Ekonomia

Miratohet projekti i lotit I të mbikalimit Pallati me Shigjeta-sheshi Shqiponja

Në një konferencë të përbashkët me drejtoreshën e Autoritetit Kombëtar të Rrugëve, Sonila Qato, ministrja e Infrastrukturë dhe Energjetikës, Belinda Balluku tha se, projekti i jep zgjidhje të qëndrueshme fluksit të trafikut dhe qarkullimit. “Parashikojmë që brenda 24 muajsh nga fillimi i punimeve, ky segment rrugor do të jetë gati”, tha Balluku.

“Harmonizimi që ky projekt krijon me kryeqytetin dhe hyrjen e saj është i shkëlqyer. Nuk kemi më atë barrierën e mbikalimit por është një projekt i harmonizuar me nënkalim dhe krijim në sipërfaqe të saj të hapësirave të reja të gjelbëra, që i kanë munguar deri më sot kësaj zone duke i dhënë përparësi lëvizjes së qytetarëve”, tha Balluku.

Sipas ministres, gjithçka është përfshirë në projekt, duke marrë në konsideratë nevojat e banorëve të zonës. “Projekti krijon një hyrje ekselente në Tiranë duke i dhënë mundësi që në të ardhmen të shndërrohet në një tjetër qendër të Tiranës”, theksoi ajo..

“Ajo çka kemi përfituar është se kemi fituar një tjetër qendër urbane në qytetin e Tiranës, drejt objektivit për krijimin e Tiranës multicentrike. Nga një zonë periferike e kryeqytetit projekti jo vetëm që do të lehtësojë qarkullimin në hyrje dhe dalje të Tiranës, por përfitohet një qendër urbane”, tha Balluku.

Sipas ministres Balluku, procesi i shpronësimeve ka nisur dhe qeveria është angazhuar për këtë proces në një kohë rekord.

“Do të jemi më konkret për këtë projekt për të shpjeguar ecurinë e projektit dhe fazat e zbatimit të teknik të tij”, tha Balluku.

Ndërsa drejtoresha Qato tha se ARRSH u njoh menjëherë me projektin e paraqitur nga ana e Bashkisë së Tiranës dhe përcjellë nga ana e Ministrisë një javë më parë, ku në disa seanca konsultash me grupin e projektueseve të bashkisë Tiranë, ky projekt, pas vërejtjeve të paraqitura, u finalizua sot, me miratimin e tij në Këshillin Teknik të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

“Projekti “Rehabilitimi i segmentit rrugor mbikalimi pallati me shigjeta-sheshi shqiponja loti 1”  është pjesa më e rëndësishme e Unazës së madhe të Tiranës në segmentin “Pallati me shigjeta deri tek sheshi Shqiponja”. Është nyja që përmbledh trafikun e veriut, të jugut, të jug lindjes dhe të hyrjes kryesore të qytetit të Tiranës. Ky projekt përmbledh idenë për rikonceptimin e nyjes tek Shqiponja nyje kjo projektuar më parë në një koncept tjetër, shpjegoi Qato.

“Projekti fillestar ishte një zgjidhje e mirë përsa i përket lëvizjes së automjeteve dhe elementeve të tjerë të trafikut në rrethrotullimin Shqiponja. Ai projekt  jepte një zgjidhje me tre nivele në nëntokë, një rrethrotullim në kuotën zero dhe një urë për kalimin e automjeteve.  Por specialistet konstatuan dy probleme të rëndësishme të cilat nuk jepnin një zgjidhje të pëlqyeshme për qytetin e Tiranës atë të lëvizjes së këmbësorëve, ku në projektin e parë ishte parashikuar lëvizja e këmbësoreve me tunele nëntokësore si dhe kalimin e automjeteve direkt në kryqëzimin e Laprakës dhe Zogut te Zi gjë e cila do të sillte një bllokim të lëvizjes së këmbësorëve në këto dy pika”- tha Qato.

Sipas saj, zhbllokimi i arterieve të lëvizjes për këmbësorët ka qenë edhe prioriteti kryesor në hartimin e këtij projekti të miratuar sot.

“Ky projekt i ri, integrohet më mirë me gjendjen urbane të kryqëzimit Shqiponja si dhe me planin rregullues Tirana 30 duke na dhënë një zgjidhje përsëri me tre nivele, por duke vendosur lëvizjen e këmbësorëve dhe të trafikut lokal të zonës në nivelin zero”- tha Qato.

Projekti siguron lëvizjen e rrjedhshm të automjeteve në nivelet nëntokësore, ku kemi një lëvizje të pandërprerë të automjeteve nga unaza e re në atë që do të bëhet në veri – lindje të Tiranes si dhe lëvizje të pandërprerë të lëvizjes nga kjo unazë si në drejtim të hyrje – daljes në Tiranë duke u lidhur me autostradën Tiranë –Durrës, duke garantuar kështu standardet e një rruge urbane të kategorise A të modifikuar.

Vlera e projektit të ri për “Rehabilitimin e segmentit rrugor Pallati me Shigjeta – Sheshi Shqiponja loti 1” ështe 2.246.450.297 lekë pa TVSH dhe 2.695.740.357 lekë me TVSH.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button