Kronika

Përballje me ligjin për punonjësit e administratës të përfshirë në akte vandale

Përfshirja e administratës në fushatë zgjedhore, e aq më keq, në akte vandale kundër shtetit është e patolerueshme, në çdo rrethanë dhe cilido prej nëpunësve që do të bëhet pjesë e tyre, gjatë fushatës apo në ditën e zgjedhjeve, do të vihet përballë ligjit.

Task-Forca e ngritur për monitorimin dhe veprimtarinë e administratës shtetërore gjatë procesit zgjedhor po identifikon një për një nëpunësit civilë e ata me Kod Pune, të përfshirë në akte dhune ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit.

Asnjë rast i tillë dhune nuk do të tolerohet, për askënd, pavarësisht nga dispozitat e ligjit me të cilin rregullohen marrëdhëniet e tij të punës, Ligji i Nëpunësit Civil, ose Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë. Në raste refuzimi dhe vijimi të mosrespektimit të ligjit nga organet e pushtetit vendor e nga administratat respektive, masat do të përshkallëzohen deri në ndërprerje të marrëdhënieve financiare”, bën të ditur njoftimi.

Task-Forca ka kërkuar sot nga Departamenti i Administratës Publike dhe Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, të marrë masa menjëherë për nisjen e procedimit disiplinor deri në largim të nëpunësve të dhunshëm, të ndaluar nga Policia e Shtetit, sipas ligjit. U bëhet thirrje nëpunësve të administratës të bëjnë punën që u është besuar në shërbim të qytetarit dhe të mos shndërrohen në vegla të luftës politike, e të bllokimit të proceseve integruese të vendit”, thekson njoftimi.

Sipas njoftimit të Kryeministrisë, përfshirja e administratës në fushatë zgjedhore, e aq më keq, në akte vandale kundër shtetit është e patolerueshme, në çdo rrethanë dhe cilido prej nëpunësve që do të bëhet pjesë e tyre, gjatë fushatës apo në ditën e zgjedhjeve, do të vihet përballë ligjit.

“Në zbatim të Vendimit nr. 283, datë 10.5.2019, të Këshillit të Ministrave është ngritur Task-Forca, me qëllim garantimin e respektimit të të drejtave dhe detyrimeve që rrjedhin për nëpunësit e administratës, nga “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, Ligji nr. 9131, datë 8.9.2003, “Për rregullat e etikës në administratën publike”, si dhe Ligji nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar. Task-Forca ka për detyrë kryesore të monitorojë sjelljen dhe veprimtarinë e gjithë administratës shtetërore, për të mos lejuar përdorimin e burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të shtetit gjatë procesit zgjedhor, si dhe ndër të tjera duhet të bashkëpunojë dhe bashkërendojë me Policinë e Shtetit me qëllim marrjen e masave të menjëhershme kur konstatohen veprimtari të kundërligjshme gjatë procesit zgjedhor”, bëhet e ditur në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë.

Në zbatim të pikës 24, të Vendimit të Këshillit të Ministrave të sipërpërmendur, institucionet shtetërore dhe institucionet e pavarura, pjesë të Task-Forcës raportojnë me shkrim, periodikisht, lidhur me zbatimin e masave e të detyrave të ngarkuara, si dhe për problematikat e hasura gjatë procesit të monitorimit. 

“Në funksion të këtij raportimi, deri aktualisht rezulton se: janë ngritur grupet e monitorimit pranë institucioneve të administratës shtetërore; në faqet zyrtare të institucioneve janë publikuar kontaktet e titullarëve, ose është vendosur një numër jeshil, me funksion denoncimin e rasteve të ankesave të personave të përfshirë në fushatën zgjedhore. Në rastet kur faqet zyrtare të institucioneve të varësisë janë në ndërtim, ky shërbim mbulohet nga institucioni mëmë”, theksohet në njoftim.

Po ashtu është respektuar procedura e kërkuar në rastet e kërkesave nga nëpunësit, për t’u angazhuar si komisionerë pranë KZAZ-ve, KQV-ve dhe GNV-ve, në zgjedhjet vendore 2019;nga grupet e monitorimit, kontrollohen hyrje-daljet në institucion, si dhe lëvizjet e tjera gjatë orarit të punës, me qëllim garantimin e zbatimit të orarit zyrtar të punës, jo në funksion të fushatës zgjedhore.

Departamenti i Administratës Publike, në bashkëpunim dhe me Komisionerin për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, ka njoftuar dhe ka asistuar të gjitha njësitë e burimeve njerëzore të institucioneve të administratës shtetërore mbi të drejtat politike që nëpunësit civilë gëzojnë.

“Në vijim, në mbledhjen e datës 19 Qershor 2019, të Task-Forcës janë raportuar raste të punonjësve të administratës, të cilët kanë sulmuar Policinë e Shtetit, në përpjekje për të penguar punën e KZAZ-ve. Task-Forca po verifikon të gjitha rastet e nëpunësve të përfshirë gjatë dy ditëve të fundit në veprime të paligjshme kundër institucioneve dhe posaçërisht kundër institucioneve të administrimit të zgjedhjeve, në bashkitë: Tropojë, Gjirokastër, Shkodër, Kavajë, Kamëz, Vorë, Burrel, Berat dhe Devoll”, sqaron njoftimi.

Kryeministria bën të ditur se “pa asnjë ekuivok ligjor dhe justifikim politik, kjo është një sjellje që në asnjë mënyrë nuk mund dhe nuk do të pranohet. Ligji ju garanton nëpunësve civilë të drejtën e pjesëmarrjes në veprimtari politike jashtë orarit zyrtar, pa shprehur publikisht bindjet apo preferencat politike, por njëkohësisht me këtë të drejtë vijnë dhe detyrimet, të cilat duhet të respektohen”.

“Neni 45, i ligjit për nëpunësin civil, parashikon qartë se “Nëpunësi civil ka detyrimin të miradministrojë pronën shtetërore që i vihet në dispozicion në ushtrimin e detyrës dhe ta përdorë atë vetëm për qëllimin e përcaktuar nga ligji dhe rregullat e brendshme të institucionit. Nëpunësi civil ka detyrimin të shfrytëzojë kohën e punës me eficencë dhe vetëm për kryerjen e detyrave të tij”. Përfshirja e punonjësve të administratës shtetërore në veprimtari të paligjshme si cenimi i pronës publike, pengimi i mbarëvajtjes së institucioneve shtetërore, apo institucioneve në organizim të procesit zgjedhor përbëjnë akte tejet të rënda që cenojnë rendin publik”, nënvizohet në njoftim.

Braktisja prej nëpunësve publikë të detyrave ligjore në shërbim të qytetarëve dhe përfshirja në veprimtari politike, madje duke u bërë nismëtarë të akteve të dhunshme, të cilat kanë për qëllim pengimin e të drejtës kushtetuese për të votuar, vendosin një precedent të rrezikshëm.

“Nisur nga situata e konstatuar, Task-Forca, referuar dispozitave të Ligjit  nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, ka kërkuar ndërhyrjen e Departamentit të Administratës Publike, në cilësinë e njësisë përgjegjëse për institucionet e administratës shtetërore dhe Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, në cilësinë e njësisë përgjegjëse për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit të administrimit të shërbimit civil, në të gjitha institucionet që punësojnë nëpunës civilë, të nisin inspektimin e menjëhershëm dhe të marrin masa për çdo nëpunës të administratës të konstatuar në shkelje të detyrimeve ligjore”, thuhet në njoftim.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button