Ekonomia

Investimet e huaja mbeten të larta në tremujorin e parë

Investimet e huaja arritën në 286 milionë euro në tremujorin e parë të këtij viti, duke shënuar një rritje të lehtë prej 2% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, të publikuara sot në bilancin e pagesave.

Në raport me tremujorin e fundit 2018, investimet e huaja ishin 8.3% më të larta, teksa punimet për gazsjellësin TAP vijuan me intensitet.

Sipas bankës së Shqipërisë, fluksi i Investimeve të huaja direkte në formën e zgjerimit të kapitalit, vlerësohet në 266 milionë euro — të përqëndruara kryesisht në sektorin e energjitikës (në masën  49%), të hidrokarbureve (në masën 18%) dhe ndërmjetësimit financiar (në masën 8%).

Në 2018, investimet e huaja direkte arritën një nivel rekord prej 1 miliard euro në 2018-n, me një rritje prej rreth 13%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një nivel rekord.

Për rreth katër vjet, Investimet e Huaja Direkte kanë qëndruar në nivele të larta, për shkak të dy projekteve të mëdha në energjetikë, punimet për hidrocentralin në lumin Devoll nga Statkraft dhe gazsjellësi TAP. Statistikat e tjera të Bankës së Shqipërisë tregojnë se stoku i investimeve në energji u rrit me shpejtësi, nga vetëm 13 milionë euro në fillim të 2014-s, në 2 miliardë euro në fund të 2018, duke zënë 27% të stokut direkt të investimeve dhe duke kaluar në vend të parë, si pasojë e stanjacionit të telekomunikacioneve dhe bankave.

Por këtyre investimeve tashmë po u vjen fundi.

Investimi më i madh i realizuar ndonjëherë në Shqipëri, ai i gazsjellësit Trans Adriatik Pipeline (TAP), është drejt fundit. Sipas burimeve nga kompania, në Shqipëri, ka përfunduar tërësisht pastrimi i gjurmës së gazsjellësit dhe tubt janë salduar. Më shumë se 200 kilometra gazsjellës tashmë është nëntokë. Stacioni i kompresorëve (Fier) dhe ai i matjes (Devoll), përfundojnë në vjeshtë. Në seksionin detar, punimet po vijojnë në pikën e daljes në det. Fokusi është te pjesa operacionale, si ngritja dhe trajnimi i burimeve njerëzore që do të merren me mirëmbajtjen e tubacionit, që po bëhet në bashkëpunim me kompaninë e përbashkët Albgaz-Snam.

Investimi i gazsjellësit në Shqipëri është vlerësuar në rreth 1.5 miliardë euro nga vetë kompania. Punimet nisën në verën e 2015, me infrastrukturën rrugore, por 2 vitet më intensive ishin në 2017-2018, ku vlerësohet se janë investuar më shumë se 500 milionë euro në vit. Për këtë vit vlerësohet që kanë mbetur edhe rreth 200 milionë euro investime.

Edhe investimi tjetër i madh, ai i hidrocentraleve që po ndërtohen mbi lumin Devoll nga kompania Statkraft është drejt fundit. HEC-i i Banjës tashmë është funksional, ndërsa HEC-i i Moglicës po përparon me shpejtësi. Burime zyrtare nga Statkraft thanë se në vitin 2018, investimet ishin rreth 86 milionë euro dhe në 2018-n, ato priten në rreth 73 milionë euro, ndërsa dhe HEC-i i dytë parashikohet që të përfundojë në 2019-n. Investimi total i Devollit është 590 milionë euro, sipas burimeve zyrtare.

Në total, nga 2.1 miliardë euro që ishte investimi total i planifikuar nga këto dy projekte të mëdha, për 2019-n kanë mbetur më pak se 300 milionë euro, ndërsa në 2020-n, këto dy burime do të jenë ezauruar tërësisht.

Institucionet ndërkombëtare kanë tërhequr shpesh vëmendjen për nevojën e zëvendësimit të këtyre projekteve me investime me vlerë të shtuar të lartë dhe të orientuara drejt teknologjisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button