Kërkesa e socialistëve për shkarkimin e presidentit Ilir Meta mbërrin në komisionin e ligjeve. Njoftimi është bërë nga vetë kreu i këtij komisioni, Ulsi Manja, në nisje të mbledhjes së sotme.

“U kam vënë në dispozicion të gjithë kolegëve të komisionit të ligjeve kërkesën. Nga ky moment komisioni ligjeve e ka futur në procedure shqyrtimin e kërkesës së 55 deputetëve” – u shpreh Manja para deputetëve anëtarë të Komisionit të Ligjeve.

Një ditë më parë socialistët në mazhorancë depozituan në Kuvend kërkesën për nisjen e procedurave parlamentare për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Për socialistët Presidenti Ilir Meta, ka shkelur Kushtetutën duke cënuar ushtrimin e të drejtës së popullit për të zgjedhur.

“Me vendimin për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, presidenti ka marrë atribute që nuk i takojnë në një Republikë parlamentare.” – u shpreh Balla një ditë më parë për mediat, ndërsa njoftoi dorëzimin në Kuvend të kërkesës për shkarkimin e Presidentit.