Politika

Precedenti i 2017-ës, Kolegji: Data e zgjedhjeve kompetencë e ‘Administratives’ jo e ‘Kushtetueses‘

Ekspertët e ligjit janë të ndarë lidhur me kushtetueshmërinë e vendimit të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për të shfuqizuar 30 qershorin si datë për zgjedhjet lokale në Shqipëri.

Por ku mund të anikimohet vendimi i Metës në kushtet kur nuk ekziston Gjykata Kushtetuese?

Ekziston një precedent i vitit 2017-të, kur pas marrëveshjes së 17 majit midis Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, u vendos shtyrja me një javë e zgjedhjeve parlamentare.

Partia Forca Rinia u shpreh kundër dhe depozitoi në Kolegjin e Gjykatës Kushtetuese kërkesën për të shfuqizuar vendimin e ish-presidentit Bujar Nishani, duke e konsideruar antikushtetues. Por kjo kërkesë nuk u kalua nga Kolegji për trajtim në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas vendimit të datës 16 qershor 2017-të, akti i presidentit për të shfuqizuar 18 qershorin si datë për zgjedhjet parlamentare nuk hyn në juridiksionin Gjykatës Kushtetuese, por është pjesë e juridiksionit të gjykatave administrative.

“Në rastin konkret, Kolegji konstaton se akti ndaj të cilit është ushtruar ankim, dekreti i Presidentit të Republikës, i cili është një akt administrativ individual, pasi ka për objekt vetëm caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë. Për këtë arsye, Kolegji çmon se ky akt nuk hyn në juridiksionin e kësaj Gjykate por në juridiksionin e gjykatave administrative dhe për këtë arsye, kërkuesi nuk legjitimohet t’i drejtohet kësaj Gjykate me objektin sipas kërkesës”, thuhej në vendimin e Gjykatës.

Presidenti Ilir Meta vendosi të shtunën që të shfuqizonte 30 qershorin si datë për zgjedhjet lokale, por vendimi është kundërshtuar ashpër nga mazhoranca socialiste.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button