Home / Bota / Flota amerikane udhëheq stërvitjen e NATO-s në Balltik

Flota amerikane udhëheq stërvitjen e NATO-s në Balltik

Një stërvitje e madhe ushtarake ku marrin pjesë forcat detare të 18 vendeve po zhvillohet në Balltik dhe do të zgjasë deri më 21 qershor. Kjo është stërvitja e 47-të e përvitshme operacionale, e njohur me emrin BALTOPS. Këtë radhë, ajo udhëhiqet nga Flota e Dytë e Marinës Amerikane, që u rikrijua së fundmi për të mbrojtur Atlantikun e Veriut dhe Arktikun.

Stërvitja Baltops është një nga më të mëdhatë në Evropën veriore. Marrin pjesë 50 anije, dy nëndetëse, 36 avionë dhe mbi 8 mijë trupa.

Por, ushtrimi i këtij viti udhëhiqet nga një komandant që nuk e ka selinë në Evropë, por matanë oqeanit në Norfolk, të shtetit amerikan Virxhinia.

Nënadmirali amerikan Woody Lewis, komandanti i Flotës së 2-të Amerikane, i tha Zërit të Amerikës se fleksibiliteti i kësaj flote të vogël është një ndër avantazhet e saj më të mëdha.

“Mund të qëndroj me një pjesë të stafit në këtë anije, ose në një aeroplanmbajtëse, apo në një vendndodhje të thjeshtë diku tjetër”, thotë Nënadmirali Lewis.

Flota e 2-të ruan Atlantikun e Veriut dhe Arktikun. Ajo ishte mbyllur në vitin 2011, në një periudhë shkurtimesh buxhetore dhe kur këto ujëra nuk kishin nevojë për shumë mbrojtje ushtarake.

Por, kohërat kanë ndryshuar. Drejtuesit ushtarakë amerikanë thonë se Rusia ka shtuar lëvizjet në nivelet e Luftës së Ftohtë dhe Kina ka filluar gjithashtu operacione në këtë rajon.

“Kur i planifikojmë këto stërvitje dhe manovrojmë me anijet dhe avionët tanë, në mendje kemi Kinën dhe Rusinë, dhe si ta fitojmë këtë betejë të nivelit të lartë”, thotë Komandante Tara Golden, e seksionit të Trajnimit dhe Zhvillimit në Flotën e 2-të Amerikane.

Dhe nuk janë të shqetësuara vetëm Shtetet e Bashkuara.

NATO ka krijuar një komandë të re për t’u përballur me një Rusi të fuqizuar në Atlantikun e Veriut. Nënadmirali Lewis drejton edhe këtë komandë.

Komandanti suprem i NATO-s për transformimin, i cili drejton zhvillimin e strategjive të ardhshme të aleancës, i tha Zërit të Amerikës se kjo komandë e sapokrijuar do të forcojë lidhjet mes Amerikës së Veriut dhe Evropës, ndërsa po shtohet paqëndrueshmëria globale.

“Kjo është një ndër mënyrat konkrete se si Aleanca po përshtatet. Duhet të ushqehemi vazhdimisht me konkluzionet e nxjerra në terren, në mënyrë që të përshtasim aftësita tona”, thotë Gjenerali francez Andre Lanata, Komandant Suprem i NATO-s për Transformimin.

Tashmë, Flota e 2-të është krijuar dhe po zhvillon operacione. Pritet që deri në vitin 2021, edhe NATO të ketë flotën e saj për këtë pjesë të globit.

Leave a Reply

%d bloggers like this: