreditimi. Pjesë e kësaj strategjie, natyrisht, ishte edhe mospjesëmarrja në zgjedhje, dorëzimi edhe i 61 Bashkive të vendit.

Tejkalimi i afatit të 31 Majit aty të çonte…

Te anullimi i datës së zgjedhjeve unë pashë diçka tjetër, më shqetësuese sesa konflikti Qeveri-Presidencë. Unë pashë që Lulzim Basha ishte i gëzuar nga ky vendim. Pra, ai po pret që të futet në zgjedhje në një datë të dytë. Ka dalë nga Parlamenti dhe pret të futet në Bashki?!!! Çfarë politike është kjo?!

Kjo është vetëvrasja politike përfundimtare e tij.

Opozita duhet të shohë brenda vetes këto kohë. Nuk mundet që me Lulzim Bashën të fitojë zgjedhje. Duhet të zgjedhë liderin që i motivon, që prodhon politikë, ide dhe gjeneron shpresë.

Gëzimi i Lulzim Bashës për anulimin e datës së zgjedhjeve ishte edhe fundi i çdo lloj besimi tek ky njeri.

Leave a Reply

%d bloggers like this: